1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Ndërkombëtare Penale 20 vjet pas themelimit të saj

3 Korrik 2022

Gjykata e Hagës e sheh veten në traditën e gjyqeve të Nurembergut për krimet e luftës. Por ajo duhet të luftojë ende për t`u njohur. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një testi tjetër i madh.

https://p.dw.com/p/4DZKZ
Niederlande ICC Gebäude Den Haag
Fotografi: Peter Dejong/AP Photo/picture alliance

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) përkujtoi themelimin e saj 20 vjet më parë në një kohë kur në Ukrainë bëhet luftë. Tribunali në Hagë është një "shtyllë e sistemit juridik ndërkombëtar", tha kryetari i trupit gjykues Piotr Hofmanski në hapjen e një konference në këtë qytet holandez me rastin e përvjetorit.

SHBA, Rusia dhe Kina deri sot nuk janë pjesëmarrës

Marrëveshja për themelimin e gjykatës, i ashtuquajturi Statuti i Romës, hyri në fuqi më 1 korrik 2002. Megjithatë gjykata në Hagë, e cila e sheh veten si pasuese të gjykatës së Nurembergut për krimet e luftës, ishte e diskutueshme që në fillim. Shumë fuqi të mëdha si SHBA, Rusia dhe Kina ende nuk e kanë ratifikuar ose nënshkruar statutin e themelimit të saj.

Me aktakuzat, që përqendrohen në krimet e kryera në Afrikë, dhe vetëm pesë dënime deri më sot, bilanci e ICC-së është i dobët. Nga ana tjetër gjykata është i vetmi juridiksion i përhershëm, që synon të luftojë mosndëshkimin e gjenocidit, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Niederlande ICC Den Haag Fall Rafic Hariri
Fotografi: PIROSCHKA VAN DE WOUW/ANP/AFP via Getty Images

Lufta në Ukrainë: Dhjetra hetues të huaj punojnë për ICC

Vitet e fundit Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka ngritur raste edhe tejet të ndjeshme për krimet e kryera në territoret palestineze, Afganistan, Myanmar dhe Filipine. Kryeprokurori Karim Khan theksoi në konferencë, se për shkak të ekzistencës së gjykatës, krimet e luftës, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit dokumentohen shumë më mirë.

Një mundësi të re, për të demonstruar rëndësinë e saj, gjykatës i ofron hapja e një hetimi për invazionin rus në Ukrainë. Khan theksoi se krimet e supozuara të luftës atje do të hetohen dhe duhet të ndiqen penalisht. Autoriteti i tij punon ngushtë me gjyqësorin e Ukrainës. Ky proces ka rritur tashmë mbështetjen perëndimore për gjykatën. Për të punojnë dhjetra hetues të huaj. Khan nisi shpejt hetimet dhe ka dërguar një ekip të madh ekspertësh në zonën e luftës për të siguruar provat.

Ministri i Jashtëm holandez Wopke Hoekstra foli për një "periudhë vendimtare" për gjykatën: "Ajo do të luajë një rol të rëndësishëm në ndjekjen penale të personave, që dyshohen për krime ndërkombëtare".