Gjykata e Lartë: Drejtësi përballë ndërhyrjeve të politikës
5 Tetor 2022DW: Z. Sadushi, një delegacion me gjykatës të Gjykatës së Lartë, (GJL) i kryesuar nga ju, kreu një vizitë studimore në Gjykatën Federale Administrative në Leipzig dhe në Gjykatën Kushtetuese të Landit të Berlinit. Çfarë përfituat nga takimet me kolegët gjermanë, si e vlerësoni bashkëpunimin me sistemin gjyqësor të Gjermanisë?
Sokol Sadushi: Sistemi gjyqësor i Gjermanisë, ka një traditë të gjatë dhe të qëndrueshme në ndërtimin dhe funksionimin e një gjyqësori efektiv dhe të pavarur. Gjykata e Lartë e ꞔmon në mënyrë të veꞔantë përvojën e kolegëve gjermanë dhe të jurisprudencës së Gjermanisë. Kjo pasi legjislacioni ynë administrativ ka afërsi me legjislacionin administrativ gjerman ndërkohë që Gjermania është edhe një vend pararojë në Evropë për gjykimin administrativ. Falë mbështetjes nga qeveria gjermane dhe punës së pakursyer të Fondacionit për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar, (Deutsche Stiftung für Internationale Rechtliche Zusammenarbeit, IRZ) kemi patur mundësi të ndajmë nga afër pikëpamje dhe përvoja mbi praktikat më të mira gjyqësore të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Federale Administrative gjermane, sidomos në drejtim të kuptimit të drejtë të juridiksioneve, kompetencave dhe vendimmarrjes së gjykatave administrative, civile dhe kushtetuese. Në kuadër të bashkëpunimit me sistemin gjyqësor gjerman, kemi zhvilluar edhe bashkëbisedime me kolegët e Gjykatës së Lartë Federale gjermane.
DW: Përvoja gjermane vjen në një kohë kur trupa e Gjykatës së Lartë, (GJL) prej 19 gjyqtarësh është plotësuar sivjet me 15 syresh duke krijuar mundësi reale që qytetarëve t'u jepet drejtësi. Si po ecën evadimi i stokut prej mbi 36 mijë dosjesh të pashqyrtuara, i krijuar këtu e 10 vjet më parë? .
Sokol Sadushi: Gjykata e Lartë po kthehet në pozicionin e saj të natyrshëm të një gjykate ligji. Situata lidhur me stokun e dosjeve të pashqyrtuara po ndryshon për mirë: ritmi i uljes së këtij stoku është i lartë. Në mars 2020 kishte mbi 36 mijë dosje në pritje për tu gjykuar, tani numri i tyre është ulur në 30.751. Kjo në sajë të rritjes graduale të numrit të gjyqtarëve, nga tre në 2020 në 15 këtë vit, të shtimit të numrit të këshilltarëve ligjorë, të përshtatjes së kuadrit ligjor me nevojat dhe kërkesat e gjykimit kasacional dhe zbatimit të një plani veprimi dhe strategjie të mirë menduar. Jam optimist që rezultatet do të kenë një efekt shumë më të ndjeshëm në vitet në vijim. Trupa e GJL po tregon një efektivitet në rritje për të shqyrtuar sa më shumë dosje nga stoku i krijiar në 10 vitet e fundit dhe nëpërmjet vendimeve për dosjet e gjykuara po orienton praktikën gjyqësore drejt njësimit në tre kolegjet e saj: kolegjin civil, penal dhe atë administrativ. Në GJL regjistrohen çdo ditë çështje të reja. Aktualisht gjenden të regjistruara 34.272 dosje gjyqësore administrative, civile dhe penale.
DW: A përbëjnë një shifër të konsiderueshme në stokun e prapambetur çështje të administratës publike dhe kompanive me kapital shtetëror që sipas një udhëzimi të Këshillit të Ministrave duhet të heqin dorë nga rekursi apo nga paditë për dëmshpërblim, që të lehtësohet stoku, për të cilin po flasim?
Sokol Sadushi: Heqja dorë nga rekursi krijon një lehtësi për çështjet e regjistruara në GJL por nuk është zgjidhja e problemit. Deri në muajin shtator të këtij viti, numri i çështjeve për të cilat është hequr dorë nga rekurset e paraqitura pranë GJL nga institucionet e administratës publike është rreth 1200. Ky numër edhe mund të rritet, pasi udhëzimi hyri në fuqi në maj të këtij viti. Le të shohim në vijim sa do të jetë përqindja e rekurseve nga të cilat është hequr dorë për të bërë një llogaritje të saktë. Megjithatë GJL do të vazhdojë të zbatojë me përpikmëri planin e saj të veprimit ku janë parashikuar mekanizma konkretë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, që nuk kushtëzohen me heqjen dorë nga rekursi.
DW: A prek ky udhëzim të drejtën për drejtësi, pra aksesin në një drejtësi për të gjithë?
Sokol Sadushi: Aksesi në drejtësi preket kur krijohen mekanizma që nuk të lejojnë t'i drejtohesh gjykatës. Udhëzimi i miratuar nuk është në disfavor të aksesit që kanë organet publike për t'iu drejtuar gjykatës. Fjala është për rastet kur individi ka fituar në gjykatën e apelit dhe organi publik ka ushtruar rekurs ndaj vendimit Ky udhëzim besoj se do t'u shërbejë organeve publike për të rikonsideruar pozicionin e tyre në ushtrimin e rekursit për çështje të cilat kanë marrë zgjidhje në gjykatën e apelit dhe nuk kanë pritshmëri për të kaluar me sukses testin e pranimit të rekursit në GJL. Një qasje e tillë padyshim që do të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv tek qytetari që ka fituar çështjen në apel dhe njëherazi do të ulë stokun ekzistues të dosjeve të pashqyrtuara. Institucionet publike, sidomos Avokatura e Shtetit, duhet të kuptojë rolin që ka Gjykata e Lartë si një gjykatë ligji dhe se jo domosdoshmërisht për çdo çështje të humbur në gjykatën e apelit duhet bërë rekurs në GJL.
DW: Çfarë sfidash ka Gjykata e Lartë në shqyrtimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta për të rikthyer besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, tani që ka kuorumin e mjaftueshëm për një funksionim efektiv?
Sokol Sadushi: Sfida kryesore e sistemit gjyqësor në Shqipëri është dhënia e drejtësisë dhe kthimi i besimit të publikut. Kjo vlen për të gjitha nivelet e gjyqësorit, përfshirë edhe GJL, gjyqtarët e të cilës vijnë nga karriera në gjykatat më të ulëta dhe në Gjykatën Kushtetuese. Ata i njohin problematikat me të cilat përballet sot gjyqësori. Thelbësore është njësimi dhe zhvillimi i praktikave gjyqësore nëpërmjet vendimmarrjeve sa më të qëndrueshme dhe efektive. Kjo rrit besimin në GJL të vetë profesionistëve të së drejtës dhe jep efekt të drejtpërdrejtë në parandalimin e stokut. Mendësia se çdo konflikt gjyqësor duhet të shkojë patjetër deri në GJL duhet të ndryshojë. Palët në konflikt kanë mundësinë të marrin përgjigje për çështjet e tyre nga dy gjykata të niveleve më të ulta, gjë që është tërësisht në pajtim me standardet e gjykimit të rregullt në Evropë dhe më gjerë. Një nga mënyrat me të cilat do të arrihet ndryshimi i kësaj mendësie, por edhe rritja e besimit tek drejtësia, është qëndrueshmëria që duhet të ketë vendimmarrja në GJL, duke u përqendruar tek interpretimi i ligjit në funksion të njësimit dhe orientimit të praktikës gjyqësore.
DW: A po ju dalin vështirësi në unifikimin/njësimin e praktikave gjyqësore për çështje të njëjta, që është edhe një pikësynim strategjik i Gjykatës së Lartë?
Sokol Sadushi: Rifunksionimi i Gjykatës së Lartë me një bazë të re kushtetuese dhe ligjore kërkon që trupa gjyqësore të mbajë qëndrime, të cilat jo vetëm duhet të zgjidhnin konfliktet konkrete, por edhe të orientojnë praktikën gjyqësore. Ky proces është kompleks dhe aspak i lehtë. Evidentimi i çështjeve që kanë nevojë për zhvillimin dhe njësimin e praktikës gjyqësore është një sfidë më vete. Jo çdo çështje, për të cilën ka dy ose më shumë interpretime, duhet patjetër të njësohet. Janë gjykatat më të ulëta ato që kanë detyrimin të qartësojnë apo interpretojnë ligjin në një mënyrë sa më adekuate dhe të përafërt me qëllimin e ligjvënësit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë i takon GJL të ndërhyjë duke interpretuar përfundimisht dhe në mënyrë të njësuar ligjin. Vitin e kaluar, kur GJL iu shtuan 6 gjyqtarë të rinj dhe u krijuan mundësitë ligjore për të patur trupa me 5 gjyqtarë, që kanë kompetencë për të nxjerrë vendime njësuese, u morën 7 vendime të tilla. Këtë vit, kur trupa e GJL ka 15 gjyqtarë është bërë e mundur edhe mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara që pritet të nxjerrin vendimet e tyre gjatë tetorit 2022. GJL nuk ka asnjë pengesë ligjore për të ushtruar funksionin e saj të plotë në zhvillimin, njësimin dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore me të gjitha trupat gjyqësore të formatuara.
DW: Si i shmang Gjykata e Lartë ndërhyrje potenciale të politikës dhe ekzekutivit për të mos cënuar pavarësinë dhe paanshmërinë e saj në gjykim?
Sokol Sadushi: Është fakt i njohur dhe i pranuar që edhe në demokracitë e zhvilluara sistemi gjyqësor është vazhdimisht i kërcënuar nga pushtetet e tjera, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të drejtpërdrejtë apo tërthorazi. Çdo gjyqtar e ka të qartë se funksioni i tij duhet të ushtrohet në pavarësi të plotë nga të gjitha grupimet e interesat. Prandaj, pavarësia fillon tek vetë koncepti që gjyqtari ka krijuar për atë funksion që kryen. Vështirësitë me të cilat përballemi kërkojnë angazhimin dhe kontributin e secilit prej nesh, si individë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, duke mbajtur në vëmendje interesin e qytetarëve që duan drejtësi. Vendimet gjyqësore të GJL dëshmojnë pavarësinë dhe paanshmërinë në gjykim, autoritetin dhe legjitimitetin në ngritje që po ushqen dita - ditës besimin e madh se drejtësia po bëhet dhe do të bëhet.
DW: Z. Sadushi, e drejta e pronës vazhdon të jetë një çështje e nxehtë gjyqesh në Shqipëri, që mbërrin edhe në Gjykatën e Lartë. Çfarë po ndodh me harmonizimin e praktikave gjyqësore në fushën e të drejtës së pronësisë, që kjo e drejtë të zbatohet me efektshmëri përballë shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, me të cilat publiku po njihet përmes informacioneve nga mediat e pavarura?
Sokol Sadushi: Në GJL janë depozituar dhe presin të shqyrtohen një numër i lartë kërkesash, mes të cilave edhe kërkesa që kanë në objektin e tyre të drejtën e pronësisë. Arsyeja për këtë numër të lartë çështjesh me këtë objekt lidhet drejtpërdrejt me keqzbatimin e ligjit nga vetë organet e ngarkuara me zbatimin e tij dhe me mosndëshkimin e personave përgjegjës për krijimin e konflikteve të panevojshme, me ndërhyrjen e shpeshtë dhe të pastudiuar në legjislacionin përkatës, ashtu si edhe me mungesën ndër vite të qëndrueshmërisë në praktikën gjyqësore të të gjitha niveleve. Në këtë aspekt, Gjykata e Lartë nëpërmjet disa vendimeve njësuese të saj, ka orientuar praktikën gjyqësore lidhur me aspekte apo probleme të veçanta që kanë rezultuar gjatë zbatimit të legjislacionit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Tërë procesi që lidhet me çështjet e pronësisë kërkon kohën e tij për zgjidhje përfundimtare. Gjykata e Lartë ka një rol të pazëvendësueshëm në minimizimin e konflikteve të pronës nëpërmjet funksionit të saj vendimmarrës. Gjykata e Lartë është më se e vetëdijshme që qytetarët e Shqipërisë presin drejtësi prej vitesh. Jemi të përkushtuar për të bërë më të mirën në funksion të dhënies së drejtësisë, me një orientim të qartë për mënyrën sesi duhet të veprojmë që të bëhet drejtësi.
Intervistoi Ani Ruci