Gjykata: Burgim për presidentin e klubit të futbollit Bajern i Mynihut
13 Mars 2014Me këtë vendim trupi gjykues e ka ulur me dy vjet dënimin e kërkuar prej prokurorisë. Në pretencën e saj prokuroria kërkoi dënimin me pesë vjet e gjashtë muaj, siç parashikon kodi penal për raste të rënda të evazionit fiskal. Mbrojtja kërkoi maksimumi dënim me kusht, në rast se trupi gjykues do ta shpallte si të pavlefshëm vetëkallëzimin. Të dyja palët mund të shkojnë në revizion, instanca tjetër është Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe. Ndërkohë avokatët mbrojtës të Hoeneß komunikuan se do të kalojnë në revizion, çka nënkupton se Uli Hoeneß ende do të vazhdojë të jetë në gjendje të lirë, derisa procesi të mbyllet përfundimisht.
Në akuzën e saj prokuroria kishte si pikënisje evazion fiskal në vlerën e 3,5 milionë eurove. Gjatë tri ditëve të para të procesit shuma u shumëfishua duke arritur në vlerën e 27,2 milionë eurove.
Vetëkallëzimi i pavlefshëm
Më 17 janar 2013 Hoeneß pati bërë vetëkallëzim për paratë e patatuara të depozituara në Zvicër. Pak pas kësaj prokuroria e konsideroi si të pavlefshëm vetëkallëzimin dhe nisi procesin kundër Hoeneß. Pas urdhërarrestit të lëshuar pranverën e vitit të kaluar kundër tij Hoeneß qëndroi i lirë kundrejt një kaucioni prej pesë milionë eurosh.
Klubi i futbollit Bajern i Mynihut, që mban rekord në Bundesligë për titujt kampion, tani për tani nuk do të prononcohet lidhur me vendimin gjyqësor kundër presidentit të tij dhe kryetarit të këshillit mbikqyrës Uli Hoeneß. Kështu deklaroi klubi. Kjo me sa duket ka të bëjë me afatin e paraqitjes së kërkesave për revizion, që kanë të dyja palët pas shqiptimit të vendimit.