Gjithnjë e më shumë demokraci minojnë shtetin juridik
29 Prill 2020Në shumë shtete po ndodh aktualisht çmontimi i sundimit të ligjit dhe të lirive politike, gjë që me sa duket po trondit edhe demokraci dikur të qëndrueshme. Kjo del që nga Indeksi i ri i Transformimit Bertelsmann (BTI). Në të gjithë botën, ka shenja të një rënieje në standardet demokratike siç janë zgjedhjet e ndershme, liria e shtypit dhe ndarja e pushteteve në një shtet. Sipas studimit, qeveritë në Brazil, Indi dhe Hungari, ndër të tjera, po nxisin në mënyrë aktive dobësimin e demokracisë.
Efektet e pandemisë së Coronas kërcënojnë ta intensifikojnë këtë zhvillim. Autorët e studimit paralajmërojnë se këto pasoja mund të përdoret nga krerët e shteteve dhe qeverive në të gjithë botën për të konsoliduar strukturat autoritare. Si shembull, ata japin ligjet hungareze të emergjencës me një eleminim të përkohshëm të ndarjes së pushteteve. Lufta kundër COVID-19 nxit "tendencën drejt një ekzekutivi të fortë", thuhet në studimin e Fondacionit Bertelsmann. Mungesa e besimit të qytetarëve te qeveria dhe mungesa e udhëheqjes politike janë gjithashtu parakushte të këqija për menaxhimin e suksesshëm të krizave.
Vlerësimet për cilësinë e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe qeverisjes kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët që nga fillimi i studimit. Sipas studimit, 74 nga 137 vendet e hulumtuara janë aktualisht demokratike dhe 63 autokraci. Në këtë mënyrë përqindja e demokracive është 54 përqind - një rënie e vogël në pikë përqindjeje në krahasim me vitin 2010. Indeksi studion çështje të tilla si liria e shtypit dhe liria e shprehjes dhe rëndësia e sundimit të ligjit në vendet në zhvillim dhe në tranzicion çdo dy vjet që nga viti 2004.
Sigurimi i pushtetit dhe nepotizmi
Sipas studimit, ndarja e pushteteve është minuar në 60 vende në dekadën e kaluar, 58 shtete kanë kufizuar të drejtat e demonstrimit dhe lirinë e organizimit. Sipas studimit, liria e shprehjes dhe e shtypit madje shënuan rënie në gjysmën e të gjitha vendeve të ekzaminuara.
"Nacionalizmi dhe politika e klientelës nuk janë të reja, por ato janë bërë shoqërisht të pranueshme në të gjithë botën," thotë anëtarja e bordit të Bertelsmann Brigitte Mohn. "Edhe vende dikur pararojë demokratike, të cilët janë në mes të Evropës, si Polonia apo Hungaria, bëjnë pjesë sot në rastet problematike për sa i përket sundimit të ligjit dhe cilësisë së demokracisë."
Autorët përmendin sigurimin e pushtetit dhe nepotizmit si shkaqet kryesore për dobësimin në të gjithë botën të demokracisë, gjë që intensifikon pabarazinë ekonomike dhe kontribuon në përçarjen e shoqërisë. Cilësia e qeverisjes ka rënë ndjeshëm në 42 vende gjatë dhjetë viteve të fundit.
aud (afp, dpa, epd)