1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania: Brexiti pa marrëveshje 'i papërgjegjshëm'

5 Tetor 2020

Kanë mbetur pak ditë deri në afatin kur bisedimet e Brexitit duhet të arrijnë një përfundim. Kryenegociatori i BE për Brexit-in, Michel Barnier ishte në Berlin për t'u takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel.

https://p.dw.com/p/3jSZt
Deutschland | Brexit Verhandlungen | PK Michel Barnier und Heiko Maas
Fotografi: Tobias Schwarz/Getty Images

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryenegociatori i Bashkimit Evropian për Brexit-in, Michel Barnier u takuan të hënën në Berlin për të diskutuar negociatat tregtare midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Koha po mbaron, brenda së cilës Britania e Madhe dhe BE mund të arrijnë një marrëveshje.

Barnieri u takua edhe me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili tha se një Brexit pa marrëveshje do të ishte "i papërgjegjshëm", veçanërisht duke pasur parasysh ndikimet ekonomike dhe shëndetësore të pandemisë së koronavirusit.

"Me sfidat e sotme shëndetësore dhe ekonomike, njerëzit në të dy anët e kanalit kanë mjaft për të mbajtur në kurriz, kështu që do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme t'i ngarkosh ata në këtë pozicion me problemet shtesë përmes një mosmarrëveshjeje," tha Maas.

Maas theksoi se BE është ende i hapur për diskutime konstruktive me Britaninë e Madhe. "Dera jonë është ende e hapur për një partneritet të ngushtë me Britaninë e Madhe", tha ai.

Ministri i Jashtëm gjerman gjithashtu tha në Twitter se ndërsa koronavirusi i kishte bërë negociatat më të vështira "në çdo aspekt", ai e kishte bërë edhe arritjen e një marrëveshjeje më thelbësore.

Presidenca e Këshillit të BE është në duart e Gjermanisë kur po përfundon mundësia e një marrëveshjeje pas Brexitit. Dhe kjo finale po bëhet gjithnjë e më shumë një përparësi kryesore. 27 krerët e qeverive duhet të shqyrtojnë se ku mund të afrohen me Londrën pak më shumë se më parë - dhe ku duhet të lëvizin britanikët.

"Mandati i Barnierit nuk është një korse shumë e ngushtë. Sigurisht, kjo lejon një shkallë të caktuar të hapjes dhe fleksibilitetit," theksoi njeriu i Merkelit në BE në Bruksel, Michael Clauss.

15 tetori - shansi i fundit?

Deutschland | Brexit Verhandlungen | PK Michel Barnier und Heiko Maas
Fotografi: Tobias Schwarz/Getty Images

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se takimi i Këshillit Evropian në 15 tetor është shansi i fundit për të ratifikuar një marrëveshje midis BE dhe Britanisë së Madhe, duke e kthyer atë një afat efektiv për negociatat tregtare. BE tha se negociatat duhet të përfundojnë më e vonte deri më 31 tetor.

Britania e Madhe u largua nga institucionet politike të BE në 31 janar, por ka ndryshuar ende shumë pak nga mënyra se si ajo bën tregti me BE. Kjo për shkak se Britania e Madhe aktualisht ndodhet në një të ashtuquajtur periudhë tranzicioni, dhe ende shijon shumicën e përfitimeve të Tregut të Brendshëm dhe të Bashkimit Doganor. Kjo do të përfundojë në 31 dhjetor. Nëse nuk bihet dakord për asnjë marrëveshje deri atëherë, Britania e Madhe mund ta mbyllë periudhën e tranzicionit pa ndonjë marrëveshje tregtare me bllokun.

Takimi erdhi menjëherë pasi banka globale Goldman Sachs publikoi një raport të hënën në mëngjes duke parashikuar që një marrëveshje do të arrihej në fillim të nëntorit, megjithëse mbetet rreziku i një dështimi të negociatave.

"Pikëpamja jonë kryesore mbetet se një marrëveshje tregtare me tarifë zero / kuotë zero do të arrihet deri në fillim të nëntorit dhe më pas do të ratifikohet deri në fund të dhjetorit nga Britania e Madhe," thanë analistët e Goldman në një raport dërguar klientëve.

"Rreziku i një dështimi të negociatave nuk mund të përjashtohet," shtoi raporti. "Ne vazhdojmë të mendojmë se probabiliteti i perceptuar i një ndarjeje "pa marrëveshje" do të vazhdojë përtej takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian në mes të tetorit."

Boris Johnson dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen folën në një konferencë me video të shtunën për të diskutuar "gjendjen e lojës" të negociatave për Brexit-in, për të deklaruar më pas se mbeten"boshllëqe të konsiderueshme".

BE nisi veprime ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar javën e kaluar lidhur me planet britanike për të thyer ligjin ndërkombëtar dhe për të bërë hapa pas në një pjesë të marrëveshjes dypalëshe, për të cilën qe rënë dakord.