1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Dështimi i koalicionit qeveritar: Ç'ndodh më tej?

8 Nëntor 2024

Do të ketë zgjedhje të reja, por kur? Kancelari Olaf Scholz do që të drejtojë me qeverinë e pakicës të përbërë nga socialdemokratët dhe ekologjistët deri në janar 2025. Opozita në Bundestag kërkon zgjedhje sa më parë.

https://p.dw.com/p/4mmKg
Zëvendëskancelari Robert Habeck dhe kancelari Olaf Scholz të ulur në sallën plenare në Bundestag, Scholz me duart në ballë, Habeck i menduar
Zëvendëskancelari Robert Habeck dhe kancelari Olaf Scholz duan të vazhdojnë me qeverinë e pakicës deri në janar 2025Fotografi: Ann-Marie Utz/dpa/picture alliance

Çfarë mund të ndodhë dhe çfarë duhet të ndodhë? Kjo është pyetja që shtrohet pas dështimit të koalicionit të përbërë nga socialdemokratët, ekologjistët dhe liberal-demokratët. Një pyetje, së cilës kancelari Olaf Scholz (SPD) i përgjigjet krejt ndryshe nga opozita. Kjo kërkon të mos humbet kohë. Unioni konservator kristiandemokrat/socialdemokrat (CDU/CSU), që sipas sondazheve aktuale ka shanset më të mira për të qenë forca kryesore në zgjedhje, kërkon menjëherë zgjedhje të parakohshme.

Qysh të enjten në mëngjes (07.11.2024) u zhvillua takimi i kryesisë së partisë me grupin parlamentar me kryetarin e partisë Friedrich Merz. "Koalicioni tripartiak nuk ka më shumicën në Bundestag dhe në këtë mënyrë ne i kërkojmë kancelarit – këtë madje me një vendim unanim të grupit parlamentar të CDU/CSU-së – që tani menjëherë të paraqesë kërkesën për votëbesim në parlament më fillim të javës që vjen", deklaroi Merz.

Habeck, Scholz dhe Lindner duke ecur
Treshja e koalicionit u prishFotografi: Mike Schmidt/IMAGO

Kancelari Olaf Scholz nuk do që ta imponojnë

Çështja e votëbesimit, do të thotë, që kancelari vetë ta kërkojë atë. Normalisht ai ka shumicën në parlament. Por tani me dështimin e koalicionit ai ka mbështetjen vetëm të socialdemokratëve dhe të ekologjistëve, ndërsa deputetët liberal-demokratë nuk e mbështesin më. Nëse kancelari humbet votën e besimit, atëherë ligji themeltar e përcakton qartë procedurën e mëtejshme, që çon në zgjedhje të reja.

PorScholz ka planin e tij kohor, që e komunikoi të mërkurën në mbrëmje dhe ai do t'i përmbahet këtij plani. Ai dëshiron që më 15 janar 2025 të paraqesë kërkesën për votëbesim dhe deri atëherë të vazhdojë të drejtojë me qeveri pakice të përbërë nga socialdemokratët dhe ekologjistët. "Qeveria vazhdon punën e saj, kështu do të jetë në javët e muajt e ardhshëm dhe qytetaret dhe qytetarët do të kenë së shpejti mundësinë të vendosin sërish, se si të vazhdohet më tej", tha ai në një konferencë të këshillave të ndërmarrjes Telekom, ku mori pjesë sipas planifikimit të enjten në mëngjes.

Opozita në Bundestag mund ta rrëzojë kancelarin vetëm me shumicë

SPD dhe Të Gjelbërit duan që përpara zgjedhjeve të reja të kalojnë edhe disa ligje, ndaj u duhet kohë që të pozicionohen për zgjedhjet e reja. Në sondazhe të dyja këto parti kanë vlera shumë të dobëta, kjo qeveri madje vlerësohet si më e padëshiruara në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë. Këtë kohë ato vërtet mund t'ia krijojnë vetes, sepse askush nuk mund ta detyrojë kancelarin që të përballet me procesin e votëbesimit.

Ligji themeltar parashikon për opozitën mundësinë e një të ashtuquajture votë mosbesimi konstruktive. Por për këtë partive opozitare u duhet të krijojnë një mazhorancë të vetën e kjo do të ishte e mundur vetëm nëse CDU/CSU bashkohet me të gjitha partitë e tjera në parlament përpos socialdemokratëve dhe ekologjistëve – pra, edhe me partinë pjesërisht ekstremiste të djathtë AfD. Por unioni konservator nuk e konsideron një bashkëpunim me këtë parti.

Kryetari i partisë kristiandemokrate Friedrich Merz
Kryetari i CDU-së Friedrich Merz do të hyjë në garën elektorale si kandidat për kancelarFotografi: IMAGO/Political-Moments

"Zvarritje e falimentimit politik"

Friedrich Merz, që në zgjedhjet e ardhshme do të hyjë në garë si kandidat për kancelar i CDU/CSU-së nxiton. Ai thotë se shtyrja e zgjedhjeve të reja është vetëm "zvarritje e falimentimit politik". Të njëjtat tone përdor edhe kryeministri i Bavarisë, kristiansociali Markus Söder, i cili po ashtu ka thënë se për kalimin sa më shpejt në procesin e votëbesimit dhe zgjedhje të reja. "Scholz, Habeck dhe Lindner kanë dështuar totalisht", tha Söder në Mynih. Prishjen e koalicionit ai e cilësoi si "një simbol për rënien e Gjermanisë".

Kancelari si dhe zëvendëskancelari e njëkohësisht ministër i Ekonomisë, Robert Habeck duan që t'i përmbahen planit kohor. SPD dhe të Gjelbërit nuk janë një "koalicion i përkohshëm", por një qeveri e pakicës e kësisoj e aftë të veprojë edhe në nivel ndërkombëtar.