1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania në Këshillin e Sigurimit: Rritje përgjegjësie

Aida Cama
28 Dhjetor 2018

Më 1 janar Gjermania merr një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB, të cilin do ta mbajë për dy vitet e ardhshme, 2019 dhe 2020. Gjermania është financuesi i dytë më i madh i OKB-së.

https://p.dw.com/p/3AifL
UNO-Sicherheitsrat tagt im Hauptquartier der Vereinten Nationen
Fotografi: picture alliance/dpa/K. Nietfeld

Kjo është hera e shtatë që Gjermania merr një vend të përkohshëm në

KS, qëkur në vitin 1973 anëtarë të OKB-së u bënë në të njëjtën kohë si Gjermania Lindore (RDGJ) ashtu edhe Gjermania Perëndimore (RFGJ). Këshilli i Sigurimit ka pesë vende të përhershme anëtare, Kinën, Francën, Britaninë e Madhe, Rusinë dhe SHBA. Këtyre vendeve u shtohen çdo dy vjet dhjetë anëtarë të tjerë, sipas seleksionimit që bëhet për dy vende anëtare nga Afrika, Azia, Amerika Latine dhe vendet perëndimore, dhe një vend nga Europa Lindore.

Pikërëndesat e Gjermanisë

Që me zgjedhjen e bërë në muajin qershor, politika e jashtme e Gjermanisë ka bërë të ditur prioritetet e punës së saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit. Tre janë temat kryesore, paqja, drejtësia dhe ambienti. Për ministrin gjerman të Jashtëm, Heiko Maas, pikërëndesat e Gjermanisë do të jenë krizat në Jemen, Siri dhe Ukrainën lindore. Po ashtu Gjermania do të tregojë angazhim më të madh në rritjen e rolit të grave në paqe e siguri, mbrojtjen më të mirë për ndihmësit humanitarë dhe fillimin e një nisme të re në çështjet e çarmatimit dhe kontrollit të armëve.

Në një artikull për Friedrich Ebert Stiftung, Tibi Galis dhe Jack Mayerhofer shkruajnë se roli i Gjermanisë në KS duhet parë në "kthimin në realitet të parandalimit të mizorive masive”. "E lindur nga tragjedia e Shoas dhe me përvojën e abuzimeve të komunizmit... Republika Federale Gjermane është një nga anëtarët e pakta të OKB, strukturat e të cilës u zhvilluan për parandalimin e mizorive. Kjo histori tregon pse qeveria gjermane ka theksuar rëndësinë e parandalimit të krizave”. Kështu Gjermania mund të ndihmojë në ngritjen e mekanizmave të parandalimit të krizave në Amerikën Latine dhe Afrikën Lindore, duke përmirësuar kapacitetet e saj në nivel global.

Reformim të Këshillit të Sigurimit

Së bashku me vende të tjera, ndikimi i të cilave është rritur në botë, si India, Brazili, Japonia, Gjermania kërkon reformim të Këshillit të Sigurimit, si dhe marrjen e një vendi të përhershëm në të. Financiarisht, Gjermania është vendi i dytë suportues i OKB. Vitin e kaluar, më 2017, mbështetja financiare e Gjermanisë për OKB ishte 3,4 miliardë euro, në kontribut të detyruar dhe kontribut vullnetar. 3500 forca gjermane të sigurisë janë pjesë e misioneve paqeruajtëse të OKB në kriza të ndryshme të botës. 30 agjenci të Kombeve të Bashkuara ndodhen në Gjermani, kryesisht në qytetin e Bonit.