1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania drejt shndërrimit në fuqi të madhe ushtarake

4 Mars 2022

Kthesa historike në politikën e jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë është kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje nacionale. Opinioni publik në Gjermani e mbështet fuqimisht këtë shndërrim, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/481k3
Deutschland | Bundeswehr Übungsgelände in Münster
Fotografi: Sean Gallup/Getty Images

Pakgjë konkrete ta sugjeronte këtë kthesë historike të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë. Programi i koalicionit të ri qeveritar mban titullin "Të guxojmë më shumë përparim". Është fakt se ky program i dy partive të majta, me krahe pacifiste, dhe i një partie të djathtë nuk mbetet pas programit të qeverive konservatore të Merkelit, në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Por hapat e parë të qeverisë së re të kujtonin vazhdimin e politikës së deritashme. Qeveria e nënkuptonte pezullimin e gazsjellësit Nordstream 2, por pa e deklaruar. Dërgimi i armëve Ukrainës përjashtohej. Qëndrimi ndaj Rusisë shpjegohej me të kaluarën.

Kjo ishte situata kur ofensiva e Rusisë kundër Ukrainës solli një tronditje tektonike të parimeve bazë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë.

Java kur ndryshoi thuajse gjithçka

Kjo ishte situata kur të martën (22.02.) kancelari Olaf Scholz shpalli pezullimin e gazsjellësit Nordstream 2. Rusia kishte njohur republikat separatiste në Ukrainën Lindore. Katër ditë më vonë (26.02.) Gjermania vendosi t'i dërgojë armë Ukrainës. Rusia sapo kishte nisur ofensivën kundër Ukrainës. Dhe një ditë më vonë (27.02.) kancelari Scholz mblodhi parlamentin federal, Bundestagun, në një sesion të posaçëm, për shkak të situatës në Ukrainë. 

Kthesa historike në politikën e jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë është kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje në vete, shkruan Auron Dodi.
Kancelari Olaf Scholz në BundestagFotografi: /Bildgehege/imago images

Aty kancelari Scholz mbajti një fjalim historik. Me të ai shpalli riformulimin e elementëve të identitetit të politikës gjermane pas ribashkimit të Gjermanisë. Është një ndryshim historik i kursit të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë. Ky ndryshim do ta ripërcaktojë rolin e Gjermanisë në botë. Fjala e kancelarit Scholz përmbante pesë pika themelore. Nga mënyra e ndërtimit të fjalimit dhe nga atmosfera, jo pak njerëzve iu erdhi në mend fjalimi me dhjetë pika i kancelarit Helmut Kohl, me të cilin ai përcaktoi hapat për ribashkimin e Gjermanisë.

Elementët e kthesës

Nga pesë "detyrat për veprim" që rreshtoi kancelari Scholz në fjalën e tij, ndryshimet madhore prekin së pari politikën e sigurisë. Dhe së dyti politikën energjetike të Gjermanisë.

Në politikën e sigurisë mund të flitet për një ndryshim revolucionar. Kancelari Scholz deklaroi që Gjermania do ta trefishojë këtë vit buxhetin e mbrojtjes. 100 miliardë euro të tjera, fonde speciale, u shtohen 49,9 miliardë eurove, shpenzimeve ushtarake të planifikuara për këtë vit.

Por ndryshimi revolucionar konsiston, para së gjithash, në shpenzimet e ardhshme për mbrojtjen. Gjermania do të shpenzojë për mbrojtjen, që nga viti i ardhshëm, më shumë se 2 përqind të PBB. Pra do të shpenzojë më shumë se 75 miliardë euro në vit. Kjo do të thotë që Gjermania do të bëhet fuqia e tretë në botë për shpenzime ushtarake, pas SHBA dhe Kinës. Gjermania do të bëhet një fuqi e madhe ushtarake e Evropës. Jo vetëm këtë vit, por edhe prej vitit të ardhshëm Gjermania do të shpenzojë më shumë se çdo shtet tjetër evropian për mbrojtjen.

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner i tha ARD-së se "qëllimi ynë... është që gjatë kësaj dekade të kemi një nga ushtritë më efektive, më të fuqishme në Evropë". Do të fiksohet edhe në kushtetutën e Gjermanisë që fondet ushtarake të mos preken, të mos përdoren ndryshe, edhe po të ndryshohen qeveritë.

Numri i ushtarëve të Gjermanisë ende nuk është tematizuar. Deri 31 vjet më parë, Gjermania kishte 500.000 ushtarë. Sot numri i ushtarëve është 183.758. Për strukturën e ushtrisë Gjermania do të ruajë strukturën me ushtarë profesionistë dhe vullnetarë, të përgatitur për detyrat e kohës. Thirrjet për rifutjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kundërshtohen nga shumica e partive, të paktën për aq kohë sa nuk rrezikohet territori i Gjermanisë. Ringritja e strukturave për shërbimin e detyrueshëm ushtarak do të thithte fonde urgjentisht të nevojshme.

Avionët F-35 në bazën Spangdahlem në Gjermani. Kthesa në politikën gjermane është një kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje në vete, shkruan Auron Dodi.
Avionët F-35 në bazën Spangdahlem në GjermaniFotografi: US Air Force/dpa/picture alliance

Scholz: „Ndryshim epokash"

Vlen të kujtohet se ishte kërcënimi i Bashkimit Sovjetik për demokracitë e paqen, që e bëri Gjermaninë të riarmatosej pas Luftës së Dytë Botërore. Të riarmatosej vetëm pesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore.

Tani është kërcënimi rus për demokracitë e paqen, që Gjermania vendosi të bëhet fuqi e madhe ushtarake në botë.

Kancelari Scholz tha në fjalimin e tij se po përjetojmë "një ndryshim epokash". "Kjo do të thotë se bota më pas, nuk është e njëjta, si bota më parë". "Do të na duhet të investojmë shumë më tepër për sigurinë e vendit tonë."

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se "Gjermania lë pas sot një formë të veçantë dhe të vetmuar kufizimi në politikën e jashtme dhe të sigurisë”. "Kur bota ndryshon, duhet të ndryshojë edhe politika jonë”, tha ministrja e Jashtme gjermane.

Kthesë e Gjermanisë drejt Evropës, jo drejt vetes

Një investim kaq i madh ushtarak do të theksojë një rol të ri të Gjermanisë. Kancelari Scholz skicoi konturet e këtij roli. Me investimet masive ushtarake Gjermania jo vetëm do të bëhet shumë më e aftë për të mbrojtur veten. Scholzi deklaroi se Gjermania është e vendosur që me aftësitë e saj të mbështesë NATO-n, ta mbrojë aleancën.

Kjo vendosje koordinatash për kthesën politike nga kancelari gjerman është e rëndësishme. Kthesa madhore në politikën gjermane është një kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje nacionale në vete. Me rishikimin e parimeve bazë të politikës së jashtme dhe të sigurisë Gjermania u përgjigjet pritjeve të Evropës dhe të Perëndimit.

Në fjalën e tij kancelari Scholz theksoi veçanërisht synimin për një lidhje edhe më të fortë me Evropën, me Bashkimin Evropian. Scholzi tha në fjalim që në Gjermani të mos harrohet të pyetet, se çfarë është më e mira për Evropën, për BE, jo vetëm për Gjermaninë, në Bruksel.

Kthesa historike në politikën e jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë është kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje në vete. Opinioni publik në Gjermani e mbështet fuqimisht këtë shndërrim, shkruan Auron Dodi.
Kancelari Olaf ScholzFotografi: FABRIZIO BENSCH/REUTERS

Kancelari theksoi se aftësitë mbrojtëse, Gjermania do t'i zhvillojë bashkë me partnerët evropianë. Ai e quajti "prioritet absolut" ndërtimin e "brezit tjetër të avionëve dhe tankeve luftarake, bashkë me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Francën".

Deri në modernizimin dhe zhvillimin e avionëve të ardhshëm të përbashkët evropianë, për të transportuar armët bërthamore amerikane, që janë në Gjermani, Gjermania do të blejë avionë amerikanë F-35. Ata do të zëvendësojnë avionët aktualë Tornado të Gjermanisë. Kancelari u shpreh edhe për blerjen e dronave të armatosura, risi kjo në Gjermani.

Nga qarqe majtiste në Francë erdhën menjëherë paralajmërime, për rrezikun që paraqet "një riarmatim" i Gjermanisë. Por Gjermania është e ndërgjegjshme për nevojën që t'i qetësojë partnerët. Ata nuk kanë pse të frikësohen nga Gjermania e sotme, që po bëhet lidere edhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë, jo vetëm në politikën ekonomike.

Kthesa në politikën energjetike

Në të njëjtën frymë, në fjalën e tij kancelari Scholz përcaktoi objektivin e kapërcimit të varësisë së Gjermanisë nga importimi i energjisë "nga furnizues të veçantë”. Fjala është kryesisht për shkëputjen e varësisë energjetike të Gjermanisë nga Rusia.

Për këtë synim do të nxitet, edhe më fort, zgjerimi i energjive të ripërtëritshme. Por deri atëherë, tani po shqyrtohet kohëzgjatja e mbajtjes në punë të termocentraleve me qymyr. Njëkohësisht po shqyrtohet zgjatja e kohës së funksionimit të centraleve bërthamore në Gjermani. Bavaria madje po diskuton edhe rivënien në punë edhe të një centrali bërthamor të mbyllur. Po krijohet edhe një rezervë kombëtare për qymyr, duke blerë në tregun botëror qymyr. Do të ndërtohen me shpejtësi edhe dy terminale për të importuar gaz të lëngshëm.

Drona luftarake «Heron TP». Kthesa në politikën gjermane është një kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje në vete, shkruan Auron Dodi.
Drona luftarake «Heron TP»Fotografi: Abir Sultan/EPA/dpa/picture alliance

Kthesa në opinionin publik dhe te partitë

Kancelari Scholz shfrytëzoi kompetencat e tij për përcaktimin e drejtimeve të politikës dhe thjesht e shpalli kthesën politike.

Ky vendim i tij u mbështet nga të gjitha partitë e koalicionit qeveritar në Bundestagun gjerman, si dhe nga CDU/CSU. 

Socialdemokratët pranuan realitetin e ri në marrëdhëniet me Rusinë dhe fundin e përpjekjeve të afrimit me Putinin; të Gjelbrit pranuan nevojën edhe të hard power, fuqisë ushtarake për të mbrojtur Gjermaninë dhe Evropën; Liberalët e FDP-së pranuan nevojën e futjes në borxhe me fondet speciale për mbrojtjen.

Impresionuese është mbështetja e opinionit publik gjerman për kthesën në politikën e sigurisë dhe të jashtme të Gjermanisë. Sipas Institutit demoskopik Forsa, dërgimin e armëve Ukrainës dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake të Gjermanisë e mbështesin 78% e gjermanëve. Kujtojmë që jo më larg se viti 2010, ish-presidenti i Gjermanisë, Horst Köhler dha dorëheqjen pas kritikave për deklaratën se "një vend i madhësisë sonë...duhet të dijë edhe që në rast emergjent nevojitet edhe angazhim ushtarak, për të ruajtur interesat tona."

Kancelari Scholz e shfrytëzoi me aftësi edhe këtë ndryshim të opinionit publik për të prezantuar ndryshime madhore. Marshimet e paqes, me qindra mijëra pjesëmarrës në Gjermani, i japin atij të drejtë.

Auron Dodi