Gjermania do të shpëtojë paktin e migrimit me Turqinë
3 Tetor 2019Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer është i shqetësuar. Rritja e numrit të migrantëve në ishujt grekë është kthyer në temë edhe në Gjermani. "Viti 2015 nuk duhet të përsëritet", tha Horst Seehofer para udhëtimit në Turqi dhe Greqi. Seehofer shoqërohet në këtë udhëtim nga homologu francez, Christophe Castaner dhe komisioneri i BE për migrimin, Dimitris Avramopoulos.
Në kryeqytetin turk, Anakra në qendër janë bisedimet me ministrin e Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu dhe atë të Jashtëm, Mevlüt Cavusoglu. Partnerët nga Europa duan të dinë, se ku janë problemet në Turqi dhe pse po vijnë ilegalisht kaq shumë refugjatë në ishujt grekë. Sepse pikërisht hyrjen ilegalisht në BE duhej të pengonte pakti i migrimit i vitit 2016.
Rritet numri i refugjatëve në Greqi
Marrëveshja për refugjatët e vitit 2016 parashikonte që Greqia të kthente në Turqi refugjatët e ardhur në ishujt e Egjeut. Si kompensim, BE e siguroi Turqinë, se do të merrte mbështetje financiare për migrantët, si edhe do të pranonte deri në 72.000 refugjatë nga Turqia në vendet e BE. Kjo marrëveshje çoi në uljen e ndjeshme të numrit të refugjatëve në ishujt grekë.
Por që kur Turqia e ka rritur kontrollin ndaj migrantëve pa dokumente, gjithnjë e më shumë refugjatë nisen sërish përmes itinerarit të rrezikshëm përmes Egjeut. Nëse në prill 2019 në ishujt grekë ndodheshin rreth 14.000 refugjatë e migrantë, tani kjo shifër është rritur në 30.000 vetë. Presidenti Erdogan, disa herë e ka kërcënuar Europën, se do të hapë portat, nëse vendi i tij nuk merr mbështetje financiare.
Turqia: Nuk vjen mbështetja nga BE
Turqia ka shpenzuar më shumë se 40 miliardë dollarë për refugjatët, ka thënë Erdogan. Dhe fondet në BE nuk vijnë, siç ishte planifikuar. Nga partnerët turq, Seehofer kërkon të dijë, se ku qëndrojnë problemet me bashkëpunimin. "Marrëveshja me Turqinë dhe BE-në parashikon edhe detyrime të BE-së, jo vetëm të Turqisë. Dhe ato duket se nuk janë realizuar deri më sot, si e ka pritur Turqia" , tha së fundmi Seehofer. "Për këtë duhet të kujdesemi tani."
Me BE në kuadër të paktit të refugjatëve është rënë dakord, që të transferohen dy këste nga 3 miliardë euro në vitet 2016-2019 për kushtet e jetesës së refugjatëve sirianë në Turqi. Qeveria turke ankohet, se është paguar realisht shumë më pak para. Punonjës të BE në Turqi e kundërshtojnë këtë. Ata thonë, se duhet t'ua bëjnë të qartë gjithnjë funksionarëve turq, se fondet nuk vijnë si shtojcë për buxhetin turk, por rrjedhin në projekte të caktuara, sipas kontratës.
Erdogan do më shumë para
Në pagesën e këstit të dytë të programit të mbështetjes duket se Turqia ka luftuar për të siguruar disa avantazhe. Sipas hulumtimeve të gazetës "Handelsblatt", BE ka ndryshuar modalitetet për shpërndarjen e parave. Sipas raportimit, në të ardhmen disa qindra milionë euro do të kalojnë drejtpërdrejt në ministritë turke, të cilat përgatisin mësues apo punonjës socialë. Qeveria turke nuk kërkon vetëm dërgimin më të shpejtë të parave, por edhe mjete shtesë për shembull për programin e ri të refugjatëve - zhvendosjen e miliona sirianëve në një zonë të sigurisë në Sirinë Veriore. Menjëherë para vizitës së delegacionit nga Gjermania, Franca e BE, presidenti turk i konkretizoi planet e tij. Dy milionë vetë do të duhet të zhvendosen atje, tha ai. "Me ndihmë ndërkombëtare", do duhet të ngrihen 140 fshatra të rinj në Sirinë Veriore.
Të premten ministri gjerman Seehofer shkon në Athinë. Në bisedimet aty, Seehofer kërkon të shohë mundësitë si të ofrojë ndihmë gjermane për të përshpejtuar trajtimin e kërkesave të azilit. Sepse kështu mund të kthehen më shumë migrantë në kuadër të paktit me Turqinë. Deri tani numri i të kthyerve arrin në 2000 raste. Para vizitës së Seehoferit në Turqi, shumë organizata humanitare kanë kërkuar nga qeveria gjermane që minorenët e pashoqëruar të merren menjëherë dhe të bëhet bashkimi familjar në kuadër të rregullores së Dublinit. Situata në ishujt grekë është një "rrezik gjithnjë e më i madh për fëmijët dhe të rinjtë", thuhet në një letër drejtuar kancelares gjermane, Merkel dhe minstrit Seehofer nga organizata "Pro Asyl", "Terre des Hommes", organizata gjermane e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe "Diakonie".
la/ww/AR(afp, dpa)