Gjermania do të ndihmojë refugjatët
9 Mars 2020
Gjermania do të pranojë një "pjesë proporcionale" deri në 1.500 fëmijë veçanërisht në nevojë, të cilët kanë ngecur si refugjatë në kampet e mbipopulluara greke. Për këtë ranë dakord nga anëtarët e komisionit të koalicionit, d.m.th. drejtuesit e partive në pushtet CDU, CSU dhe SPD, si dhe personalitete kryesore të qeverisë dhe landeve federale. Qeveria gjermane është fokusuar te një "koalicion i të vullnetshmëve", të cilin po përpiqet ta krijojë aktualisht në nivel evropian. Së bashku me shtete të tjera të BE, të cilët janë treguar vullnetarisht të gatshëm për këtë, Gjermania dëshiron të organizojë pranimin e këtyre fëmijëve. Disa ditë më parë, një hap që shkonte edhe më tej i opozitës së Të Gjelbërve dështoi në Bundestag.
Kë ndihmon Gjermania
Në vendim flitet për rreth një mijë deri 1.500 të mitur në kampet e mbingarkuara pa shpresë të Ishujve të Egjeut. Fjala është për fëmijë të pashoqëruar nën moshën 14 vjeç dhe për të mitur më të mëdhenj në moshë, të cilët kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore për shkak të sëmundjeve serioze. Shumica e tyre janë vajza, thuhet në vendimin e komisionit të koalicionit.
Veç kësaj, Komisioni e siguron Greqinë për "mbështetjen dhe solidaritetin" e Gjermanisë për furnizimin e refugjatëve që vijnë dhe për mbrojtjen e kufirit të jashtëm të BE. Që kur Turqia e anuloi faktikisht pjesën e saj të Marrëveshjes së refugjatëve me BE-në dhe solli në rajonin kufitar njerëz, në kufirin tokësor turko-grek, por edhe në ishujt grekë të Egjeut para brigjeve të Turqisë po zhvillohen skena dramatike. Forcat greke të sigurisë përdorin vazhdimisht gaz lotsjellës dhe herë pas here madje edhe municion luftarak për të parandaluar kalimin në anën greke të refugjatëve dhe migrantëve. Ndihmës të refugjatëve kritikojnë prej kohësh situatën shpërthyese humanitare, veçanërisht në ishujt grekë.
Erdogani shkon në Bruksel
Në Marrëveshjen e Refugjatëve, të lidhur në vitin 2016, Turqia mori përsipër të parandalojë që refugjatët që udhëtojnë drejt Evropës të vazhdojnë udhëtimin e tyre dhe t'i pranojnë ata duke respektuar dinjitetin e tyre - me shpenzime të BE. Turqia ka kohë që e akuzon Brukselin se nuk i ka mbajtur premtimet e tij. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sipas planit zhvillon sot në Bruksel bisedime me Presidentin e Këshillit të BE Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen. Përveç temës së refugjatëve, bisedimet do të fokusohen edhe në situatën në provincën veriore siriane të Idlibit, në të cilën ushtarët turq përballen me trupat e pushtetmbajtësit Bashar al-Asad në një konflikt ushtarak. Për shkak të përshkallëzimit të situatës në Idlib, së fundmi prej andej janë larguar qindra mijëra vetë.
ehl / pg (dpa, afp)