Gjermania do t'i ofrojë Ukrainës armë moderne kundërajrore
1 Qershor 2022Gjermania do t'i japë Ukrainës sistemin mbrojtës ajror më modern që ka. Me këtë Ukraina do të jetë në gjendje "të mbrojë një qytet të tërë të madh nga sulmet ajore", tha kancelari, Olaf Scholz në Bundestag të mërkurën, (01.06). Përveç kësaj Ukraina do të marrë edhe një radar identifikimi për të zbuluar tanke, artileri, raketa armiqësore. Me këto njoftime Scholz u mbrojt në Bundestag kundër akuzës, se po reagon me hezitim, me vonesë dhe se është në pritje pa zbatuar vendimin e parlamentit për t'i dërguar armë të rënda Ukrainës.
Akuzat nuk qëndrojnë, tha Scholz, i cili në fjalimin energjik gjysmëorësh para Bundestagut bëri një listë të asaj që Gjermania ka ofruar deri tani. Ndër të tjera armë antitank, raketa mbrojtëse ajrore, më shumë se 15 milionë municion, 100.000 granata dore, më shumë se 5000 mina antitank, si edhe shumë lëndë shpërthyese, dhe mjaft kamionë me materiale ushtarake.
Ushtarët ukrainas "gati para përfundimit të trajnimit"
Për 50 tanket kundërajrore të tipit "Gepard" qëndron në dispozicion municion për 1200 veprime ushtarake. Kurse për tanket "Marder" është vendosur këmbimi unazë. Edhe me Greqinë ka marrëveshje përkatëse. Së bashku me Danimarkën janë dorëzuar 54 transportues të blinduar trupash, dhe përmes një këmbimi të parë unazë me Çekinë, Ukraina merr 20 tanke luftarake të tipit sovjetik T-72, që mund të përdoren nga ushtarët. Edhe me Greqinë është rënë në ujdi që ky vend të ofrojë tanke mbrojtëse, dhe Gjermania do të mbushë rezervat greke.
Gjermania së bashku me Holandën në javët e ardhshme do të dorëzojë 12 makineri të blinduar artilerie dhe artileri moderne me një rreze 40 km. Brenda pak ditësh merr fund edhe trajnimi i ushtarëve ukrainas në Gjermani. Përtej kësaj Bundeswehri ka marrë me avionë edhe 168 ushtarë të plagosur ukrainas për t'i trajtuar në Gjermani. Qeveria gjermane ka marrë madje një "vendim të guximshëm" duke thyer traditën e mosdërgimit të armëve në zona luftimesh, tha Scholz, dhe bëri të ditur, se Gjermania do të mbështesë në koordinim me SHBA furnizimin e Ukrainës me artileri moderne raketore. Scholz theksoi, se është i mendimit si presidenti Biden, se Ukraina me këto armë në asnjë rast nuk duhet të sulmojë territorin rus.
"Zemërim" për rolin e Gjermanisë
Kancelari gjerman i përmendi dërgesat e armëve në kuadër të javës së debatit për buxhetin gjerman. Pesë ditë me radhë parlamenti diskuton për buxhetin vjetor, dhe e mërkura tradicionalisht është dita e debatit të përgjithshëm, ku e marrin fjalët kreu i qeverisë dhe krerët e grupeve parlamentare. Më parë Friedrich Merz, kreu i grupit parlamentar në opozitë, CDU/CSU e kritikoi Scholz, se nuk po e mbështet sa duhet Ukrainën. Nëse dëgjon se ç' thuhet në BE, atëhere gjen vetëm zhgënjim dhe "zemërim të vërtetë" për rolin e Gjermanisë. "Në kohët e fundit ju flisni më shumë se më parë, por si edhe më parë nuk thoni asgjë", iu drejtua Merz kancelarit. Scholz formulon, se Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë, në vend që të thotë "Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë".
Scholz mbrohet
Në parlament Merz u shpreh me zemërim, se kancelari telefonon me presidentin Putin, por nuk gjen asnjë orar për bisedime me presidentin e parlamentit ukrainas, që vjen këtë javë në Berlin. Kancelari e ndoqi fjalimin e kreut të opozitës pa asnjë reagim, por kur doli në foltoren e parlamentit, ishte shumë më ofensiv dhe energjik se më parë. Në vend të lexonte fjalimin e përgatitur, kancelari u mbrojt me vendosmëri. Më thoni ju armë të tjera të rënda që nuk janë "Marder" apo "Haubitzen", iu drejtua kancelari kreut të opozitës Friedrich Merz. "Çfarë thoni ju, janë fjalë të lëshuara kot në ajër."