1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dhe Kazakistani forcojnë partneritetin

Christian Trippe
20 Qershor 2023

Gjermania dhe Kazakistani do të bashkëpunojnë më ngushtë, veçanërisht në nivelin ekonomik. Gjatë vizitës së presidentit gjerman Steinmeier flitet edhe për gjeopolitikën dhe luftën në Ukrainë. Këtu shfaqen dallime.

https://p.dw.com/p/4SqPC
Kasachstan | Bundespräsident Steinmeier besucht Astana
Fotografi: Jens Büttner/dpa/picture alliance

Gjermania dhe Kazakistani e shohin njëri-tjetrin si "partnerët me rëndësi kyçe" në rajonet e tyre përkatëse. Pikërisht me këtë koncept e karakterizuan të dy presidentët Frank-Walter Steinmeier dhe homologu i tij kazak Kassym-Schomart Tokajev bashkëpunimin e tyre. Vëllimi i tregtisë arrin në afro nëntë miliardë euro, 85 për qind e tregtisë së jashtme gjermane në Azinë Qendrore bëhet me kompani kazake. Në takimin e të delegacioneve, në fjalën e tij hyrëse presidenti gjerman vlerësoi ecurinë e reformave në Kazakistan nën presidentin Tokajev. Steinmeier-i përmendi veçanërisht heqjen e dënimit me vdekje, futjen e një juridiksioni kushtetues dhe luftën kundër korrupsionit.

Gjermania dhe Kazakistani u afruan politikisht pas fillimit të luftës në Ukrainë. Duke iu referuar vlerave të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Kazakistani premtoi të mbështesë sanksionet e BE kundër Rusisë, në drejtim të ndalimit të importimit të mallrave të ndaluara në territorin e tij.

Shqetësimi për Rusinë në Kazakistan

Në praktikë, kjo rezulton të jetë e vështirë, veçanërisht për të ashtuquajturat mallra me përdorim të dyfishtë, domethënë mallra të cilat sigurisht janë prodhuar për qëllime civile, por që mund të përdoren edhe për qëllime ushtarake.

Kazakistani është i lidhur ngushtë me Rusinë në aspektin tregtar, brenda Bashkimit Ekonomik Euroaziatik. Kësaj i shtohet edhe fakti se Kazakistani ka një kufi që kontrollohet me vështirësi me Rusinë: me më shumë se 7000 kilometra ai është kufiri tokësor më i gjatë në botë. Megjithatë, autoritetet kufitare të Kazakistanit dhe agjencitë e BE në të ardhmen pritet të punojnë në raste konkrete individuale, në mënyrë që të gjurmojnë autorët e dyshuar të shkeljeve të sanksioneve.

Harta infografike e Kazakistanit me Astanan
Harta infografike e Kazakistanit me Astanan

Kazakistani konsiderohet vendi më i fuqishëm në Azinë Qendrore

Lufta në Ukrainë kishte ngjallur frikë masive në Kazakistan se Rusia po i shtrinte ambiciet e saj perandorake në Azinë Qendrore. Kjo frikë është përforcuar nga propaganda agresive ruse.

Kazakistani është i lidhur me Rusinë me një numër të madh marrëveshjesh. Për rrjedhojë, situata aktuale gjeopolitike u imponon liderëve kazakë një akt të përhershëm balancues. Presidenti Tokajev dëshiron që Rusia të mbetet një "mik i mirë" - dhe ai kërkon të mbështesë të gjitha përpjekjet për paqen në Ukrainë; kohët e fundit, një grup vendesh afrikane dhe Kina kanë nisur iniciativa paqeje. Ata kanë hasur në përgjigje të përzier nga mbështetësit perëndimorë të Ukrainës.

Perspektiva e hidrogjenit të gjelbër

Tokajev deklaroi se edhe një "paqe e keqe" ishte më e preferueshme, sesa vazhdimi i luftës; ai shpreson se një armëpushim mund të hapë rrugën për negociata. Nga ana tjetër, Steinmeieri foli për një "paqe të drejtë" për Ukrainën, e cila nuk do të legjitimonte "vjedhjen e tokës" nga rusët. Thekse të ndryshme, një qëllim i përbashkët.

Në prani të dy krerëve të shteteve, u nënshkruan një sërë marrëveshjesh kuadër për projektet ekonomike, veçanërisht në sektorin e transportit dhe energjisë. Me këtë rast u bë e ditur se kompania kombëtare e naftës kazake do të rrisë me dhjetë për qind dërgesat në rafinerinë gjermane PCK në Schwedt në Oder. Kontrata është e vlefshme deri në fund të vitit 2024. PCK në Schwedt në landin e Brandenburgut nuk mund të përpunojë më naftë ruse, për shkak të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë; dërgesat nga Kazakistani e kompensojnë pjesërisht këtë situatë.

Në Astana, Steinmeier-i e përshkroi marrëveshjen që sapo është lidhur me Kazakistanin si "lajm të mirë për sigurinë energjetike të Gjermanisë". Të mërkurën, Steinmeier-i do të largohet nga Astana për në Aktau në Detin Kaspik, ku do të vendoset guri i themelit të një instituti inxhinierik gjermano-kazak dhe ku do të ngrihet kantieri për një fabrikë të ardhshme të prodhimit të hidrogjenit.