1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një në tre nuk e përfundon shkollën

24 Shkurt 2021

A kanë të gjithë shance të barabarta për shkollim nëGjermani? Një studimi i RomnoKher tregon se megjithë përparimet dhe gatishmërinë të lartë për t'u arsimuar sintit dhe romët ende diskriminohen.

https://p.dw.com/p/3poHI
Deutschland Symbolbild Bildung Sinti und Roma
Fotografi: Uwe Anspach/dpa/picture alliance

"Një popull që përbëhet vetëm nga hajdutë, muzikantë, fallxhorë dhe lypës" - ky është përfytyrimi që ekziston në Gjermani për rreth 6,3 milionë sintit dhe romët që jetojnë në BE.

"Ti je një hiç, nuk di të bësh asgjë" - të tilla fjalë dëgjojnë shpesh nxënësit e komunitetit të sinti dhe romëve në Gjermani, thotë Sebastijan Kurtisi për DW. Ai është një ndër 614 të intervistuarit për një studim të zhvilluar nga shoqata RomnoKher lidhur me mundësitë e pjesëtarëve të këtij komuniteti për t'u shkolluar dhe për t'u punësuar në Gjermani.

Autorët e studimit tregojnë se në Gjermani ka mjaft racizëm, anticiganizëm dhe diskriminim: 40 përqind e të intervistuarve thanë se fëmijët e tyre janë diskriminuar si nga mësuesit dhe nga shokët e klasës. Dy të tretat e gjithë të anketuarve ndjehen të diskriminuar sepse i përkasin një pakice, përfshirë këtu edhe sistemin arsimor. Megjithatë aty ku mësuesit kujdesen për fëmijët e pakicave, ata arrijnë në përgjithësi rezultate të larta shkollore.

Me diskriminim përballen si fëmijët sinti dhe romë nga familjet që kanë ardhur si emigrantë në Gjermani, edhe ata që janë sinti dhe romë gjermanë. Maja Schuecker-Weiss tregon për DW për nënën e një nxënësi, e cila kur mori në telefon për të regjistruar fëmijën në shkollë e trajtuan normalisht për shkak të emrit të saj gjerman, por kur ajo dhe i shoqi u paraqitën në shkollë mësuesit filluan t'u bëjnë pyetje të çuditshme për shkak "të ngjyrës së errët të flokëve dhe të lëkurës" dhe papritmas e caktuan djalin e tyre që të shkonte në një klasë me mësim plotësues edhe pse ai ishte me nota të mira. Një gjë të tillë ajo e dëgjon shpesh, thotë aja Schuecker-Weiss, që punon si punonjëse sociale.

"Dallim i frikshëm" kundrejt popullsisë në përgjithësi

Të gjithë fëmijët e pakicës sinti dhe roma ndjekin tani shkollën fillore në Gjermani, por nga studimi bëhet gjithashtu e qartë se një pjesë e madhe e tyre - një në tre - nuk arrijnë ta mbarojnë shkollën fillore dhe nuk kanë mundësi as të mësojnë ndonjë profesion. Prandaj shumë syresh gjejnë punë të paguara keq.

Por edhe ata që arrijë të fillojnë një shkollim profesional, rreth 50% nuk arrijnë ta mbarojnë. Ndërkohë që kjo shifër për pjesën tjetër të popullsisë është vetëm 5%.

Dallimet fillojnë që në kopshtet fëmijëve, sepse në to ka shumë pak fëmijë që u përkasin pakicave, vazhdojnë në shkollë dhe reflektohen edhe në numrin e pakët të  sinti dhe romëve që mbarojnë universitetin ose shkollën e lartë. Kështu nga 15% e të rinjve që arrijnë të mbarojnë maturën, vetëm 4% e tyre mbarojnë studimet e larta. Një arsye mund të jetë që familjet shpesh nuk janë në gjendje t'i mbështesin fëmijët në mënyrë të mjaftueshme për të kryer studimet dhe se ata nuk gjejnë mundësi për bursa ose forma të tjera mbështetjeje financiare.