1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Shitjet e birrës pa alkool janë dyfishuar

31 Korrik 2024

Sipas një raporti të ri, prodhimi i birrave joalkoolike në Gjermani ka lulëzuar gjatë dhjetë viteve të fundit. Pijet me pak alkool, si Radlers, po shohin gjithashtu rritje në shitje.

https://p.dw.com/p/4ivDW
Birra pa alkool
Birra pa alkoolFotografi: Tobias Schwarz/AFP/Getty Images

Shumica e birrave të preferuara të Gjermanisë tani janë në dispozicion pa alkool.

Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë, Destatis, publikoi një raport të ri të martën duke theksuar se konsumatorët e vendit po u drejtohen gjithnjë e më shumë varieteteve joalkoolike për birrën që pijnë pas punës ose në fundjavë.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, prodhimi i birrës pa alkool është dyfishuar në Gjermani. Në vitin 2023, kjo përfaqësonte rreth 556 milionë litra dhe 548 milionë euro xhiro.

Statistikat e reja u publikuan për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Birrës, e cila mbahet më 2 gusht.

Destatis gjithashtu vë në dukje se prodhimi i pijeve me pak alkool, si Radler, një përzierje birre me limonadë, është rritur gjithashtu, nga 328 milion litra në vitin 2013 në 363 milion litra në vitin 2023.

Birre pa alkool
Birre pa alkoolFotografi: Dreamstime/IMAGO

Megjithatë, raporti saktëson se në Gjermani prodhimi i birrës me alkool mbetet shumë më i lartë se ai i birrës pa alkool. Në krahasim me fqinjët evropianë, Gjermania konsiderohet më tej ende një vend "i konsumit të lartë" për sa i përket konsumimit të alkoolit. Konsumi mesatar vjetor i alkoolit të pastër në Gjermani është 10 litra për person. 8 milionë njerëz në Gjermani konsiderohen se konsumojnë një sasi të rrezikshme alkooli dhe nga 1.6 deri në 1.8 milionë vetë konsiderohen alkoolistë.

Çmimet e birrës po rriten dukshëm

Kjo nuk do të thotë se gjithçka është në rregull për rreth 1500 fabrikat gjermane të birrës, të cilat vazhdojnë të ndjejnë efektet e inflacionit. Sipas kompanisë analitike të të dhënave Statista, çmimi mesatar i birrës është rritur në mënyrë maksimale midis viteve 2022 dhe 2023, me një rritje historike prej 11.6%.

Prodhuesit e birrës ia atribuuan rritjen e kostove rritjes së çmimeve të lëndëve të para dhe transportit.

aud (es/dpa, Reuters)