1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Seancë e posaçme parlamentare për Ukrainën

27 Shkurt 2022

Në deklaratën e tij qeveritare për luftën në Ukrainë kancelari gjerman përdori fjalë të qarta. Planet e tij për riarmatimin masiv të Gjermanisë shkaktuan emocione të forta në Bundestag.

https://p.dw.com/p/47fgn
Berlin | Sondersitzung des Bundstags zur Krise in der Ukraine - Olaf Scholz
Fotografi: FABRIZIO BENSCH/REUTERS

Në fjalimin e tij gjatë seancës së posaçme të Bundestagut për Ukrainën (27.02) kancelari Scholz përcaktoi pesë mandate veprimi të cilat, siç tha ai rezultojnë në mënyrë të pashmangshme për shkak "të pikës së kthesës në historinë e kontinentit tonë". Këto fusha veprimi do të jenë: mbështetja e Ukrainës; largimi i presidentit rus Putin nga kursi i tij i luftës; parandalimi i përhapjes së "luftës së Putinit" në vende të tjera; kundërvënia ndaj kërcënimit që vjen nga Putini si dhe një riorientim themelor në politikën e jashtme.

Modernizim gjithëpërfshirës i ushtrisë

Për t’iu "kundërvënë kërcënimit nga Putini" kancelari socialdemokrat Olaf Scholz njoftoi modernizimin gjithëpërfshirës të Bundeswehr-it. Së bashku me ministrin e Financave Christian Lindner (FDP) ai do të ofrojë për këtë një fond special prej 100 miliardë eurosh.

Berlin | Sondersitzung zur Krise in der Ukraine
Seancë e posaçme e Bundestagut për Ukrainën (27.02)Fotografi: Michael Sohn/AP/picture alliance

Për krahasim: deri tani në buxhetin federal gjerman parashikohen rreth 50 miliardë euro në vit për buxhetin për mbrojtjen. Përveç kësaj çdo vit për mbrojtjen do të investohen më shumë se dy përqind e prodhimit të brendshëm bruto. Ishte momenti në fjalën e tij kur të gjithë deputetët nuk donin të ndiqnin më argumentet e tij me zë të lartë.

Largim nga varësia prej naftës dhe gazit nga Rusia

Përveç një ushtrie efikase dhe ultra-moderne, kreu i qeverisë gjermane beson gjithashtu se një ndryshim drejtimi në politikën e energjisë është një nga masat më të përshtatshme për t’i treguar vendin Putinit. Përveç zgjerimit të energjive të rinovueshme që tashmë është vendosur, kancelari Scholz njoftoi gjithashtu krijimin e një rezerve shtetërore për qymyrin dhe gazin, si dhe hapjen dy terminaleve të reja detare që mundësojnë në afat të shkurtër importimin e më shumë gazi të lëngshëm në Gjermani, edhe në afat të mesëm importimin e “hidrogjenit të gjelbër”.

Mesazh qytetarëve të Rusisë

Në deklaratën e tij qeveritare kancelari gjithashtu iu drejtua drejtpërdrejt edhe popullit të Rusisë, i cili me guxim iu kundërvu aparatit të pushtetit të Putinit dhe hodhi poshtë luftën e tij kundër Ukrainës. Protesta kundër sundimtarit të Kremlinit kërkon "guxim të madh dhe trimëri të vërtetë". Këta njerëz "pranuan arrestimin dhe dënimin", tha Scholz-i. "Ne e dimë që jeni shumë. Unë u them të gjithëve: Mos u dorëzoni!" Liria, toleranca dhe të drejtat e njeriut do të mbizotëronin gjithashtu në Rusi.

Berlin | Sondersitzung zur Krise in der Ukraine
Deputetët gjermanë përshëndesin me duartrokitje disaminutëshe ambasadorin e Ukrainës në Berlin Andriy MelnykFotografi: Michael Sohn/AP/picture alliance

Fakti që Bundestagu u mblodh për një seancë speciale të dielën shënon rëndësinë historike të këtij debati, i cili u ndoq nga galeria e të ftuarve edhe nga ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk. Deputetët e pritën atë me duartrokitje që zgjatën për disa minuta.