1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Rritet kërkesa dhe çmimi për lëndën e drurit

30 Maj 2021

Kriza e koronavirusit ka goditur shumë sektorë të ekonomisë gjermane, por jo industrinë e lëndës së drurit. Çmimet për produktet e drurit janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Por pse?

https://p.dw.com/p/3uAbv
Symbolbild Gestapelte Holzstämme im Wald
Fotografi: picture-alliance/Arne Pastoor/STOCK4B/VisualEyze

Andreas Melzer menaxhon një stabiliment druri në Rüdersdorf, jo larg Berlinit. Fakti që shumë njerëz kanë punuar nga shtëpitë e tyre gjatë pandemisë, bën që blloqet e tij të porosive të jenë të mbushura plot e përlot.

Kur e pyet për raportime mediatike të kohëve të fundit, se ka një boshllëk të madh mungese druri në treg, sipërmarrësi këmbëngul se nuk i është dashur në asnjë moment të shqetësohet për furnizimin me lëndë të parë. "Në Gjermani nuk ka pasur asnjëherë më parë kaq sasi të mëdha druri të papërpunuar”, thotë ai.

Një argument i fortë që i vjen në ndihmë pretendimeve të Melzer janë të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave në Gjermani, Destatis. Ato konfirmojnë një rekord kombëtar për vitin 2020, për nivele që s'kanë qenë kaq të larta që nga bashkimi i Gjermanisë në vitin 1990. 

Një rritje e tillë e prerjeve drusore është pjesërisht për shkak të rritjes së kërkesës në tregjet kryesore. Gjysma e këtyre prerjeve vjen si pasojë e dëmtimit nga efektet e ndryshimeve klimatike.

"Shtrirja e madhe e prerjeve përgjatë vitit të kaluar i atribuohet dëmtimit të pemëve nga stuhitë ose insektet” – i tha DW Holger Weimar, nga Instituti i Pylltarisë Ndërkombëtare Thünen në Hamburg.

E gjithë sasia për tregun vendas?

Pra, ku shkon e gjithë kjo lëndë drusore? Për momentin, nuk shkon askund. Stoqe gjigante druri grumbullohen në pyjet e të gjithë vendit, në pritje për t'u përpunuar në stabilimente. Këto të fundit nuk kanë pasur asnjë moment të lirë në muajt e fundit, duke u përpjekur për të përballuar fluksin e shtuar të punës.

"Sektori i fabrikave të përpunimit të drurit po punon kohët e fundit me kapacitet të plotë. Ata mezi përballojnë fluksin e punës. Por kjo është më tepër një angari teknike, sepse nuk ka shumë stabilimente në treg, dhe gjithashtu ka mungesa të krahut të punës” – thekson Weimar.

Deutschland Waldschaden
Fotografi: Jochen Tack/dpa/picture alliance

Mungesë lënde drusore?

Në gjithë këtë situatë, shumë blerës gjermanë dhe të fundmit përdorues të produkteve të drurit druhen se së shpejti s'do të ngelet asnjë në tregun vendas. Raportimet mediatike për mungesat e lëndës drusore nuk mungojnë.

"Disa sipërmarrës po grumbullojnë lëndë drusore përtej nevojave të tregut, duke spekuluar për rritje të mëtejshme të çmimeve, duke bërë në këtë mënyrë që druri të mos jetë i disponueshëm për të tjerët” – thotë Carsten Merforth, drejtor i "Mercer Timber Products”, kompani e specializuar në përpunimin e drurit. 

Raport i drejtë kërkesë – ofertë?

Sipas drejtuesit Merforth do të ishte e pasaktë të flitet për një mungesë të përgjithshme të produkteve të lëndës drusore. Kërkesa e brendshme është rritur, pajtohet ai, por po kështu edhe furnizimi nga stabilimentet.

"Në vitin 2020, industria gjermane e përpunimit të drurit eksportoi vetëm 600,000 metra kub lëndë druri më shumë në SHBA. Kjo është pothuajse e papërfillshme," vuri në dukje Merforth, duke shtuar se “SHBA merr ende pjesën më të madhe të importeve të saj nga Kanadaja dhe vetëm 4 -5% nga Gjermania”. 

Kohët e vështira nuk harrohen

"Kishte një periudhë prej 15 vitesh, gjatë së cilës çmimet e drurit të përpunuar ishin ekstremisht të ulëta dhe askush në atë kohë nuk u shqetësua të na mbështeste”, shprehet Merforth, duke nënvizuar se kompania e tij ka investuar shumë për përmirësimin e produktivitetit dhe efikasitetit gjatë kësaj kohe.

"Prej gjashtë muajsh tashmë, çmimet më në fund janë rritur dhe ca njerëz po bëjnë zhurmë për këtë” – ankohet Merforth. Ai shton se “gjithsesi, çmimet nuk do të mbeten të larta për shumë kohë”.