Pse populistët e djathtë janë të fuqishëm në Lindje?
30 Gusht 2019Pa lëvizjen qytetare të ish-RDGJ-së Gjermania sot do të ishte ndryshe. Dhjetëra mijëra aktivistë dhanë para 30 vjetësh, kontributin e tyre për rrëzimin e Murit të Berlinit, që Gjermania e ndarë prej dekadash të bashkohej. Njerëzit që dolën në rrugë në Lindjen gjermane kërkuan liri dhe të drejtat e njeriut. Tani para zgjedhjeve në tre lande gjermane, sloganet e lëvizjes qytetare përdoren nga pala tjetër, nga populistët. Në Saksoni e në Brandenburg votohet më 1 Shtator, kurse në Tyringji në fund të tetorit.
Janë populistët e partisë Alternativa për Gjermaninë, AfD që me sloganet, „Bëhu qytetar aktivist", apo „Përmbyll ndryshimin" dhe „Lindja ngrihet" kërkojnë të bëjnë për vete gjermanolindorët. Slogane zgjedhore që lidhen me vitet e kthesës në Gjermani, vite jo të lehta për gjermanolindorët, të sunduara nga zhgënjimi dhe shpresat e paplotësuara.
Nuk ka liri mendimi në Gjermani?
Në faqen e saj online, AfD e krahason Gjermaninë me ish-RDGJ-në. „Kush mendon sot ‚ndryshe‘, shtypet po ashtu si dikur me Stas-in", thuhet aty. Fjala është për shërbimin sekret që përgjonte opozitarët, frikësonte ata që mendonin ndryshe, e shkelte të drejtat qytetare. Björn Höcke, një nga eksponentët e krahut të djathtë nacionalist të AfD, që para 30 vitesh as nuk ka qenë në RDGJ, është shprehur së fundmi se „ndjehesh si në RDGJ". „Për këtë nuk e kemi bërë revolucionin paqësor, miqtë e mi."
Për kujtesë: Gjermania është një shtet ligjor demokratik. Megjithatë deklarata të tilla prekin disa njerëz në nerv. Në zgjedhjet në landet gjermane lindore, partia populiste „Alternativa për Gjermaninë" ka gjasa sipas sondazheve të bëhet partia më e fortë. E kjo edhe pse jo pak politikanë të njohur të saj, e shprehin hapur botëkuptimin e tyre djathtist apo bien në sy përmes deklaratave raciste.
24% e lindjes gjermane voton për AfD
Sipas një sondazhi të EMNID, 24% e votuesve në Gjermaninë lindore në zgjedhjet parlamentare për Bundestagun do të jepnin votën e tyre për AfD. Në perëndim kjo shifër do të ishte vetëm 12%. „Shumë njerëz nga ish-RDGJ-ja janë të zhgënjyer, ata nuk ndjehen të kuptuar, as të marrë seriozisht nga shoqëria e shumicës në perëndim", thotë sociologja, Judith Enders. Kjo lidhet edhe me atë, që gjermanolindorët përbëjnë vetëm 17% të popullsisë gjermane. Por më shumë rol luan mungesa e përfaqësimit të tyre në shoqërinë e përgjithshme gjermane, sipas saj. Vetëm 1,7% e gjermanolindorëve zënë poste kyçe në ekonomi, politikë dhe administratën gjermane. Pas bashkimit, elita socialiste e RDGJ-së u zëvendësua nga elita perëndimore, kjo elitë riprodhon veten ende edhe sot, pas 30 vjetësh, thotë studiuesja.
Judith Enders është rritur në Lindje, dhe ka krijuar një iniciativë që kërkon t'i japë një kuptim të ri nocionit „Lindje". Më shumë vetëbesim dhe më shumë angazhim. Jo të gjithë në Lindje ia kanë dalë. „Disa janë dorëzuar", thotë ajo. Shumë vetë, 30 vite pas kthesës ndjejnë ende një fyerje kolektive. Sipas statistikave, njerëzit në Lindje fitojnë ende më pak se punonjësit në perëndim. Nga ana tjetër që nga rënia e Murit, qindra mijëra vetë, sidomos të rinj i kanë kthyer kurrizin lindjes gjermane. Ata që qëndruan duhej të luftonin me papunësinë, më shpërbërjen e ekonomisë gjermanolindore dhe me papunësi të lartë. Në Lindje ende papunësia është më e lartë. Në vitin 2019, 6,6% e njerëzve ishin të papunë, në perëndim vetëm 4,7%.
Një 'verë solidariteti' në Lindje
Vetëm pasojat e ndryshimit para 30 viteve nuk i shpjegojnë sukseset e populistëve të djathtë: Sipas një studimi të Universitetit të Lajpcigut, çdo i dyti person i anketuar në Gjermaninë lindore ka rezerva ndaj të huajve apo pakicave. Në të gjithë Gjermaninë e ndan këtë qëndrim çdo i treti person. Në vitet e kaluara „lindja" gjermane ka zënë vend negativisht në kryeatikujt e gazetave, si për sulme kundër migrantëve, për lëvizjen raciste Pegida apo trazirat me sfond radikal të djathtë si në Chemnitz.
Shumë vetë në Lindjen gjermane janë kundër perceptimit të Lindjes si vatër e ekstremistëve të djathtë. Iniciativa „Kur, nëse jo tani" dhe „Rilindja e Lindjes" luftojnë kundër racizmit, por edhe të diskutojnë, se si gjermanolindorët e perceptuan kohën pas ndryshimit të RDGJ-së. Nën moton „Vera e Solidaritetit" ata duan të organizojnë në të gjithë lindjen koncerte, aktivitete letrare, diskutime në podium. Ana-Cara Methmann, e lindur në veri të Gjermanisë, por që prej 10 vitesh jeton në Lajpcig është zëdhënëse e iniciativës, „#Unteilbar". „Ne kërkojmë një distancim të prerë nga racizmi", thotë ajo.
Lajpcigu, ku jeton ajo, është një qytet i preferuar në Saksoni. Në zgjedhjet europiane në Maj të Gjelbrit arritën të merrnin aty 20,2% të votave. AfD me 15,5% ka marrë aty më pak vota krahasuar me nivelin e federatës. Por Gjermania nuk është e ndarë vetëm mes Lindjes e Perëndimit, ndarja ekziston edhe mes qytetit e zonave rurale. Shpesh janë gjërat praktike që e shkaktojnë këtë ndarje. Një autobus që vjen vetëm dy herë në ditë, një stacion treni 20 kilometra larg. Methmann, e cila jep seminare kundër diskriminimit në të gjithë Gjermaninë, e ka përjetuar vetë këtë. Në Saksoni vetë keqqeverisja e CDU-së ka bërë që të forcohet AfD-ja. „Shumë pak është investuar tek rinia. Qendrat e rinisë janë mbyllur", thotë Mettmann. Por mjeti më i mirë kundër djathtizmit është krijimi i shumë mundësive që njerëzit të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën shoqërore, thotë aktivistja.