Nevojitet shkallë e lartë e vaksinimit për shkak të Deltas
5 Korrik 2021Në luftën kundër variantit Delta të koronavirusit, të paktën 85 përqind e moshës 12 deri në 59 vjeç dhe 90 përqind e të moshuarve të moshës 60 vjeç e lart duhet të imunizohen plotësisht, sipas përllogaritjeve të Institutit-Robert-Koch (RKI). "Po të arrihet në kohën e duhur kjo normë e vaksinimit, një valë e theksuar e katërt e virusit në vjeshtë/dimrin e ardhshëm duket e pamundur", thuhet në dokumentin e publikuar.
Për pyetjen nëse mund të arrihen objektivat e synuara të vaksinimit, RKI ishte optimist i kujdesshëm. Për shembull, një sondazh i qytetarëve midis mesit të majit dhe fillimit të qershorit përcaktoi një gatishmëri për të vaksinuar që "i bën nivelet e synuara të vaksinimit të identifikuara në model të duken të arritshme".
38.9 përqind të vaksinuar plotësisht
Tani është thelbësore që të motivojmë popullatën e pavaksinuar të shfrytëzojë ofertën e vaksinimit para fundit të verës. Për më tepër, duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për të vaksinuar dhe popullata duhet të vazhdojë t'u përmbahet masave bazë të higjienës.
"Rezultatet tregojnë se me supozimet e bëra, veçanërisht me një dominim në rritje të variantit Delta, fushata e vaksinimit duhet të vazhdojë me një intensitet të lartë," shkruajnë autorët. Mund të jetë gjithashtu e nevojshme të zvogëlohen kontaktet "në një farë mase" po të rriten shifrat e infektimeve, shtojnë ata.
Deri tani, sipas të dhënave zyrtare, në Gjermani e kanë marrë dozën e parë të vaksinës 56.5 përqind e njerëzve, dhe 38.9 përqind janë plotësisht të vaksinuar. Skenarët e modelit të RKI përfshijnë simulime të ndikimit të kuotës së vaksinimit në incidencën e Covid-19 dhe në shfrytëzimin e shtretërve të kujdesit intensiv deri në pranverën e vitit 2022. "Këta skenarë nuk janë parashikime të sakta, por një vlerësim i ndikimit të ndërhyrjeve në incidencën e infektimit", thuhet në analizë.
aud (tgsch, dpa)