Në Hanover hap dyert panairi më i madh i industrisë në botë
16 Prill 2023Mbi 4,000 ekspozues nga 63 vende vijnë këtë vit në Hannover për të prezantuar teknologjitë më të fundit nga fushat e teknologjisë elektrike apo digjitale dhe nga fushat e ndyrshme inxhinierike.
Panairi i vitit 2023 që hap dyert sot (16.04) zhvillohet në sfondin e mungesës së energjisë dhe të fuqisë punëtore, ndëkohë që përfaqësuesit e industrialë po përpiqen të nxisin sa më shumë procesin e digjitalizimit dhe të heqin dorë nga përdorimi i karburanteve fosile. Inteligjenca artificiale apo teknologjitë që përdorin hidrogjenin janë disa nga temat kryesore të panairit të këtij viti, tema e së cilit është "Zgjidhje për të përballuar sfidat e kohës sonë".
"Vetëm duke ndërthurur këto teknologji do të jetë e mundur të sigurojmë në mënyrë të qëndrueshme mirëqënien tonë dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike," tha në një deklaratë për shtyp në prag të hapjes së panarit Dr. Jochen Köckler, kryetar i bordit drejtues të Deutsche Messe, organizatores së panairit.
Teknologji ekologjike
Më shumë se 300 kompani nga 25 vende kanë ardhur në panair për të prezantuar zgjidhje dhe teknologji të gjelbra që lidhen me përdorimin e hidrogjenit.
Këto teknologji mendohet se mund të ofrojnë një alternativë ndaj karburanteve fosile që ngrohin atmosferën. Industritë e rënda si ato të prodhimit të çelikut apo të çimentos kërkojnë nxehtësi ekstreme dhe për këtë arsye kanë nevojë për sasi të mëdha energjie, e cila shpesh prodhohet nga qymyri prej djegies së të cilit shkaktohen sasi të mëdha karboni.
Indonezia prezanton ambiciet e saj industriale
Shumica e ekspozuesve në panairin e sivjetshëm janë nga Gjermania, Kina, Italia, Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Indonezia.
Indonezia është vendi partner i panairit të këtij viti. Fillimisht ishte planifikuar që Indonezia do të ishte vend partner i panairit në vitin 2020, por ai u anulua për shkak të pandemisë së virusit korona.
Indonezia është vendi i katërt për nga popullësia në botë dhe fuqia më e madhe ekonomike në rajonin e ASEAN-it.
Nën moton "Making Indonesia 4.0" ky vend do të prezantojë ekspertizën dhe ambiciet në rritje që ka në fushat e digjitalizimit dhe të industrializimit. Indonezia synon që deri në vitin 2030 të bëjë pjesë ndër 10 ekonomitë më të forta në botë.