Gjermani: Veprim global kundër kontrabandës së drogës
23 Janar 2024Bashkëpunimi global duhet forcuar për të luftuar trafikun e drogës, deklaroi të hënën (22.01.2024) ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser.
"Portet e Holandës, Belgjikë dhe Francës po përdoren gjithnjë e më shumë për kontrabandën ndërkombëtare të drogës", i tha Faeser grupit mediatik Funke Media.
Trafikimi i drogës ka depërtuar edhe duke përdorur portin kryesor të Gjermanisë në Hamburg, tha ajo. Faeser tha më tej, se kartelet e drogës janë përgjegjëse "për një spirale të paimagjinueshme dhune" që drejtohet edhe ndaj gazetarëve e prokurorëve, të cilët kërcënohen me vrasje dhe se në Europë janë krijuar dhoma torturash. "Ndaj unë dua veprim më të ashpër dhe më ndërkombëtar kundër tregtisë së kokainës dhe drogës", tha Faeser.
Bashkëpunim me Amerikën e Jugut
Faeser vuri në dukje më tej, se do të udhëtojë në Amerikën e Jugut, "në mënyrë që forcat tona të policisë të mund të bashkëpunojnë direkt dhe që ne të mund të sigurojmë që këto sasi droge të mos arrijnë në Europë."
"Brazili është veçanërisht një partner kyç për ne në luftën kundër kontrabandës së drogës. Unë do të preferoj gjithashtu bashkëpunimin edhe me Perunë dhe Kolumbinë", tha Faeser.
Ministrja e Brendshme përmendi një sërë masash parandaluese, që synojnë përparimin në luftën kundër kësaj kontrabande. Këto masa përfshijnë identifikimin e kompanive të involvuara në trafikimin e drogës dhe kompanive që shfrytëzohen prej karteleve, si dhe që policia të informojë kompanitë serioze të lundrimit mbi përpjekjet e karteleve për të kontrabanduar përmes tyre.
Faeser tha gjithashtu: "ne duam të vihemi në dijeni kur ushtrohet presion ndaj punëtorëve në porte." Punëtorët duhet të kenë pika kontakti, të cilave mund t'u drejtohen kur vihen nën presion prej kontrabandistëve, gjithashtu punëtorët duhet të paguhen në mënyrë korrekte, që të mos joshen prej parave të karteleve, tha ministrja gjermane e Punëve të Brendshme.
zc/wmr (dpa, AFP)