1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Kontrollet kufitare "aq kohë sa është e nevojshme"

14 Gusht 2024

Policia kufitare do të vazhdojë të kontrollojë njerëzit që hyjnë në Gjermani. Ministrja e Brendshme Faeser dëshiron t'i heqë kontrollet vetëm kur migrimi i parregullt të bierë "dukshëm".

https://p.dw.com/p/4jQq9
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser: Kontrolle derisa migrimi i parregullt të ketë rënë dukshëmFotografi: Frederic Kern/Geisler-Fotopress/picture alliance

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë,Nancy Faeser, deklaroi gjatë një vizite në kufirin gjermano-polak se kontrollet kufitare me disa nga vendet fqinje të Gjermanisë do të vazhdojnë. Fjala është për kufijtë me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën.

"Për mendimin tim kontrollet kufitare duhet të mbeten në fuqi për aq kohë sa është e nevojshme", tha Faeser gjatë një vizite në pikën kufitare Görlitz ku u takua me oficerë të policisë kufitare gjermane dhe polake. Kontrollet kufitare shihen si masa për të luftuar migracionin e parregullt dhe kontrabandën e qenieve njerëzore. Prandaj ato do të mbeten në fuqi deri në një njoftim të dytë.

Derisa migrimi i parregullt të ketë rënë dukshëm

Tashmë është e qartë se kontrollet kufitare po funksionojnë dhe po tregojnë efekt, tha Faeser. Sipas saj migrimi i parregullt është në rënie, por kontrollet duhet të vazhdojnë derisa migrimi i parregullt të ketë rënë "dukshëm". Deri tani kontrollet në pikat kufitare me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën ishin planifikuar të zgjasnin deri më 15 dhjetor 2024. Me shumë gjasë ato tani do të zgjaten derisa të hyjë në fuqi reforma e sistemit evropian të azilit, tha Faeser.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, gjatë një vizite në kufirin gjermano-polak
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, gjatë një vizite në kufirin gjermano-polakFotografi: Paul Glaser/dpa/picture alliance

Pas shumë hezitimesh ministrja Faeser vendosi në tetor 2023 fillmin e kontrolleve të përkohshme në vendkalimet kufitare me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën. Austria vendosi kontrolle të tilla që nga kriza e refugjatëve të vitit 2015.

Në zonën evropiane të Shengenit udhëtimi i pasagjerëve dhe transporti i mallrave janë zakonisht të mundur pa kontrolle kufitare. Nëse shtetet anëtare fusin regjimin e kontrolleve, ato janë të detyruara ta justifikojnë këtë vendim pranë Komisionit të BE-së, por nuk kanë nevojë për miratimin e Brukselit për një hap të tillë.