1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania në kthetrat e borës dhe ngricës

17 Janar 2024

Reshje të dendura bore dhe ngricat ekstreme kanë përfshirë disa rajone të Gjermanisë. Më të prekura janë zonat në Gjermaninë qendrore dhe jugore. Në aeroportin e Frankfurtit janë anuluar fluturimet.

https://p.dw.com/p/4bNwb
Deutschland | Schnee in Frankfurt
Një shtresë e trashë akulli ka mbuluar rrugët në FrankfurtFotografi: Michael Probst/AP/picture alliance

Rrugë e shtigje të mbuluara me shtresë akulli në jugperëndim të Gjermanisë nga shiu i ngrirë dhe reshjet e borës janë kthyer në pista të rrezikshme rëshqitjeje për kalimtarët dhe automjetet. Shërbimi sinoptik i Gjermanisë ka njoftuar qysh të martën (16.01.2024) pasdite për rrezikun e motit ekstrem kryesisht në landet qendrore dhe jugperndimore Renani-Palatinate, Hesen, Landi Zarës, Saksoni, Tyringji si dhe në Baden-Vyrtenberg dhe Bavari e pjesërisht edhe në Renaninë Veriore-Vestfali. Sipas meteorologëve gjatë gjithë ditës së mërkurë (17.01.2024) deri të enjten paradite duhen shmangur daljet e panevojshme në rrugë, për të evituar rreziqet.

Bavaria është përfshirë nga ngrica
Bavaria është përfshirë nga ngricaFotografi: Wolfgang Maria Weber/picture alliance

Në të gjithë Bavarinë është dhënë sinjali i kuq meteorologjik. Në disa qarqe situata është kritike. Ka segmente të përfshira nga stuhi me reshje ekstreme të borës. Për shkak të motit ekstrem në shumë rajone nëpër shkolla u anulua mësimi në prezencë.

Park me pemë në Këln i mbuluar nga bora
Gjermani: Imazh nga një park në Këln - Vështirësi qarkullimi, por edhe idil natyrorFotografi: Rolf Vennenbernd/dpa/picture alliance

Policia në Baden-Vyrtenberg dhe në Landin e Zarës njofton për aksidente në rrugë, por që kryesisht kanë pasur pasojë dëme materiale. Vetëm në Landin e Zarës janë regjistruar mbi 80 aksidente.

Këmbësorët ecin me kujdes nëpër rrugët me akull

Edhe rajoni jugor i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë është përfshirë nga moti ekstrem. Shkollat në rajoninet e Ahenit, Këlnit, Olpes dhe Vinterbergut qendruan të mbyllura. Në landin e Hesenit po ashtu në shumë shkolla nuk ka pasur mësim në prezencë.

Avionët qendrojnë në tokë në aeroportin e Frankfurtit

Në aeroportin më të madh të Gjermanisë, Frankfurt mbi Main, sipas të dhënave të menaxheusit Fraport u anuluan gati 600 nga 1047 fluturime të planifikuara. Aeroplanët nuk mund të çliroheshin me siguri të plotë prej akullit, tha një zëdhënës. U anuluan edhe një sërë ulje avionësh në pistat e aeroportit.

Një avion i kompanisë Lufthansa duke u pastruar prej akullit para nisjes në aeroportin e Frankfurtit mbi Main
Frankfurt mbi Main: Një avion i kompanisë Lufthansa duke u pastruar prej akullit para nisjesFotografi: Boris Roessler/dpa/picture alliance

Në aeroportin e Mynihut u anuluan 254 nga 650 fluturime dhe mbërritje avionësh të planifikuara. Në aeroportin e Sarbrykenit u pezulluan të gjitha fluturimet. Ndërsa në Berlin ka pasur pezullime të pjesshme.

Këmbësorë duke ecur me kujdes nëpër rrugët e mbuluara nga akulli
Zarbryken: Këmbësorët ecin me kujdes nëpër rrugët me akullFotografi: Becker Bredel/picture alliance

Udhëtarët u detyruan të përdorin trenat. Për shkak të vështirësive atmosferike trenat e shpejtësisë së lartë ICE u lejuan të qarkullojnë me shpejtësi maksimale deri në 200 km në orë. Megjithatë shumë trena ICE në linjat Shtutgart apo Frankfurt drejt Parisit  nuk u lejuan të qarkullojnë.

Punonjësit e mirëmbajtjes duke hapur shinat e trenit nga bora
Punonjësit e mirëmbajtjes duke hapur shinat e trenit nga boraFotografi: Matthias Schrader/AP/picture alliance

Shi i ngrirë edhe në Francë

Dimri ka mbërthyer me borë e ngrica edhe rajonet e Francës përgjatë kufirit me Gjermaninë. Në Alzasë dhe Lorenë ka pasur aksidente në qarkullimin rrugor. Për kamionët është i ndaluar qarkullimi në akset kryesore. Në pjesën veriore të Francës për Departamentin 31 është dhënë paralajëmrim për mot ekstrem. Në zona të caktuara pritet borë deri në 20 cm si dhe kushte të vështira për qarkullimin rrugor.

se/AR (dpa, afp, br.de, phoenix)