1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendja e grave në Afganistan

Ziaulhaq Fazli16 Nëntor 2006

Para më shumë se pesë vitesh jeta e grave në Afganistan ishte tronditëse. Por si paraqitet sot ajo pesë vjet pa regjimin taleban?

https://p.dw.com/p/AsDj
Gra afgane në Kabul
Gra afgane në KabulFotografi: AP

Rregullat e caktuara nga milicët talebanë për gratë në Afganistan ishin përbuzëse, diskriminuese dhe arkaike. Nga to ishin të goditura të gjitha fushat e jetës. Gratë nuk kishin të drejtë të veshnin rroba me ngjyra të ndezura, të mbanin këpucë me taka të larta, ato nuk guxonin të bënin makijazh dhe nuk guxonin të qeshnin me zë. Ato nuk guxonin të ngisnin as biçikletën. Për gratë dhe burrat ishte e ndaluar të dëgjonin muzikë dhe të shihnin filma, televizion apo video. Ato duhej të heqnin dorë nga të gjitha çfarë nga milicët taleban konsideroheshin si 'joislamike'. Malalei Mohamadi, një grua nga Kabuli kujton ato kohë:

"Në kohën e talebanëve gratë nuk mund të shkonin as tek mjeku pa shoqërim. Ato nuk mund të dilnin në treg. Nëse nuk respektonin rregullat e caktuara nga talebanët rraheshin me kërbaç. Kështu që për dallim me atë kohë gjendja e grave ka ndryshuar shumë", sqaron Mohamadi.

Nga masat e ashpëra të milicëve talebanë nuk ishin të prekura vetëm amvisat si zonja Mohamadi por edhe gratë që punonin më parë.

"Të gjitha gratë të cilat kishin një punë mbeten pa të. U mbyllën të gjitha shkollat e vajzave. U caktuan rregulla të reja për gratë. Ato nuk guxonin të dilnin nga shtëpia pa veshmbathjen e duhur dhe pa praninë e ndonjë mashkulli të shtëpisë", thotë Zahra Hadi e cila ndërkohë ka filluar prapë punë si mjeke në Kabul. Po thotë ajo për dallim nga ajo kohë gjendja është përmirësuar dukshëm por jo për të gjitha gratë:

"Duhet përmendur që lehtësimet e bëra ndërkohë për gratë janë të përkufizuara në Kabul dhe disa provinca verirore".

Edhe më tej sidomos në pjesët rurale të Afganistanit fejesat i lidhin prindërit. Vajzat martohen në moshë shumë të re, ende të fëmijërisë. Ndërkohë edhe pse ligji i ndalon martesat e vajzave nën moshën 16 vjeçare prapëseprapë për shkak se në Afganistan nuk i kushtojnë rëndësi ditëlindjes së saktë nuk respektohet as ky ligj. Dasmat në Afganistan kushtojnë shtrenjtë por nga to nuk hiqet dorë sepse përmes tyre sigurohet imazhi i familjes. Një dasmë në Afganistan mund të kushtoj disa mijëra euro. Këto shpenzime barten nga burrat. Shumë prej tyre për shkak të dasmës bankrotojnë pothuajse plotësisht dhe presin pastaj nga gratë një kundërshpërblim për çmimin e lartë të dasmës:

"Unë jam e pakënaqure me jetën time bashkëshortore. Ne nuk jemi njohur me herët. Ne më me dëshirë do të vendosnim vet se kur dhe me kë do të martoheshim dhe jo këtë ta bëj familja. Ne dëshirojmë që fëmijët të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë, të jetojnë në paqe dhe liri dhe të mos përjetojnë kohëra të këqija sikur ne", sqaron Miriam Hasani një nënë e katër fëmijëve, nga Paghmani i cili shtrihet 20 kilometra në veri të Kabulit. Ajo si shumë gra të tjera duhet të ballafaqohet me një përditshmëri të vështirë. Si pasojë e luftërave është shkatërruar infrastruktura e vendit. Furnizimi me energji elektrike është i rrallë, e njëjta mund të thuhet edhe për sistemin e ngrohjes dhe ujësjellësit.
Edhe pse gratë tani kanë të drejtë të punojnë gjetja e një vendi pune është e vështirë; ato edhe më tej mund të punojnë vetëm si mësuese, mjeke apo mami. Gratë që punojnë në radio apo televizion janë raste shumë të rralla.