1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

GIZ: Turizmi rural - alternativë e zhvillimit të qëndrueshëm

Arben Muka 29 Janar 2016

Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ, është e orientuar nga mbështetja e turizmit rural në Shqipëri. Mjedise atraktive në Kukës, Dibër, Librazhd, Pogradec e në Prespë, por edhe mes Shqipërisë e fqinjëve.

https://p.dw.com/p/1Hlll
Albanien Dorf Theth
Fotografi: DW/L.Plani

Sa herë flitet për zonën e Thethit në verilindje të Shqipërisë, kujtohet ngritja në dekadën e fundit të një rrjeti të haneve, ose “guest-house”-ve, që janë banesat tradicionale, të cilat mirëpresin turistët e huaj dhe vendas, që preferojnë mjedisin mahnitës malor. Krahas shumë mbështetësve ndërkombëtarë të projekteve zhvilluese në këtë zonë turistike ka qenë dhe GIZ-i gjerman, ose Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ (shpk.)

Me fonde të qeverisë federale, GIZ-i tashmë është orientuar në një fokus më të projekteve zhvillkuese, që lidhet dhe me turizmin rural. Bëhet fjalë për ato zona ku momunentet natyrore janë ende të paprekuara, për shkak të pamundësive reale “modernizuese”, siç është mungesa e infrastruktrës rrugore. Nuk ka shkuar ende asfalti dhe jeta “mondane”që mund të ishte një lehtësi për të eksportuar dhe aty sindromën e shkatërrimit, apo ndërhyrjes së thellë në mjedis, si fjala vjen, në rastin e zonave bregdetare, ku ndërtimet dhe betonizimet kanë ndikuar me pasoja të rënda dhe herë pas here të pakthyeshme. Sipas ekspertëve, këto hapësira janë atraktive dhe për të ushtruar atë lloj turizimi që është shumë në modë sot nëpër botë, siç është shëtitja, ose përshkrimi në këmbë i territoreve për të shijuar bukuritë natyrore, për t'u akomoduar në mjedise tradicionale, duke konsumuar ushqime vendore, bio, të gatuara nga vetë amvisat.

Shtëpi turistësh në Theth
Shtëpi turistësh në ThethFotografi: DW

Preferohen udhëtime cross-border

Koordinatori i projekteve në zyrën e GIZ-it në Shqipëri, Ismail Beka, shprehet se turizmi nuk duhet konsideruar si një drejtim apo fushë e veçuar, por si hallkë e e integruar e zhvillimit ekonomik të qendrueshëm. Duke shpjeguar për Deutsche Welle-n atraktivitetin e turizmit rural, Beka thotë se ka të veçantë aplikimin e një territori gjithnjë e më të madh, turistët e ecjeve, e shëtitjeve, nuk mund të frekuentojnë të njëjtat destinacione. Pavarësisht se kanë kaluar emocione dhe ndjesi shumë pozitive, pasi ata kërkojnë itinerare të reja, hapësira të reja të pashkeluara më parë. Në këtë lloj turizmi ndërthurret shëtitja në këmbë me udhëtimin me biçikletë, apo ngjitjet në maja të larta dhe të vështira, thotë Beka për DW.

“Kini parasysh që turistët preferojnë të bëjnë guida cross-border, duke dëshiruar kalimin me ecje nga njëri territor i një shteti në atë të shtetit tjetër, siç është përshembull një trajektore Kukësi në pjesën e Kosovës, apo nga Dibra në territorin e thepisur të Maqedonisë. Ajo që ne nxisim është ngritja e një standardi bazor, minimal, për një vizitor që e frekuenton një zonë të caktuar. Që do të thotë, se çdo shtëpi a bujtinë pritëse duhet të ketë medoemos pastërtinë, një shtrat të rehatshëm, ushqim të gatuar mirë nga menu-ja lokale dhe kuptohet që të jenë të garantuar shërbimet vetjake për turistin. Siguria e rendit, por dhe garancia e dhënies së ndihmës së parë për shëndetin janë po kështu të domosdoshme”

Albanien Brücke Gjecaj-Theth
Kalimi Gjecaj-ThethFotografi: DW/L.Plani

Impakti për komunitetin

Për ekspertët e turizmit gjallërimi i turizmit rural ndikon drejtëpërdrejt tek niveli kulturor për banorët vendas. Përballë fluksit të madh të vizitorëve nga vende të ndryshme të botës, kulturave dhe traditave të ndryshme, ka ndikim sidomos tek gjeneratat e reja, tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilët motivohen më shumë për t'u arsimuar, sidmos në përvetësimin e gjuhëve të huaja. Ky kontigjent është dhe target-i i trajnimeve që organizon GIZ-i, për kualifikimin e kontigjenteve që udhëheqin guida-t turistike.

“Nga ana tjetër, rriten dhe të ardhurat ekonomike të banorëve. Nga studimet tona, rezulton se mesatarisht në vendin tonë turistët shpenzojnë 3-4 ditë qëndrimi, që do të thotë se në kushtet modeste të shpenzimeve të tyre, rreth 35 euro në ditë, për një rajon që pret e përcjell flukse të tilla prej 10-15 mijë vizitorësh në vit, krijohen të ardhura deri në 300 mijë euro të cilat mbeten po aty në buxhetet e komunitetit. Imagjinoni se çfarë do të thotë kjo për këta banorë në zonat rurale malore, se sa motivuese dhe nxitëse është një veprimtari e tillë për ta”, thotë Ismail Beka.

GIZ- Shqipëri: Ismail Beka sheh sfidë qeverisjen vendore
GIZ- Shqipëri: Ismail Beka sheh sfidë qeverisjen vendoreFotografi: DW/A. Muka

Tjetër ndikim është dhe nxitja e prodhimit të vogël bujqësor në këto zona. Kontigjentet e turistëve të huaj e vendas kanë nevojë për ushqime. Shtohet interesi, duke sjellë të kundërtën e fenomenit të zonave të largëta, që mjaft nga prodhimet e tyre detyrohen t'i evadojnë duke i groposur, sepse nuk mund ti shesin a dërgojnë në pika grumbullimi.

Sa i takon destinacionit ndërkufitar, preferencat e vizitorëve janë për harmonizmin e destinacionit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, ose kapërcimi i kombinuar Korab, Sharr e Mavrovë, nën “gjarpërmin” e papërsëritshëm të lumit Drin. Për pjesën brenda territorit shqiptar marshruti përfshin trajektoren Kukës, Dibër, Librazhd, Pogradec e deri në Prespë, e cila kufizohet nga tre vendet fqinjë: Shqipëri, Maqedoni e Greqi. Por ka dhe drejtime të tjera që janë më afër zonave bregdetare, siç është rasti i Vlorës, ku krahas pjesës buzë detit, ka dhe anën prapa malit, përgjatë lumit të Vlorës. Për një turist që qëndron disa ditë, krijohet një kombinim oferte me terren malor e bregdetar.

Këtij realiteti i përgjigjet dhe përpjekja për një harmonizm të projekteve mbështetës, jo vetëm për përmirësmin e infrastrukturës, apo nxitjen e prodhimeve dhe agrobiznesit, por dhe me ato të zhvillimit turistik. Në këtë mënyrë shikohet zhvillimi i qëndrueshëm në disa plane, sipas ekspertëve, për të gjallëruar jetesën, për të kthyer vëmendjen e banorëve që të investojnë të jenë më të interesuar në vendin tyre.

Për Ismail Bekën nga GIZ-i i Shqipërisë, një ndër sfidat e momentit është qeverisja vendore. Përgjegjës sot për menaxhimin e territorit janë bashkitë e reja. Por sipas tij, nga njëra anë ka një shfrytëzim efektiv të stafeve lokale, por nga ana tjetër vëmendje e këtyre stafeve përqëndrohet më tepër në zonat urbane. Pa kapacitete të mjaftueshme dhe vizion për administrimin e hapërirave rurale. Ndaj dhe për GIZ-in në fokus është dhe trajnimi e ngritja e kapaciteteve në qeverisjen lokale.

Banush Xhabrahimi: projektet frenojnë migrimin
Banush Xhabrahimi: projektet frenojnë migriminFotografi: DW/A. Muka

Ndikim në uljen e migrimit

Dr. Banush Xhabrahimi, ekspert i ekonomisë dhe pedagog në Universitetin “Luarasi” në Tiranë mendon se projekte të këtij formati kapilar, që orientohen në zona të thella të vendit, kanë një impakt pozitiv dhe në frenimin e fenomenit të migracionit. Nëse i referohemi treguesve të valës së fundit të përpjekjeve për azilim në Gjermani apo vende të tjera të BE-së, në shumicë të dukshme janë nga familje që jetojnë në këto rajone të vendit, thotë eksperti për Deutsche Welle-n.

“Si mund të ketë dëshirë të qëndrojë në vendlindje një banor në një fshat a komunë të thellë, ku mungojnë edhe më elementaret, ku ai vetëm konsumon për të mbijetuar, pa asnjë perspektive për veten e familjen. Duke u interesuar për të nxjerrë më në pah banesën e tij, sipërfaqet përreth të punuara dhe me prodhimtari, plus bukuritë natyrore të virgjëra – këto janë një miks rrethanash që ja vlen t'u përkushtohesh. Vizitorët, kurreshtarët, apo pasionantët e natyrës, vendas dhe të huaj, nuk do të mungojnë. Kështu zona fiton gjallërinë, e cila kërkon shërbime nga vendasit, duke kërkuar forca pune që e kanë të siguruar krijimin e të ardhurave. Vitin tjetër banorët përballë një realiteti që lëviz, që gjeneron të ardhura, do të mendojnë për rigjenerimin a konservimin e natyrës, e krijimit të një mjedisi sa më tërheqës, duke futur në lojë traditën, historinë e gjetje të tjera që kënaqin turistin. Kështu dhe një vit më pas e në vijueshmëri, sikundër ndodh me një aktivitet biznesi të sukseshëm.”

Ismail Beka nga GIZ thotë se në Panairin e Berlinit në muajin mars, është parashikuar dhe një panel i veçantë aspektet e zhvillimit të qendrueshëm të turizmit në Shqipëri, me fokus të drejtuar në zonat rurale e malore, si një insturument i drejtëpërdrejtë, sipas tij, në uljen e migrimit dhe rritjen e mirëqënies së komunitetit”.