1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gardhi mbetet" në kufirin slloveno-kroat

Leon Stebe5 Gusht 2016

Imazhet nga fshati slloven Rigonce u përhapën anë e mbanë. Çdo ditë mbërrinin këtu mijëra refugjatë. Tani gjendja është qetësuar. Por shqetësimi është i madh, se përsëri njerëzve mund t'u duhet të fushojnë në fshat.

https://p.dw.com/p/1JbmF
Slowenien Polizei und Milität Grenzzaun
Fotografi: picture alliance/NurPhoto/J. Hilton

Përgjatë gardhit me tela me gjemba duket qetësi, lëndina të paqta në Rigonce, fshati slloven direkt në kufirin me Kroacinë. Fushat gjelbërojnë e në to nuk ka këmbë njeriu.

Para një gjysmë viti këtu situata ishte krejt ndryshe, kujton Zvone Pavlin. Ai jeton në fshatin, që ka vetëm 130 banorë. "Përmes Rigonce vetëm në një muaj kanë kaluar gjithsej 67.000 refugjatë. Një të dielë mandje pati rreth 15.000 vetë. Po ua them, kjo ishte një botë tjetër, askush s'mund ta besojë."

Imazhet nga Rigonce asokohe u përhapën në mbarë botën. Fshati slloven, komuna, i gjithë vendi ishin të mbingarkuar me situatën. Kryeministri hungarez Victor Orban e pati mbyllur kufirin dhe refugjatët në rrugën dretj Europës Veriore kërkonin rrugë devijuese përmes Sllovenisë, e kësisoj përfunduan në Rigonce, në kufi me Kroacinë. Kjo ndodhi papritur thotë banori Branko Bresevc. "As që e kisha menduar ndonjëherë si të mundshme, ne u befasuam, që kjo ndodhi pikërisht këtu. U habitëm madje që organet shtetërore nuk ishin të përgatitura më mirë."

Flüchtlinge mit Behinderung auf dem Weg nach Europa
Fotografi: Getty Images/J. J. Mitchell

Skenat ishin kaotike. Refugjatët duhej t'i kalonin netët e para duke fjetur nëpër fusha, në baltë e në llucë. Vetëm pasi autoritet sllovene nisën t'i organizojnë të gjitha, pati një ecuri të çalë, por më të rregullt.

Ka pasur edhe kritika, që sllovenët nuk i kanë trajtuar si duhet refugjatët. Këtë nuk e pranon Zvone Pavlin. Bujku indinjohet, kur ia hap këtë temë. Ata u kanë dhënë njerëzve ujë e ushqime, u kanë sjllë atyre bukë.

Ngjarjet kanë lënë gjurmë, tek njerëzit dhe në pejzazhin e fshatit. Gardhi me tela me gjemba u vendos më pas prej ushtrisë sllovene. Ky gardh ndan tani njerëzit e fqinjët. Irena Rudman, nënkryetare bashkie e komunës fqinje Brezice: "Kjo nuk është Europa, që ne kemi dëshiruar në fillim: Europa pa kufij. Tani këtu ka një gardh kufiri, e ky nuk është udhërrëfyesi më i mirë për turizimin."

Përgjatë gardhit kalon lumi Sutla. Këtë lum kaluan atëherë refugjatët. Tani kalimi në lum është bllokuar, sepse përpara tij ndodhet gardhi.

Slowenien Flüchtlinge
Fotografi: Getty Images/J. Mitchell

Fëmijët, që dikur luanin e notonin pa kokëçarje në lum, tani s'mund ta bëjnë më këtë. Gardhi i kufizon njerëzit - por ai tani për tani do të mbetet. Askush nuk mendon, ta heqë atë. Kjo është e drejtë, mendon bujku Zvone Pavlin: "Shihni, ç'po bëhet në Turqi. Nëse Europa kunderejt Turqisë do të vazhdojë të ankohet, atëherë çfarë ndodh? Ndoshta Erdogani i lejon sërish refugjatët të vijnë këtej. E ndoshta ata sërish do të vijnë këtu."

Branko Bresevc llogarit, që ky gardh do të ekzsitojë edhe për disa vite: "Pas përvojës me refugjatët në fshatin tonë, e pasi e pamë se sa shpejt mund të krijohen të tilla situata, e sepse ne shohim në media çfarë po ndodh në botë - më duhet të them për fat të keq, që ky gardh do të ishte mirë të qendrojë edhe për ca kohë."

Banorëve të Rigonces, këtij fshati të vogël kufitar në Slloveni, iu desh për disa muaj të shohin, se si pasojat e politikës globale dhe njerëzit në arrati ishin të pranishëm në kopështet dhe fushat e tyre. Banorët duan të jenë të përgatitur ndaj e duan gardhin. Ai mund të izolohet sërish në tërësi. Në mënyrë që të mos përsëriten skena si ato të tetorit të vitit të kaluar.