1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëFederata Ruse

Rusi: Garda Kombëtare përforcon centralin bërthamor në Kursk

8 Gusht 2024

Për shkak të ofensivës tokësore të Ukrainës guvernatori i rajonit shpall gjendjen e jashtëzakonshme, kurse Garda Kombëtare Ruse forcon mbrojtjen e centralit bërthamor të Kurskut.

https://p.dw.com/p/4jDfo
Kursk: Zjarr në një depo nafte pas një sulmi me dronë nga Ukraina
Kursk: Zjarr në një depo nafte pas një sulmi me dronë nga UkrainaFotografi: Handout/TELEGRAM/@gubernator_46/AFP

Për shkak të përparimit të trupave të Ukrainës në rajonin kufitar rus të Kurskut Garda Kombëtare Ruse ka përforcuar mbrojtjen e centralit bërthamor të Kurskut. Përveç kësaj janë dërguar forca shtesë për të luftuar trupat e sabotimit dhe të zbulimit në rajonet Kursk dhe Belgorod, njoftoi garda.

Përforcimi i trupave po bëhet në bashkëpunim me trupat kufitare ruse dhe me ushtrinë. Centrali bërthamor i përbërë nga katër blloqe dhe një fuqi prej gati dy gigavat ndodhet pak më shumë se 60 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Guvernatori i Kurskut shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Për shkak të ofensivës tokësore të Ukrainës guvernatori i rajonit Kursk, Alexei Smirnov, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Njoftohet se Ukraina ka përparuar shumë në territorin rus rreth qytetit të Kurskut. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes ofensiva e trupave të Ukrainës kishte filluar të martën dhe ato arritën të mërkurën në veriperëndim të qytetit të Sudzha, ku gjendet qendra e fundit ende në funksion për transportin e gazit rus që eksportohet në Evropë nëpërmjet Ukrainës.

Rusi: Qyteti Sudzha, rajoni Kursk, sulmohet nga trupat e Ukrainës
Rusi: Qyteti Sudzha, rajoni Kursk, sulmohet nga trupat e Ukrainës Fotografi: Acting Governor of Kursk Region Alexei Smirnov/Telegram/REUTERS

Sipas Shtabit të Përgjithshëm rus në sulmin e forcave të armatosura ukrainase në rajonin kufitar Kursk në Rusinë perëndimore janë të përfshirë "deri në një mijë" ushtarë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, tha në televizionin rus se "përparimi i mëtejshëm i armikut në territorin rus ishte ndalur me ndihmën e sulmeve të forcave ajrore dhe të artilerisë dhe operacioni për shkatërrimin e njësive të ushtrisë ukrainase po vazhdon".