G20 live: Trumpi takohet me Putinin
7 Korrik 2017Takimi dyditor i Grupit të 20-ëve, fuqive kryesore ekonomike të botës po zhvillohet në qytetin verior gjerman të Hamburgut.
Rreth 100.000 protestues po marrin pjesë në demonstratat kundër G20-ës, disa prej të cilave kanë kaluar në dhunë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e hapi samitin duke i kujtuar të pranishmit se janë përgjegjës për miliona vetë në të gjithë botën. Ajo kërkoi nga të gjitha palët kompromise, për të gjetur zgjidhje për problemet globale.
17:26 Kancelarja Merkel e dënoi çdo përdorim dhune në protestat e G20-ës. Çdo gjë që rrezikon jetët e policëve, personave që ndodhen pranë ose demonstruesve është "e papajtueshme".
Sipas një projekti të komunikatës përfundimtare të takimit, e parë nga agjencia franceze e lajmeve AFP, liderët e mbledhur në takim marrin në konsideratë qëndrimin e ndryshëm të Presidentit të SHBA, Trump për marrëveshjen e klimës së Parisit, por marrëveshjen ata e quajnë "të pakthyeshme pas".
Megjithëse Trumpi ka thënë se do t'i tërheqë SHBA nga marrëveshja, në pikëpamje teknike ai nuk lejohet ta bëjë këtë ekzaktësisht një ditë, përpara se të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, në vitin 2020.
16:58 Para se të fillonin takimin, Trumpi i tha Putinit se "është një nder që takohem me ju." Putini u përgjigj se gjithashtu është "i gëzuar" për takimin. Më tej, Putini shtoi se dëshiron të diskutojë problemet më urgjente bilaterale dhe ndërkombëtare dhe shpreson "rezultate pozitive". Trump tha se shpreson" të ndodhin gjëra të mira".
16:27 Pasi e përshëndetën njëri-tjetrin më herët sot, me një shtrëngim duarsh, Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri rus, Vladimir Putin po zhvillojnë takimin e parë kokë më kokë në kuadër të samitit. Në SHBA, ndaj ekipit presidencial të Trumpit po vazhdojnë hetime për lidhje të mundshme me Rusinë.
15:20 Në dallim nga Presidenti amerikan Trump, Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh në takim për një tregti të lirë botërore. "Ne jemi kundër proteksionizmit, që po përhapet në botë", tha ai. Kufizimet në tregti dhe në financave, sipas Putinit, shpesh kanë një prapavijë politike dhe synojnë të nxjerrin jashtë loje konkurrentët, e citon Putinin agjencia e lajmeve Interfax.
14:40 Në takimin e parë të punës, Presidenti i SHBA, Donald Trump u tregoi partnerëve të tij për sukseset e ekonomisë amerikane që kur ka ardhur ai në pushtet. Pas kësaj, sipas diplomatëve ai foli shumë për Korenë e Veriut - gjë që nuk kishte në agjendën e takimit të ekonomisë botërore dhe tregtisë.
13:43 Megjithë dhunën sporadike, korrespondentët e Deutsche Welles thonë se shumica e protestave kanë qenë paqësore. Korrespondenti i DW, Arafatul Islam postoi këtë video prej njërës nga demonstratat.
13:40 Kancelarja Merkel kërkoi prej kryetarëve të shteteve dhe të qeverive që të bashkëpunojnë ngushtë dhe që të tregohen të gatshëm për kompromise. Ajo shpreson që takimi i nivelit të lartë do të japë një kontribut për zgjidhjen e problemeve urgjente në botë, tha Merkeli në krye të takimit. Ajo beson se të gjithë pjesëmarrësit përpiqen për këtë. Merkeli theksoi: "Ne e dimë se koha nuk pret, prandaj shpesh zgjidhjet mund të gjenden vetëm kur jemi të gatshëm për kompromise dhe afrohemi me qëndrimet e njëri-tjetrit, pa u tjetërsuar shumë". Dallimet padyshim që mund të përmenden, tha Merkel.
13:17 Papa Françesk u ka bërë thirrje delegatëve të G20-ës që të refuzojnë konfliktet e armatosura dhe që t'i japin "prioritet absolut" në diskutimet e samitit të varfërve dhe të margjinalizuarve.
13:10 Pas perdeve: takime të udhëheqësve botërorë në takimin e nivelit të lartë të G-20-ës në Hamburg.
12:50 Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i dënoi individët që mbështesin protestat e dhunshme në Hamburg.
"Unë e kuptoj kritikën ndaj takimit të G20-ës dhe mbështes shumë nga kritikat", i tha ai gazetës Passauer Neue Presse. Por ai shtoi se në shtetet demokratike "duhet të jetë e mundur për kryetarët e shteteve dhe të qeverive nga e gjithë bota që ta takojnë njëri-tjetrin."
12:45 Zonja e parë e SHBA, Melania Trump nuk largohet dot nga hoteli ku po rri në Hamburg për të ndjekur ngjarjet e G20-ës për arsye sigurie, tha zëdhënësi i saj, të cilin e citon agjencia e lajmeve, dpa.
12:28 Bashkëshortet dhe bashkëshortët e liderëve që ndjekin G20-ën po bëjnë një shëtitje turistike në qytetin e Hamburgut, me bashkëshortin e Kancelares, Joachim Sauer. Zonja e parë e SHBA, Melania Trump nuk qe e pranishme në pjesën e parë të programit, që përfshinte një shëtitje me anije në portin e qytetit. Brigitte Macron, gruaja e Presidentit francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorti i Theresa May-t, Philip May ishin të dy në anije. E pranishme qe edhe Sophie Gregoire Trudeau, gruaja e kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau me djalin e tyre tri vjeç, Hadrien.
12:04 Kryeministrja britanike, Theresa May thotë se udhëheqësit e G-20-ës do të përpiqen ta bindin Presidentin e SHBA, Donald Trump që të ribashkohet me Marrëveshjen e Klimës së Parisit.
"Besoj se kjo është e mundur", i tha ajo televizionit të BBC, por theksoi se marrëveshja nuk do të rinegociohet. "Mesazhi kolektiv që do t'i jepet Presidentit Trump në këtë tryezë do të jetë se është e rëndësishme që Amerika të rikthehet në Marrëveshje dhe shpresoj se do të jem në gjendje që të punoj që kjo të ndodhë."
12:00 Protestuesit nuk arritën t'i pengojnë udhëheqësit botërorë që të mblidhen në takimin e G-20-ës, por arritën të pengojnë një ministër gjerman.
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble nuk e ndoqi dot siç qe planifikuar një diskutim në podium të premten, për shkak të situatës së tendosur të sigurisë, thanë organizatorët. Diskutimi me temë "G20 Global Classroom" pritej të përfshinte studentë nga disa vende.
11:40 Policia e Hamburgut tha se sot në mëngjes, drejt njërit prej helikopterëve të saj u hodh një raketë sinjalizuese, që për pak e goditi helikopterin.
11:44 - Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u takuan për herë të parë personalisht. Sot paradite pati një shtrëngim të parë duarsh, pasi mbërritjes së të gjithë kryetarëve të shteteve, bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. "Ata i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe thanë se do të takohen shpejt veçmas", i tha Peskovi agjencisë së lajmeve Tass. Një takim më i gjatë është parashikuar për pasdite.
11:13 Grupi BRICS i shteteve kryesore në ekspansion ekonomik (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut) i bëri thirrje G-20-ës që të çojë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimin e klimës dhe deklaroi mbështetje për "një sistem tregtar të bazuar në rregulla, transparent, jo diskriminues, të hapur, përfshirës dhe shumëpalësh", si dhe "për zbatimin dhe forcimin e rregullave të OBT për angazhimet", edhe si një kundërshtim i proteksionizmit. Pozicioni i tyre i vë këto shtete kundër Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili e ka nxjerrë vendin nga Marrëveshja e klimës e Parisit dhe kërkon të ndjekë në tregti moton "America First".