Günter Gras (1927-2015) dhe gjermanët
19 Prill 2015
Në shqip janë përkthyer pak vepra të Grassit. Çfarë e bën unikal Gynter Grasin? Material i përgatitur nga Auron Dodi për partnerin e DW, News 24.
Unikal, Nobelistin e letërsisë Gynter Grass e bën figura e tij, që shtrihet në kulturë, në politikë dhe në shoqëri njëkohësisht. Veç veprës letrare, të famshëm, Grasin e bëri roli si kritik i shoqërisë. Gjithë jetën ai tërhoqi vëmendjen me pozicionime publike. Jo vetëm për çështje gjermane, por edhe për çështje botërore, si çarmatimi dhe ndryshimi social.
Gjermanët i janë mirënjohës, sepse me veprën letrare ai mundësoi pas Luftës së Dytë Botërore rindërtimin e Gjermanisë edhe në kulturë. Pas luftës dukej gati e pamundur, që me gjuhën gjermane, me të cilën bëhej apeli në kampin e përqendrimit në Aushvic të shkruaje një roman me sukses të përbotshëm. Grasi e arriti këtë me veprën që shkroi më 1959, "Daullja e llamarintë". Ky roman është përkthyer në 40 gjuhë të botës, dhe juria e Nobelit, e vlerësoi veprën lart. Por Gynter Grasi e çuditi botën edhe kur tregoi në vitin 2006 se kishte shërbyer në radhët e SS-ve nazistë.
Forca shpërthyese e daulles së lammarintë
"Daullja e llamarintë" ishte një goditje çliruese për Gjermaninë. Grasi zbriti thellë në "bodrumin e fajit" gjerman, për Luftën Botërore. E bëri këtë me një fantazi të guximshme letrare. Është vepra e parë që trajton në mënyrë bindëse nazizmin tek populli gjerman.
Grasi e pa në këtë vepër në mënyrë satirike botën gjermane në luftë dhe krijoi kështu hapësira të reja shprehëse për Gjermaninë.
Romani është edhe një fillim estetik. Është shkruar me një gjuhë moderne e të gjallë. Stili i Grasit kategorizohet te realizmi magjik. Grasi bën një përshkrim minucioz të situatave. Por i shkrin ato me mite e legjenda. Vetë Grasi e quante stilin e tij "realitet i zgjeruar".
Heroi i romanit te „Daullja e llamarintë“ është një xhuxh. Oskar Matzerath ka vendosur në moshën trevjeҫare të mos rritet më. Për t'u shpëtuar me dredhi humnerave të arsyes gjermane, të asaj kohe. E që atëherë ai shprehet duke i rënë vetëm daulles.
Me këtë figurë, Grasi preku shpirtin e plagosur e të gjymtuar të gjermanëve. Pas luftës, gjermanët kishin mbetur pa një busull morale.
Gynter Grasi, bashkë me Siegfried Lenz-in (që u nda nga jeta para gjashtë muajsh) dhe Heinrich Böllin luajtën rolin e udhëheqësve intelektualë të gjermanëve. Ata ofronin orientim e siguri.
Akademia e Nobelit vlerësoi më 1999 se Grasi e trajton historinë me sytë e viktimave: "të të humburve dhe të gënjeshtrave, që njerëzit duan t'i harrojnë, sepse dikur i kanë besuar".
Kontradikta me rolin e SS-it
Pranimi nga Grasi për herë të parë në vitin 2006, se kishte qenë ushtar SS në luftë, ra si bombë. Kritikët e tij madje folën për "vetëvrasje morale". Aq më tepër që Grasi pati kritikuar ashpër, më 1985, Helmut Kohlin dhe Ronald Reaganin, kur ata vizituan në Bitburg një varrezë ushtarësh, ku ndodheshin të varrosur edhe SS nazistë.
Grasi shërbeu si 17 vjeçar vetëm disa javë tek SS-t. SS-ët akuzohen se kanë kryer disa nga krimet më të tmerrshme gjermane në luftë. Por Grasi nuk u akuzua asnjëherë për krime.
60 vjet më vonë, në moshën 78 vjeçare, ai tha se kishte vendosur të fliste hapur për pjesëmarrjen e tij tek SS, sepse nuk e duronte dot më barrën mbi vete. E bëri këtë në librin "Duke qëruar qepën". Më parë Grasi kishte thënë se kishte shërbyer si "flakëhedhës" në Wehrmacht-in gjerman.
Grasi nuk e kishte pritur reagimin e fortë të publikut gjerman dhe evropian për këtë fakt që tregoi. I pyetur nga mediet ai foli për një akt të gabuar rinor, më tepër se kishte dashur të shkëputej me këtë angazhim nga "dara e familjes" së tij.
Ndërsa mbrojtësit e figurës së Grasit kujtuan në 2006 se ndikimi social dhe politik i Grasit, në Gjermaninë e pasluftës, kishte qenë shumë pozitiv, që gjermanët arritën të përballeshin me sukses me të kaluarën naziste. Dhe kjo ndoshta nuk do të kishte qenë e mundur - po ta kishte pranuar Grasi menjëherë të kaluarën e tij.
Tematika e veprës së Grasit
"Daullja e llamarintë" u pasua nga romanet "Macja dhe miu" (të përkthyer gjithashtu në shqip), dhe nga romani "Vite qeni". Të tria krijojnë "Trilogjinë e Danzigut". Danzigu apo Gdansku, qyteti i lindjes i Grasit, sot ndodhet në Poloni, por më parë ndodhej në Prusinë Lindore. Trilogjia e Danzigut vlerësohet edhe si vepra më e mirë letrare e Grasit.
Lista e veprave të Grasit është e gjatë. Në shqip është përkthyer edhe romani "Amnezi lokale".
Tematikë e preferuar e veprave të Grasit mbetën rrethanat politike dhe përmbysjet shoqërore: si p.sh. intelektualët në kryengritjen antikomuniste në RDGJ. Lëvizja studentore e 1968-ës. Politika Lindje-Perëndim.
Por edhe viktimat në popullin gjerman nga sulmet e sovjetikëve. Siç ishte mbytja nga një nëndetëse sovjetike e një anijeje gjermane, me 12.000 refugjatë. Midis tyre 4000 fëmijë e të rinj. Kjo ndodhi në janar 1945. Grasi ishte ndër të paktët intelektualë gjermanë që shkroi herët në letërsinë gjermane për krimet ndaj civilëve gjerman nga fuqit aleate.
Aktiviteti politik dhe social i Grasit
Të bie në sy sidomos angazhimi i Grasit si intelektual antifashist, për socialdemokratët gjerman, si ishte kancelari Vili Brand. Gynter Grasi mbajti mbi 90 fjalime publike nëpër Gjermani në mbështetje të Brandtit, që u zgjodh kancelar në vitin 1969. Për 10 vjet Grasi qendroi edhe anëtar i Partisë Socialdemokrate.
Edhe dy momente të tjera, vlejnë të theksohen : Në 1990-n, Grasi ishte kritik i ashpër i ribashkimit të Gjermanisë. Ai mendonte se pas Aushvicit, Gjermania e kishte humbur të drejtën e ribashkimit. Ai druhej se Gjermania e ribashkuar do të rishfaqte agresivitetin e Gjermanisë së mparshme. Kjo i solli shumë kritika në Gjermani - për ngurtësi morale.
Ndërsa n vitin 2012, Grasi shkroi poemën-proz "Ajo që duhet të thuhet". Në të ai e paralajmëron Izraelin që të mos e godasë Iranin, nga frika e armëve atomike, sepse nga kjo mund të shuhet gjithë Irani. Dhe kërkon thyerjen e tabusë në Gjermani, për ta kritikuar Izraelin.
Disa kritikë thonë se Grasi arriti të bëhej instancë morale në një kohë tjetër, në Gjermaninë e pasluftës. Dhe se në kohën e sotme, të një shoqërie tejet të invidualizuar, ku politika dhe letërsia janë shumë të ndara si fusha nga njëra-tjetra, nuk do ta kishte arritur dot këtë. Ndikimin më të madh si intelektual në jetën publike gjermane ai e pati padyshim në vitet 1960-1970.
Gynter Grasi mbeti deri në fund një intelektual aktiv dhe i respektuar, që me deklaratat e tij ngjallte debate publike.