Rusia përkujton si në kohën e Stalinit
2 Shtator 2020Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore në Paqësor? Përgjigja për këtë pyetje në Rusi tani është e ndryshme nga ajo në Perëndim. Në mes të prillit, parlamenti votoi për ta zhvendosur ditën e përkujtimit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Azi nga 2 shtatori në 3 shtator. Parlamentarët e arsyetuan masën me dëshirën për t'u bërë një favor pak veteranëve të mbijetuar. Pas përfundimit të luftës, atyre iu ishte dhënë medalje me kushtimin "Për fitoren ndaj Japonisë", në të cilat ishte gdhendur 3 shtatori.
Luftë e shkurtër me ndikim të madh
Lufta e Dytë Botërore në Azi përfundoi 75 vjet më parë me dorëzimin e Perandorisë japoneze më 15 gusht 1945. Rreth dy javë më vonë, më 2 shtator 1945, përfundimi u nënshkrua zyrtarisht në bordin e anijes luftarake të SHBA "Misuri". Moska kishte hyrë në luftë kundër Japonisë më 8 gusht 1945, duke anuluar traktatin e neutralitetit japonez-sovjetik të vitit 1941. Aleatët - SHBA, Britani e Madhe dhe Bashkim Sovjetik nën udhëheqjen e Josif Stalinit - ranë dakord për këtë hap në Konferencën e Jaltës në shkurt 1945. Rreth 1.5 milionë ushtarë sovjetikë të Ushtrisë së Kuqe luftuan kundër trupave japoneze në Mançuri, në Kinën verilindore. Kjo zgjati vetëm disa ditë. Më shumë se 12.000 ushtarë të Ushtrisë së Kuqe vdiqën.
Hyrja e Bashkimit Sovjetik në luftë ishte "një tronditje e vërtetë për Japoninë", i tha DW historiani Takuma Melber nga Qendra e Heidelberg-ut për Studime Transkulturore. Melberi bashkohet me vlerësimin e kolegut të tij amerikan Tsuyoshi Hasegawa, sipas të cilit deklarata sovjetike e luftës "ishte përfundimisht ndoshta më vendimtare për dorëzimin e Japonisë" se dy bombat atomike të SHBA në 6 dhe 9 gusht 1945. Sidoqoftë, në verën e 1945 Japonia ishte tashmë "ushtarakisht në fund". Moska e përshpejtoi dorëzimin.
Pasojat e luftës sovjetike-japoneze i shenjojnë marrëdhëniet midis dy vendeve deri sot. Bashkimi Sovjetik atëherë ishte në gjendje ta zgjeronte territorin e tij në Lindjen e Largët në pjesën jugore të Ishullit Sakhalin dhe Ishujt Kuril. Japonia nuk i njeh deri sot katër prej këtyre ishujve si territor rus dhe dëshiron të negociojë kthimin, por pa sukses. Deri sot nuk ka asnjë traktat paqeje mes dy vendeve.
Largim nga Perëndimi dhe afrim me Kinën
Në kohën sovjetike, kujtimi i Luftës së Paqësorit kaloi në hije nga Lufta e Madhe Patriotike, siç quhet lufta kundër Gjermanisë nacionalsocialiste në Rusi. 3 Shtatori, Dita e Fitores mbi Japoninë, u shtua në listën e festave zyrtare në 1945, por u hoq përsëri që në 1947 dhe u harrua.
Në mes të viteve 1990, 2 shtatori u regjistrua zyrtarisht në një ligj mbi ditët përkujtimore ruse si fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, Rusia u bashkua zyrtarisht me Perëndimin në këtë këndvështrim. Në vitet 1990, Rusia ishte shumë properëndimore, por kjo ka kohë që ka marrë fund. Përveç kësaj, nën Presidentin Vladimir Putin, adhurimi i Stalinit përjetoi një periudhë të re lulëzimi. "Bëhet fjalë për një çmontim të mëtejshëm të trashëgimisë simbolike të viteve 1990", thotë analisti i DW dhe gazetari rus Konstantin Eggert.
Në mënyrë të ngjashme e sheh këtë edhe Takuma Melber. Ndryshimi është "nga njëra anë demonstrim i forcës dhe tregim me gisht ndaj Tokios në lidhje me mosmarrëveshjet mbi Ishujt Kuril dhe çështjen e epërsisë në rajonin aziatik të Paqësorit. Nga ana tjetër, Putini bën të tijën vetëdije një traditë staliniste të përkujtimit me ceremoninë e përkujtimit dhe fitores më 3 shtator. Kjo gjithashtu mund të interpretohet si një largim nga Perëndimi, mbi të gjitha nga pala anglo-amerikane dhe si një afrim me Republikën Popullore të Kinës. Pekini e feston fundin e luftës në 3 Shtator. Rusia vepron tani "në një kuptim të caktuar (njësoj)me Kinën për sa i përket politikës së kujtesës dhe simbolikës", tha Melber.
Sfondi i vendimit të Moskës ka të ngjarë ta ketë burimin në politikën e Rusisë ndaj historisë nën Presidentin Vladimir Putin. Kultura e përkujtimit të Luftës së Dytë Botërore u zhvillua në një faktor qendror krijues të identitetit. Dita e Fitores në 9 maj konsiderohet festa më e rëndësishme kombëtare.
Kritikë në lidhje me përvjetorin e pengmarrjes në Beslan
Sidoqoftë, data e re është kritikuar gjithashtu për lidhjen me një ngjarje tjetër në historinë e fundit ruse - marrjen e pengjeve në Beslan. Më 1 shtator 2004, terroristët çeçenë morën në këtë qytet, në republikën ruse të Osetisë së Veriut-Alania, një shkollë të tërë peng. Më shumë se 330 vetë vdiqën në një përpjekje për shpëtim më 3 shtator, shumica e tyre fëmijë. Që atëherë, Rusia ka festuar në këtë ditë solidaritetin në luftën kundër terrorizmit dhe përkujton viktimat.