1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tregtia online e ushqimeve

Fraczek, Jennifer11 Mars 2014

Tregtia online e ushqimeve në Gjermani është në krahasim me produktet e tjera thuajse e papërfillshme.

https://p.dw.com/p/1BN5B
Fotografi: Fotolia/gpointstudio

Ata duan ta provojnë cilësinë e domateve, të mollëve, të shikojnë kanë apo jo krimba, të zgjedhin bananet që duken më të bukura dhe t'i blejnë të gjitha me një çmim të arsyeshëm. Me këto fjalë e shpjegojnë gjermanët se pse ata preferojnë të shkojnë në supermarket për të blerë ushqime të freskëta dhe nuk i blejnë ato përmes internetit. Shpesh rruga për në supermarketet si REWE, Aldi, Lidl, Kaiser apo Netto nuk është shumë e gjatë dhe dendësia e supermarketve në Gjermani është shumë e lartë, rreth 24.800 dyqane.

Tregtia online e ushqimeve në Gjermani është në krahasim me produktet e tjera thuajse e papërfillshme dhe përbën vetëm 0,35 përqind të tregtisë së përgjithshme të prodhimeve ushqimore.

Ältere Dame im Supermarkt
Fotografi: Fotolia/Gina Sanders

Megjithatë disa kompani të mëdha shohin në këtë fushë potencial: platforma e tregtisë në internet Amazon planifikon ta zgjerojë gamën e saj të ofertave për konsumatorët gjermanë me fruta, perime, peshk, mish dhe qumësht, pra me prodhime të freskëta. Në SHBA një gjë e tillë tashmë është në fazën e testimit. Por edhe sipërmarrja e dytë më e madhe tregtare gjermane e ushqimeve Rewe së cilës i përkastin edhe supermarketet discounter Penny, synon t'i zgjerojë shërbimet e saj në internet. "Ne kemi krijuar për këtë qëllim një Silicon Valley të vogël" tha së fundi për dpa-në shefi i grupit Rewe, Alain Caparros. Sipas tij kjo lloj tregtie do të përjetojë një bum.

Katërfishim deri në vitin 2020

Disa ekspertë mendojnë nisur nga përvoja në vende të tjera evropiane se deri në vitin 2020 në Gjermani do të ketë një katërfishim të blerjeve të ushqimeve përmes internetit. Mirko Warschun ekspert për këtë fushë thotë se që sot rreth 2 % e gjermanëve blejnë të paktën një herë në muaj ushqime online. Në Angli apo Francë klientët blejnë apo porositin edhe më shumë ushqime online, sqaron Lars Hofacker nga EHI Retail Institute në Këln. Në Francë aplikohet shumë koncepti drive-In.

Por Hofacker sqaron se konsumatorët gjermanë e shikojnë shumë çmimin kur është fjala për ushqimet dhe në dallim nga vendet e tjera mundohen të blejnë ushqime sa më të lira, prandaj suksesi i tregtisë së ushqimeve online, do të varet shumë edhe nga niveli i çmimeve. Por sipas Max Thinius nga Allyouneed çmimet pritet të jenë sa nëpër dyqane, sepse edhe në çmim ndikojnë edhe shpenzimet e magazinimit, të transportit dhe të logjistikës.

Dallime mes fshatit dhe qytetit

Ekpertët janë të bindur se edhe gjermanët do të blejnë në të ardhmen më shumë ushqime online. Banorët e qyteteve do t'i porosisin ushqimet online sepse këtë mund ta bëjnë nga kopjuteri apo celulari kudo dhe kurdo, kurse ata të fshatrave, sepse nëpër fshatra nuk ka aq shumë supermarkete sa nëpër qytete dhe kështu konsumatorët kursejnë rrugën.

Obst und Gemuesekorb
Fotografi: picture alliance/chromorange

Sipërmarrja Allyouneed parashikon si klientë potecialë familje, çifte apo edhe njerëz që në vend që të shtunën të rrinë në radhë për të bërë pazarin e javës, duan të bëjnë ndonjë shëtitje apo të shkojnë në kinema. Edhe shefi i grupit Rewe, Alain Caparros, mendon se shumë shpejt gjermanët do të fillojnë të blejnë ushqime online dhe po filluan kjo pririje do të përhapt shpejt si bacil.