1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Propaganda xhihadiste

Matthias von Hein9 Shtator 2014

Ideologjikisht islamistët terroristë janë si në Mesjetë. Por për propagandën e tyre ata përdorin mjetet e shekullit të 21. Rrjetet sociale në internet dhe elementet e kulturës Pop.

https://p.dw.com/p/1D8zZ
Fotografi: imago/Schöning

Vetëm në dukje kjo përbën kontraditë: Interpretimi jashtëzakonisht konservator i Kuranit nga islamikët terroristë të të ashtuquajturit shtet islamik dhe përdorimi prej tyre i mjeteve moderne të komunikimit. Youtube, twitter, facebook, instagram, në të gjitha platformat e mundshme në internet xhihadistët përhapin propagandën e tyre. Ata synojnë të fitojnë luftëtarë të rinj, përpiqen të frikësojnë kundërshtarët dhe të përhapin pretendimin e tyre se kanë krijuar një kalifat sipas udhëzimeve të kuranit. Propaganda e shtetit islamik synon të arrijë kryesisht të rinjtë, thonë ekspertë gjermanë të sigurisë për Deutsche Wellen. Grupi terrorist vepron kryesisht në fuqinë e pamjeve. Argumentet teologjikë luajnë një rol të dorës së dytë.

Estetika e lojërave kompjuterike si dhe elemente nga kultura muzikës hip-hop dhe rap shërbejnë për ta etabluar IS si markë dhe si mënyrë jetese. Kjo vlen të thuhet në rradhë të parë për videot xhihadiste.

Revista me shkëlqim për luftën, vdekjen dhe vrasjen

Por oferta është më e gjerë. Revista elektronike me shkëlqim idealizojnë luftën, vdekjen dhe vrasjet me porosi gjoja hyjnore në 50 faqe në anglisht dhe që nga fillimi i qershorit në gjermanisht. Përmes twitterit luftëtarët terroristë i lënë përkrahësit e tyre të marrin pjesë në luftime në kohë reale. Propagada bën efekt. Kompania e sigurisë Soufan-Group nga Nju Jorku flet, në një studim të publikuar në fillim të qershorit, për 12.000 luftëtarë nga 81 vende, që i janë bashkuar milicëve terroristë të shtetit islamik. Në mesin e tyre mendohet të jenë 2.500 luftëtarë nga vendet perëndimore, rreth 400 nga Gjermania. Dhe pikërisht ky është synimi kryesor i propagandës të IS, që të fusin më shumë njerëz në zonën e kontrollit të IS, thotë studiuesi i terrorizmit nga Londra, Peter Neumann.

Merr vesh nga kultura rinore. Denis Cuspert, raper.
Merr vesh nga kultura rinore. Denis Cuspert, raper.Fotografi: picture-alliance/dpa

Një revistë interneti i bën thirrje mjekëve myslimanë, inxhinierëve dhe specialistëve me ekspertizë teknike ushtarake, që të shkojnë në zonën e kontrolluar nga IS. Atyre u bëhet thirrje që të përmbushin detyrën e tyre si muslimanë. Dhe një tjetër fushë, ku janë të rëndësishëm ithtarët nga perëndimi, është zhvillimi dhe prodhimi i propagandës xhihadiste, e përshtatur për të arritur një audiencë perëndimore. Propaganda e IS kontrollohet nga të rinj nga Evropa dhe SHBA, thotë Jamie Bartlett nga instituti studimor britanik Demos në bisedë me DW: "Janë njerëz, për të cilët është krejtësisht e natyrshme që të përdorin mediat sociale si platformë për informimin dhe propagandën."

Propagandë për të fituar ithtarë të rinj

Për të përballuar dyndjen e tweeteve të xhihadistëve, Bartlett dhe ekipi i tij kanë zhvilluar një software të vetin. Ai mbledh dhe analizon automatikisht tweets. Fjala është për dimensione të mëdha. Bartlett flet për rreth 1,5 milionë tweets në lidhje me IS në një periudhë prej vetëm dy javësh.

Studjuesi i terrorizmit Peter Neumann
Studjuesi i terrorizmit Peter NeumannFotografi: Peter Neumann

Eksperti nga Londra i referohet një tipari të veçantë të mediave sociale: ata janë shumë të favorshme për të bërë që një lëvizje të duket më e madhe se ç' është në të vërtetë. Bartlett flet për 50.000 adresa twitteri, që kanë lidhje me IS. Por në rastin e mediave sociale nuk dihet kurrë, nëse çdo llogari përfaqëson një person, apo nëse një person mund të ketë 5000 llogari një twitter.

Sepse asgjë nuk është më i suksesshëm se suksesi. Kjo është shqetësuese edhe për presidentin e entit për mbrojtjen e kushtetutës, Hans-Georg Maaßen. Maaßen sheh një lidhje midis sukseseve, që IS ka patur në Irak, dhe aktiviteteve propagandistike për të afruar xhihadistë të rij. “Shteti Islamik është shumë në modë në këto rrethe. Ajo që njerëzit i intereson është brutaliteti i lartë, është radikaliteti, rigoroziteti. Dhe al-Kaida zbehet në fakt para brutalitetit të shtetit islamik."