Frontex: Gjithçka për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE?
14 Shkurt 2021Marko Gashperlin e kontaktuam përmes telefonit në Ministrinë e Brendshme Sllovene. Ai bën pjesë tek ata, që duan të zbusin tensionet e një debati të nxehtë. Në debatin mbi seriozitetin e vërtetë të problemeve në agjencinë evropiane për mbrojtjen e kufijve, Frontex, sidomos kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave themelore.
Kur është fjala për kufijtë e jashtëm të BE, ka pikëpamje të ndryshme, thotë Gashperlin. Qëndrime të organizatave të të drejtave të njeriut, që denoncojnë shkeljet, dhe qëndrime të policisë, të mbrojtësve të kufirit, të rojeve bregdetare, detyra e të cilëve është të pengojnë migracionin ilegal.
„Ne duhet ta shqyrtojmë secilin rast, kur ka akuza", thotë Gashperlin, "por jo gjithçka është e bardhë apo e zezë."
Sipas investigimeve të mediave të ndryshme dhe raportimeve të OJQ-ve në kufijtë me Bullgarinë, Hungarinë, Kroacinë apo Greqinë punonjësit e agjencisë evropiane të mbrojtjes së kufirit shpesh pranojnë, që policët e këtyre shteteve i kthejnë mbrapsht refugjatët dhe emigrantët, ndonjëherë edhe me dhunë.
Për shkak të këtyre akuzave këshilli administrativ i Frontexit, i kryesuar nga Marko Gashperlin, krijoi një grup pune dhjetorin e kaluar. Tetë nga akuzat janë sqaruar, pesë janë ende të hapura, thotë Gashperlin për DW. Raporti përfundimtar pritet në fund të shkurtit
Nga njëri problem te tjetri
Këshilli administrativ i Frontex-it nuk është institucioni i vetëm, që po kryen hetime. Mësohet se që nga janari autoriteti i BE kundër mashtrimit OLAF po kryen hetime kundër agjencisë evropiane të mbrojtjes së kufirit me seli në Varshavë. OLAF e konfirmon për DW investigimin, por thekson se Frontex konsiderohet i pafajshëm deri në një njoftim tjetër. Sipas raportimeve të mediave hetimet përfshijnë mobing, mashtrim dhe kthim të migrantëve.
Kërkesës së DW Frontex i përgjigjet, se agjencia aktualisht nuk është në gjendje të japë intervistë. Zgjerimi aktual e vë agjencinë para "sfida masive", që janë thelluar me shpërthimin e pandemisë COVID-19, thotë një zëdhënës. Në fakt deri në vitin 2027 Frontex do të zgjerohet nga rreth 1.500 në rreth 10.000 punonjës. Kjo rezervë e përhershme ka për qëllim të ndërmarrë veprime kundër krimit ndërkufitar dhe të ndihmojë shtetet e BE-së në kontrollin e kufijve dhe në të ashtuquajturat kthime të migrantëve.
"Shfajësim jo fort bindës"
Ky zgjerim mund të jetë një nga arsyet e problemeve aktuale të Frontex-it, por jo një justifikim bindës, thotë Tineke Strik. Europarlamentarja hollandeze fajëson kreun e agjencisë, francezin Fabrice Leggeri.
"Ai është dashur të thotë se gjërat po ecin shumë shpejt dhe se nuk jemi në gjendje t‘u përmbahemi të gjitha rregulloreve të BE", mendon Strik. "Por ai donte gjithnjë e më shumë. Më shumë personel, më shumë detyra, kur është fjala për kthime dhe sigurinë e brendshme."
Frontex konsiderohet si agjenci shumë hierarkike. Ka kritika të shumta edhe për mungesë transparence për mënyrën se si agjencia vepron dhe shqyrton problemet. Në fakt Frontex duhet të mbajë sytë dhe veshët hapur për të dashur me të vërtetë të mësojë, nëse në kufi shkelen të drejtat e njeriut, thotë Tineke Strik. "Por unë nuk e kam këtë ndjesi.”
Mbrojtja e kufirit të jashtëm prioriteti më i lartë
Por fakt është që Frontex nuk vepron në një zonë të zbrazët. Mbrojtja e kufijve të jashtëm është shumë e rëndësishme për shtetet e BE, thotë Strik. Prandaj ata ushtruan presion të madh politik, që agjencia të zgjerohej. Shpresa: Frontexi zgjidhja e çështjes së migracionit. Kritika sidomos nga OJQ-të: të drejtat e njeriut nuk janë këtu gjëja më e rëndësishme.
Lena Düpont, eurodeputete gjermane e Grupit Parlamentar Kristiandemokrat të PPE, mendon se përgjegjësia qëndron te vendet anëtare të BE. Por në tjetër një aspekt: nëse vendet e BE e duan Frontex-in, ata nuk duhet të kursejnë, kur është fjala për personel ose financa.
Përsa i përket kryetarit të Frontex Leggeri, ajo thotë: "Është mirë që ne po e shoqërojmë në mënyrë kritike Frontex-in me Scrutiny Working Group, një grup i ri pune në Parlament. Me sa duket, ka ende shumë diskutime për t'u bërë në Këshilin Administrativ”.
Nga Ministria e Brendshme Sllovene kryetari i këtij këshilli Marko Gashperlin kërkon mirëkuptim, që nuk mund të japë sqarime për këtë çështje. Kritikat po shqyrtohen. Kur bëhet fjalë për kufijtë e BE, këto ditë dëgjohet edhe se: "Jo të gjithë ata që arrijnë në kufij, janë në nevojë dhe për rrjedhojë kanë të drejtën e azilit".
Gjithsei të drejtën për të kërkuar azil BE duhet t'ia garantojë secilit.