1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francë: Macron refuzon dorëheqjen e kryeministrit Attal

8 Korrik 2024

Pas humbjes së partisë në pushtet në zgjedhje, kryeministri francez Attal ofroi dorëheqjen. Presidenti Macron tani e ka refuzuar atë për të "garantuar stabilitetin e vendit". Çfarë mund të presë Evropa?

https://p.dw.com/p/4i1Po
Frankreich | Premierminister Gabriel Attal (links) und Präsident Emmanuel Macron
Fotografi: Ludovic Marin/AP/picture alliance

Kryeministri francez Gabriel Attal do të qëndrojë në detyrë pavarësisht humbjes së partisë në pushtet në zgjedhjet legjislative. Presidenti Emmanuel Macron ka refuzuar kërkesën e Attal për dorëheqje "për momentin" dhe i ka kërkuar atij të qëndrojë në detyrë për të "garantuar stabilitetin e vendit", siç raportohet nga Elysée.

Attali kishte njoftuar dorëheqjen e tij të dielën në mbrëmje. Megjithatë, ai shprehu edhe gatishmërinë për të qëndruar në detyrë më gjatë "për aq kohë sa ta kërkon detyra". Besohet se ai mund të qëndrojë në detyrë edhe për disa javë për t'u marrë me çështjet aktuale, gjithashtu me Lojërat Olimpike, të cilat fillojnë në Paris më 26 korrik.

Gabriel Attal
Fotografi: LUDOVIC MARIN/AFP/Getty Images

Qeveria humbet shumicën

Të dielën, aleanca e krahut të majtë Nouveau Front Populaire (Fronti i Ri Popullor) fitoi papritur raundin e dytë të zgjedhjeve legjislative. Kjo aleancë fitoi rreth 180 mandate.

Pala qeveritare humbi shumicën e mëparshme dhe kaloi nga 250 në rreth 160 mandate. Partia populiste e krahut të djathtë Rassemblement National (RN), e cila sipas sondazheve mund të aspironte shumicën, doli e treta me rreth 140 mandate. Kjo do të thotë se asnjë nga tre kampet nuk arriti një shumicë të aftë për të qeverisur. Një shumicë absolute kërkon 289 nga 577 vendet në Asamblenë Nacionale.

Edhe pse janë numëruar të gjitha zonat, shifrat nuk janë të qarta, pasi shumë kandidatë u përkisnin partive të vogla dhe ndarja e palëve nuk është gjithmonë e qartë. Para datës 18 korrik duhet të formohen grupet parlamentare, secili me të paktën 15 deputetë. Këto nuk korrespondojnë domosdoshmërisht me aleancat parazgjedhore. Aleanca e majtë - si paraardhësi i saj Nupes - ka të ngjarë të ndahet në disa grupe parlamentare.

 (LFI), Jean-Luc Mélenchon
Jean-Luc Mélenchon, (LFI)Fotografi: Thomas Padilla/AP Photo/picture alliance

Pritet një formim i vështirë i qeverisë

Pavarësisht humbjes në zgjedhje, ky mbetet rezultati më i mirë në histori për RN. Në suksesin e saj më të madh deri sot, partia fitoi 89 mandate në 2022. Pas raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare më 30 qershor, RN ishte në krye. Për shkak të ideve nganjëherë të ndryshme të secilës palë, formimi i një qeverie po rezulton i vështirë. Një fazë e destabilitetit politik po afrohet.

Cili është plani kohor për të formuar qeverinë?

Macron mund të presë deri pas pushimeve parlamentare të verës për të emëruar një kryeministër. Megjithatë, Parlamenti i sapozgjedhur do të mbajë seancën e parë më 18 korrik. Në këtë mbledhje do të zgjidhet kryetari i Asamblesë. Të nesërmen do të merren vendimet për nënkryetarët dhe emërimet e komisioneve.

Çfarë ndodh nëse nuk formohet qeveria?

Qeveritë e koalicionit me disa partnerë deri tani kanë qenë të rralla në Francë. Kjo i vështirëson negociatat. Nëse një qeveri nuk arrin të formohet, Macroni mund t'i kërkojë kryeministrit Attal të qëndrojë në detyrë me qeverinë aktuale përkohësisht për momentin. Kjo periudhë kalimtare mund të zgjasë disa javë. Macroni mund të formojë më pas një qeveri teknike të përbërë nga ekspertë, zyrtarë të lartë dhe ekonomistë. Shpërndarja e Parlamentit dhe zgjedhje të reja nuk mund të bëhen pa kaluar një vit.

Marine Le Pen
Marine Le PenFotografi: Jonathan Rebboah/Panoramic/IMAGO

Çfarë mund të presë Evropa?

Deri tani, aleanca e majtë e ka lënë të hapur çështjen e lidershipit dhe nuk ka asnjë program të përbashkët. Në këtë kuptim, ende nuk është e qartë se çfarë politikash do të zbatonte nëse do të vinte në pushtet.

Ajo që është e sigurt është se aleanca është qartësisht pro-evropiane, përveç disa pjesëve të skajit të majtë, dhe është gjithashtu fort në favor të mbështetjes së Ukrainës kundër luftës së agresionit rus. Në rast të një bllokade politike në Francë, Berlini dhe Brukseli nuk do të mund të llogarisin më Francën si një partner të fortë. Franca do të ishte më e fokusuar te administrimi sesa te nisja e projekteve të reja.

aud (dpa/ard)