Franca dhe Afganistani
20 Janar 2012Katër ushtarë francëzë të cilët shërbenin në kuadër të misionit Forca Ndërkombëtare për Siguri dhe Asistencë (ISAF) janë vrarë nga një burrë, i cili mbante veshur uniformën e një ushtari afgan. Sulmi ndodhi paraditen e sotme në luginën Tgahab në rajonin Kapisa.
Presidenti francez Nicolas Sarkozy si kundërpërgjigje ndaj sulmit, vendosi të pezullojë të gjitha operacionet ushtarake dhe trajnimet e kryera nga trupat franceze.
“Trupat franceze janë përkrah aleatëve, por ne nuk mund të pranojmë që asnjë ushtar i yni të plagoset apo të vritet nga aleatët. Kjo është e papranueshme”, tha Sarkozy, i cili nuk përjashtoi edhe një tërheqje të parakohshme nga Afganistani.
Arrestohet sulmuesi
Sipas një zëdhënësi të misionit ISAF, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara ë Amerikës, ushtari afgan është arrestuar menjëherë dhe po mbahet në qeli.
Sulmi vjen pothuajse pas një muaji kur dy ushtarë francezë u qëlluan për vdekje nga një burrë i veshur si ushtar afgan po në të njëjtin rajon. Talibanët morën përgjegjësinë për atë sulm.
Sipas Associated Press, me incidentin e fundit numri i ushtarëve francezë të vrarë gjatë 12 muajve të fundit shkoi në 30, ndërsa numri total i tyre që nga fillimi i luftës në vitin 2001 është 80.
Në një tjetër incident 6 ushtarë amerikanë humbën jetën në provincën Helmand, pasi helikopteri i tipit CH-53, me të cilin u rrëzua.
Në një deklaratë të shkurtër, ISAF deklaroi se arsyeja e rrëzimit është ende në hetim.
“Sidoqoftë, raportet paraprake thonë se në momentin e rrëzimit të helikopterit në atë zonë nuk kishte aktivitet armik,” thuhet në deklaratë.
Autor: Darren Mara, Sarah Berning/ Amarildo Topi
Redaktoi: Bahri Cani