1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëFrancë

Franca: Pararojë në luftën kundër disinformimit

10 Prill 2024

Lufta e Francës kundër manipulimeve dhe disinformimit në internet po tërheq vëmendjen ndërkombëtare. Kjo politikë duket premtuese në prag të zgjedhjeve të BE-së në qershor dhe Lojërave Olimpike në Paris në korrik.

https://p.dw.com/p/4eayI
Që prej sulmit kibernetik gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, Franca lufton sistematikisht disinformimin dhe lajmet e rreme
Që prej sulmit kibernetik gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, Franca lufton sistematikisht disinformimin dhe lajmet e rreme Fotografi: picture alliance/dpa

5 maji i 2017 ishte për Francën moment vendimtar: hakerët postuan në një faqe interneti 20 mijë e-maile të ekipit të atëhershëm zgjedhor të Emanuel Macronit. Nxjerrja e padëshiruar e informacioneve në rrjet ndodhi direkt para zgjedhjeve të balotazhit të 7 majit 2017, midis kandidatëve për president, Macron dhe Marine Le Pen.

Për punonjësit e ekipit të atëhershëm zgjedhor ishte e qartë se "Kishin të bënin me një sulm masiv dhe të koordinuar hakerësh, që kishin si synim të destabilizonin demokracinë.” Nuk është e qartë kush ishte përgjegjës për manovrën e bërë, sipas të përditshmes franceze "Le Monde”, sulmi ishte kryer nga hakera që kishin marrë detyrë prej Rusisë.

Vepra dhe jo fjalë

Të ashtuquajturat "rrjedhje të padëshiruara informacionesh të Macronit”, nuk e penguan zgjedhjen e tij si president. Por ato bënë që në Francë njerëzit të fillonin të mendonin ndryshe. Ndërkohë vendi bën pjesë në vendet pararojë që luftojnë manipulimin e informacioneve, thonë ekspertët. Ky sukses mund të jetë sidomos i rëndësishëm për zgjedhjet europiane të 6 qershorit dhe Lojërat Olimpike verore.

"Që prej 2017 ne jemi të ndërgjegjshëm sa i rrezikshëm është disinformimi,” shpjegon në një bisedë me Deutsche Wellen, Marc-Antoine Brillant.

Lojërat Olimpike në Paris
Vëmendje maksimale për Lojërat Olimpike që zhvillohen në Paris nga 26.07 deri më 11.08 Fotografi: Apaydin Alain/ABACA/picture alliance

Ai është shef i qendrës franceze (Viginum) për kontrollin e ndikimit digjital nga vendet e huaja dhe ka 50 punonjës.

Kjo qendër është krijuar më 2021 dhe varet nga kryeministri. "Demostratat e jelekëve të verdhë të fundit të 2018-ës, Corona, atentati ndaj mësuesit të historisë, Samuel Pati në tetor të 2020, tregojnë se manipulimi është bërë më masiv,” thotë Brillant.

Informacione joserioze me mbulesë serioze

Viginum zbulon rregullisht disinformacione. Këtu bën pjesë edhe e ashtuquajtura fushata "Sozitë” që u zhvillua në shtatë vende të BE-së. Në këtë fushatë u hodhën në portale të caktuara lajme jo të vërteta dhënë nga media që në sipërfaqe duken si media të njohura, por në fakt janë marka të falsifikuara. Si objektiv ishte vënë justifikimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Protesta kundër rregullave të Coronës në vitin 2021 në Paris
Protestat e lëvizjes së jelekëve të verdhë kundër rregullave të Coronës në vitin 2021 ndikuan në ndarjen politike të shoqërisë në FrancëFotografi: Sarah Meyssonnier/REUTERS

Ose i ashtuquajturi "Rrjeti- Portal- Kombat”: 193 faqe interneti ishin krijuar nga një ndërmarrje e gadishullit të Krimesë, pushtuar që në vitin 2014 nga Rusia, nga ku u shpërnda propaganda proruse në Francë, Gjermani dhe Poloni.

Kujdes: Sulm!

"Viginum është një rrugë demokratike, transparente për të luftuar sulme të tilla, me shtetin e së drejtës,” thotë Brillant. "Ne krijojmë rezistencë, duke i bërë njerëzit të vetëdijshëm për ekzistencën e sulmeve të tilla.”

Jiore Craig, bashkëpunëtore shkencore në Institutin londinez për Dialog Strategjik
Jiore Craig, bashkëpunëtore shkencore në Institutin londinez për Dialog StrategjikFotografi: privat

Franca ndodhet mes vendeve pararojë, thekson Jiore Craig, bashkëpunëtore shkencore në Institutin londinez për Dialog Strategjik. Specialistja për integritetin digjital merret që nga viti 2013 me manipulimin e zgjdhjeve në gjithë botën.”Që prej zgjedhjeve amerikane dhe referendumit të Brexit-it të 2016-ës ne e dimë se informacionet e falsifikuara kërkojnë të minojnë demokracinë tonë”, thotë ajo për Deutsche Wellen.

"Kontrollet e fakteve nuk mjaftojnë"

"Zgjedhjet parlamentare europiane të 2019-ës dhe Corona kanë treguar se vetëm kontrollet e fakteve nuk mjaftojnë. Ajo që na duhet është një qasje sistematike që të na tregojë kush përhap lajme të gabuara në cila rrjete të internetit. Këtë koncept Franca e ka vënë në jetë si një ndër vendet e para."

Për David Colon, profesor historie në Universitetin e shkencave politike të Parisit, thotë se ka kohë që nuk kemi më të bëjmë vetëm me atributet "e vërtetë” ose "e gabuar”. "Sulmuesit mundohen të krijojnë sa më shumë konfuzion që të jetë e mundur dhe mundohen të shkatërrojnë besimin tonë tek institucionet demokratike,” thotë ai i bindur. Colon është një nga ekspertët drejtues të Francës në çështjet e manipulimit të informacioneve. Për të pushtimi rus i Ukrainës përbën momentin e kthesës. Këto sulme, që kanë ardhur kryesisht nga pala ruse, patën filluar më herët.

"Në shkurt 2004 Dimitri Medvedev, njeriu besnik i Putinit dhe më vonë president i vendit, tha se Kremlini duhet të përkrahë partitë europiane që janë kundër sistemit – sipas Moskës në Francë këto parti janë partia ekstremiste e djathtë RN e ish-kandidates për presidete Marine Le Pen dhe partia shumë e majtë, LFI,” thotë ai.

Rusia si aktor kryesor disinformimi: "Mbjellje dyshimi"

Le Pen pati marrë në vitin 2014 një kredi prej nëntë milionë eurosh nga një bankë me qendër në Pragë, banka First Czech-Russian Bank. "Duke ndihmuar parti të tilla, Rusia do që të nxisë përçarjen në shoqërinë tonë, në mënyrë që ajo të shkatërrohet vetë,” shton Colon. "Kremlini nxit frikën nga aktet terroriste dhe kërkon kështu që të mbjellë dyshimin, nëse është apo jo në gjendje Franca që të organizojë Lojërat Olimpike dhe Paralimpike", thotë ai.

Edhe Lutz Güllner, drejtor i sektorit për komunikimin strategik në Ministrinë europiane për çështjet e jashtme (EAD), mendon se Rusia është aktori kryesor i disinformimit. Sektori i tij me 42 punonjës, ka krijuar një rrjet të qeverive europiane për paralajmërimin e hershëm të rreziqeve.

Paralajmërim prej rreziqeve kibernetike
Paralajmërim prej rreziqeve kibernetikeFotografi: Kacper Pempel/REUTERS

"Struktura e Francës është krijuar shumë mirë,” thekson ai dhe përmend një vend tjetër pararojë: Suedinë. "Atje është krijuar e ashtuquajtura "Agjenci për mbrojtjen psikologjike”, që merret kryesisht me zbulimin por edhe me reagimin dhe krijimin e rezistencës nëpërmjet fushatave të synuara të edukimit”.

"Franca nuk është më kot objektiv fushatash manipulimi”, shpjegon Arthur de Liedekerke. Ai është drejtor për çështjet europiane të firmës konsultuese belge, Rasmussen Global dhe ka punuar më parë si këshilltar për çështjet strategjike në ministrinë e Jashtme franceze. "Ushtria jonë është prezente në disa vende të ndryshme, ne shpesh organizojmë takime të mëdha të niveleve të larta dhe aktivitete ku politikanët tanë prezantojnë rregullisht çështje provokuese, si ajo e para pak kohësh, sipas të cilës Macron nuk mbështet dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë.”

Pas përvojës së viteve të kaluara studiuesi Colon bën një bilanc pozitiv të luftës sistematike kundër disinformimit: "Franca është mbase shpesh objektiv i këtyre sulmeve, por tani ne jemi duke u mbrojtur kundër tyre. Ka kohë që Franca nuk është më e dobët.”

Lisa Louis Frankreich Paris Kommentarbild
Lisa Louis korrespondente nga Parisi