FPÖ: Forca e tretë politike e Austrisë
17 Tetor 2017DW: Më shumë se 26 përqind për FPÖ-në, ky është rezultati më i mirë për Partinë e Lirisë që prej vitit 1999. Çfarë flet pro një koalicioni midis fitueses së zgjedhjeve, ÖVP dhe FPÖ-së?
Gärtner: Është pikërisht tema me të cilën ka fituar vota të dyja partitë. Migrimi, refugjatët, imigrimi. Në këtë fushë politike ka përkime të mëdha. Një mundësi duket e afërt që ata të bien dakord për një koalicion. Megjithatë duhet thënë: mund të çojë në një lloj konflikti. Sepse kush do ta ketë fjalën e fundit kur të bëhet fjalë për ligje të reja pë imigrimin? Kush do ta drejtojë Ministrinë e Brendshme? Kjo mund të krijojë tensione, por shumëçka flet fort për një koalicion ÖVP-FPÖ.
ÖVP-ja nën Sebastian Kurz-in u zhvendos shumë nga e djathta në çështjet e refugjatëve dhe të politikës kundër të huajve, megjithatë kjo nuk i mori vota FPÖ-së. Kjo është e pazakontë: si shpjegohet kjo?
Kjo është e drejtë, por duke u nisur nga ndjenja, pa qenë në gjendje që ta vërtetoj në mënyrë empirike me saktësi, Kurz dhe ÖVP ishin në fazën e fundit të fushatës elektorale shumë më të ashpër se FPÖ -ja, përsa i përket migrimit. Kurz-i mori një qëndrim shumë më të ashpër kundër fesë islame dhe islamizmit, se FPÖ. Shumë zgjedhës, që e mbështesin këtë këndvështrim, do të kishin kaluar normalisht në kampin e FPÖ-së. Por deklaratat e ashpra të Kurz-it bënë që ÖVP dhe kandidati i saj kryesor të jenë ata që mblodhën pikë.
Ekzistojnë natyrisht edhe zgjedhësit tradicionalë të FPÖ-së, që i mbeten asaj besnikë. FPÖ-ja u forcua në dekadat e fundit, kur tema e refugjatëve dhe e imigrimit nuk ekzistonte fare si temë e madhe politike. Prandaj mund të thuhet se FPÖ-ja po përjeton një rritje në njëfarë mënyre "të natyrshme". Dhe kjo i dallon ata natyrisht nga partitë e tjera të djathta, si AfD, që sapo e kanë nisur punën.
Si do të shprehet politikisht zhvendosja nga e djathta në Austri? A do të kemi një "Orbanizim" si në Hungari?
Një koalicion të tillë e kemi pasur njëherë, në fillim deri në mes të dekadës së fundit. Në politikën e brendshme pati shkurtime të mëdha në shërbimet sociale, edhe e drejta penale u ashpërsua. Kur flisni për një "Orbanizim": do të ketë një afrim me shtetet e Vishegradit, për këtë jam shumë i sigurtë. Gjë që në parim për mua nuk është negative, kur ke marrëdhënie më të mira me shtetet fqinjë. Një "Orbanizim" është ndoshta një term i gjerë, por mendoj që do të ecim në drejtim të një demokracie luajale, pra kur kërkohet 100% besnikëri, pa ardhur në dobësim ose shpërbërje të strukturave demokratike. Po koncepti "demokraci luajale" do ta përshkruante fare mirë. Ai nuk shkon kaq larg sa Orbani në Hungari.
Prof. Heinz Gärtner është politolog në Universitetin e Vjenës.