Formimi i qeverisë së Geert Wilders fillon me dështime
27 Nëntor 2023Bisedimet për të formuar një qeveripas fitores elektorale të populistit të djathtë Geert Wilders në Holandëkanë ngecur pak para fillimit. Gom van Strien, ndërmjetësi i caktuar nga Wilders për të udhëhequr bisedimet, njoftoi dorëheqjen pas raportimeve të mediave për mashtrim në kompaninë e tij të mëparshme. "Trazirat" rreth ankesave dhe koha e nevojshme për t'iu përgjigjur në mënyrë adekuate "nuk i përshtaten punës sime" si ndërmjetës, shpjegoi van Strien.
Ndërmjetësi u largua para se të fillonte punën
Senatori nga Partia e Lirisë së Wilders (PVV) vazhdoi duke thënë se për këtë arsye ai kishte informuar Wilders dhe Kryetarin e Parlamentit për dorëheqjen e tij nga detyra. Van Strien duhet të kishte nisur zyrtarisht bisedimet e koalicionit dhe të takohej me krerët e partive. PVV fitoi 37 nga 150 vendet në zgjedhjet e së mërkurës së kaluar.
Formimi i një qeverie është tradicionalisht i vështirë në Holandë për shkak të fragmentimit të fortë të sistemit politik. Katër ose më shumë parti shpesh nevojiten për të formuar një kabinet. Kjo është arsyeja pse, pas zgjedhjeve, tradicionalisht emërohet një këshilltar ndërmjetësues për të eksploruar mundësitë e një koalicioni. Ai bisedon me të gjitha grupet parlamentare. Vetëm atëherë palët fillojnë negociatat reale.
Partia e Rutte-s refuzon Wilders-in
Detyra tashmë e vështirë është bërë edhe më e vështirë për Wilders-in pasi kryetarja e partisë konservatore në pushtet VVD, Dilan Yesilgöz, tregoi se nuk dëshiron të jetë pjesë e qeverisë. Ajo njoftoi të premten se do të kufizohej vetëm në "mbështetjen" e një aleance të qendrës së djathtë. Kjo do të thotë se partia e saj do të vendosë rast pas rasti nëse do të votojë në favor të një qeverie të pakicës të udhëhequr nga Wilders. Partia VVD e ende-kryeministrit Mark Rutte pësoi humbje të konsiderueshme në zgjedhje.
Fitorja për Wilders-in, i cili i ka përshkruar si modele ish-presidentin e SHBA Donald Trump dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban përbën një tërmet politik për Holandën. Gjatë fushatës zgjedhore, ai njoftoi se do të ndalojë të gjithë imigracionin, do të shkurtojë kontributet holandeze për Bashkimin Evropian dhe do të parandalojë anëtarësimin e anëtarëve të rinj, si Ukraina. Wilders kundërshton gjithashtu dërgesat e reja të armëve në Kiev. Së fundi, ai e refuzon ashpër fenë islame dhe polemizon ashpër kundër muslimanëve dhe emigrantëve.
aud/sti (afp,dpa,rtr)