Forconi gratë për të luftuar urinë
17 Tetor 2009Një miliard njerëz vuajnë aktualisht nga varfëria apo uria. Indeksi për urinë në botë 2009 e bën të qartë: gjendja më e vështirë vazhdon të mbetet në Afrikë dhe jug të Azisë. Sipas raportit gjendje veçanërisht e keqe sundon në Etiopi, Burundi, Republikën Demokratike të Kongos, Eritre, Sierra Leone dhe në Çad. Për Ousmane Badiane, drejtor i sketorit për Afrikën pranë Institutit Ndërkombëtar për Hulumtimet e Politikave Ushqimore, IFPRI është e qartë se ku qëndron problemi.
"Të gjitha këto janë vende të cilat brenda dhjetë apo 15 viteve të fundit kanë qenë në luftë. Ky është një prej faktorëve të parë. Stabiliteti social dhe paqja janë faktorë të rëndësishëm nëse duam të luftojmë urinë dhe mungesën e ushqimit", thotë ai.
Rajoni i Saharasë me përkeqësimet më të mëdha
Të gjitha vendet ku është përkeqësuar gjendja në dy dekadat e fundit ndodhen në Afrikë në jug të Saharasë. Për dallim gjendja është përmirësuar në Azinë e Jugut, në Lindjen e Mesme, në Afrikën eVeriut si dhe në Amerikën Latine dhe në Karaibe. Si për shembull, sqaron Ousmane Badiane, në Vietnam, Malajzi dhe në Fixhi, në Arabinë Saudite, Tunizi dhe Kuvajt, në Turqi, Meksikë, Nikaragua dhe në Brazil.
"Dy gjëra mund të vërhen tek shumica e këtyre vendeve: e para, ato për një kohë të gjatë gëzojnë stabilitet politik dhe social dhe kanë pësuar zhvillim ekonomik. Një faktor tjetër është që qeveritë në shumicën e këtyre vendeve kanë qenë në gjendje për ndërmarrjen e masave proaktive sociale të cilat mund të mbrojnë të rrezikuarit dhe ata që vuajnë nga uria", pohon Badiane.
Problemet e vendeve në zhvillim
Ndërkaq në vendet me zhvillim kriza financiare ka bërë që njerëzit pa sigurim social menjëherë të kalojnë në grupin e atyre me gjendje të urisë. Indeksi për urinë në botë 2009 del këtë vit me një propozim konkret për të pakësuar në të ardhmen urinë dhe varfërinë: forcimin e gruas. Kryetarja e Organizatë gjermane për urinë botërore, Bärbel Dieckmann nënvizon se mund të dëshmohet se "aty ku gratë nuk janë të barabarta me burrat, ku gratë kanë më pak të drejta, ku gratë shkojnë pesë hapa pas burrave, uria është më e madhe se sa në vendet ku gratë mund të marrin përsipër përgjegjësitë ekonomike. Gratë e ndiejnë veten përgjegjëse për familjet e tyre, gratë janë shpesh ato që mbeten në një fshat ndërkohë që burrat shkojnë dikund".
Gratë duhet të marrin më shumë përgjegjësi
Porosia e qartë: gratë nuk duhet edhe më tej të lihen në hije në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe pjesëmarrjen në jetën ekonomike dhe politike. Posaçërisht sipas raportit është shumë me rëndësi që ato të inkuadrohen në një veprimtari ekonomike. Megjithatë a është ndihma në zhvillim në të vërtetë çelësi për të luftuar urinë në aspektin afatagjatë? Këtë vit ka pasur shumë mendime të kundërta: Ekonomistët afrikanë kanë këruar bile që të ndërpriten më tërësi ndihmat. Arsyetimi i tyre: njeriu mund ta ndihmojë vetveten. Bärbel Dieckmann është e bindur se pyetjet kritike janë gjithnjë të drejta nëse mirret parasysh që mbi qindra miliardë euro për çdo vit ndahen në botë në kaudër të ndihmave për zhvillim. Megjithatë ai bazohet në sukseset e punës së deritanishme.
"Në Afrikë sot ka më shumë demokraci se që ka patur më parë. 80 për qind e vajzave ndërkohë shkojnë në shkollë në mbarë botën, kanë një arsimim fillor, ne kemi mundësi më të mira ekonomike për vendet në zhvillim, gjendja shëndetësore është përmirësuar, ka mjete për lufitmin e malaries dhe po ashtu do të pakësohej edhe numri i të uriturëve sikur mos të kishim një shtim kaq të lartë të popullsisë", pohon Dieckmann.
Autore: Katrin Schilling
Redaktoi: Bahri Cani