1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fjalim prekës për Çmimin e Paqes të Tregtisë së Librit

Aya Bach/ Auron Dodi14 Tetor 2013

Me dhënien e Çmimit të Paqes të Tregtisë Gjermane të Librit shkrimtares bjelloruse, Svjetllana Aleksijeviç u mbyll Panairi i Librit të Frankfurtit: mbyllje dinjitoze e një panairi që kërkon më shumë kontakt me njerëzit.

https://p.dw.com/p/19yto
Fotografi: Daniel Roland/AFP/Getty Images

Për Svjetllana Aleksijeviçin të jetosh do të thotë të lexosh - apo e anasjellta? Ajo bën pjesë në brezin që është edukuar "nga librat, jo nga realiteti", ka thënë ajo njëherë. Këtë brez e ndesh edhe në librin e saj më të fundit, "Koha secondhand". Në të ajo bën ta marrin fjalën njerëz, që i kanë treguar asaj për një jetë në gërmadhat e Bashkimit Sovjetik të rrënuar, për ëndrra të dështuara dhe për biografi të shkatërruara. Se çfarë rëndësie ekzistenciale kanë pasur librat për brezin e saj, janë të paktë ata që mund ta përfytyrojnë në Perëndim. Atje bëheshin biseda në kuzhinë për poetin Mandelstam, gatuhej supa me një roman në dorë. Por Svjetllana Aleksijeviç e di edhe se që prej fundit të Bashkimit Sovjetik, të gjitha këto nuk kishin më rëndësi: "fjalët e humbën kuptimin".

Publiku në ethet e panairit

Megjithatë: njerëz që nuk duan të jetojnë pa letërsi pa dyshim që edhe ka në një botë, ku librat hidhen me ngut si mall në treg. Dhe duket se Panairi i Librit të Frankfurtit, më i madhi në botë dhe tregu më i rëndësishëm i licensave, e ka rizbuluar këtë vit lexuesin. Me më shumë aktivitete sa kurrë më parë, 3500, rreth 700 në ditë. Publiku kishte më shumë mundësi se kurrë që të infektohej nga temperatura e panairit.

Topografia e vdekjes

Në një kohë që panairi ripërtërihet në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të tendencave dhe ideve, mbyllja e tij ceremoniale mbetet e pandryshuar që prej mbi gjashtë dekadave: dhënia e Çmimit të Paqes të Tregtisë Gjermane të Librit në kishën Paulskirche të Frankfurtit. Personat që e kanë marrë këtë çmim të krijuar me iniciativën e librashitësve, që prej vitit 1950, me natyrën e tyre të guximshme, nganjëherë edhe të diskutueshme dhe me fjalimet e tyre kanë ngjallur herë pas here debate intelektuale.

Çmimit i Paqes i Tregtisë Gjermane të Librit i jepet Svjetllana Aleksijeviçit
Çmimit i Paqes i Tregtisë Gjermane të Librit i jepet Svjetllana AleksijeviçitFotografi: Daniel Roland/AFP/Getty Images

Në më të guximshmet me siguri bën pjesë Svjetllana Aleksijeviç, që si gazetare dhe shkrimtare e vë gishtin herë pas here në plagët e historisë sovjetike. E lindur më 1948 në Ukrainë, ajo u rrit në Bjellorusi, e cila ishte shkretuar dhe shpopulluar: në Luftën e Dytë Botërore që vrarë një e treta e popullsisë. "Kjo topografi e vdekjes dhe luftës për të mbijetuar," tha historiani Karl Schlögel në fjalën e tij të lëvdimit, ishte e njohur për gazetaren e re. Dhe ajo përcaktoi edhe punën e saj si shkrimtare. "Unë kam shkruar pesë libra, por në thelb unë shkruaj prej më shumë se që prej 40 vjetësh një libër të vetëm", shpjegoi Svjetllana Aleksijeviç në fjalën e saj të falenderimit, "shkruaj një kronikë ruso-sovjetike: revolucion, gulag, luftë...Çernobil...fundosja e "Perandorisë së kuqe".""

Kokrriza rëre të historisë

Ngjarje që formuan një shoqëri të tërë. Aleksijeviçi i nxjerr ato në dritë. "Pas nesh ndodhet një det gjaku dhe një varr gjigand vëllezërish", tha ajo në Paulskirche, "në librat e mi është "njeriu i vogël" ai që tregon për vete. Kokrriza e rërës e historisë. Atë nuk e pyesin kurrë, ai zhduket pa gjurmë, sekretet ai i merr me vete në varr. Unë shkoj tek ata që nuk kanë zë. Unë i dëgjoj, i përgjoj. Rruga është për mua një kor, një sinfoni. Të vjen pafundësisht keq, sa shumë gjëra thuhen, pëshpëriten, thuhen me zë të lartë drejt asgjësë".

Ashtu si në librat e saj, edhe në fjalimin e saj ajo montoi copëza të historisë. Këto ajo i ka mbledhur pas fundit të BS "Në bazë të anketimeve, njerëzit janë për Stalinin, për një "dorë të fortë" dhe për socializmin. Fundi i "njeriut të kuq" është anulluar." Një punonjës i vjetër i KGB-së më tha në tren fare hapur:"Pa Stalinin te nuk është e mundur të arrihet asgjë. Çfarë njeriu? Asgjë.""

Një fjalim prekës. Pas kësaj, publiku u rikthye në orët e fundit të panairit, ku shtëpitë botuese dhe librashitësit bënë të dielën pasdite bilancin e parë pozitiv. Po është pjesë e historisë së papërsëritshme të Panairit të Librit të Frankfurtit, që ai nuk përbëhet vetëm nga shifra suksesi, por është edhe një forum intelektual. Një fjali e mbajtëses së Çmimit të Paqes do të mbetet në kujtesë:"Nganjëherë e pyes veten se pse kam zbritur herë pas here në ferr. Për të gjetur njerëzit."