Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Afganistan është humbësi i tyre
10 Shtator 2009Cilat ishin premtimet e bashkësisë ndërkombëtare për Presidentin Hamid Karsai? Figura kryesore në procesin e Petersbergut, do të duhej të sillte paqen, sigurinë dhe demokracinë në vend.
Megjithë rezervat ndaj rezultatit të zgjedhjeve, është e sigurt se Afganistani nuk është bërë një vend më i sigurt, më i lirë dhe demokratik. Pikërisht protagonisti i proceseve demokratike po përballet me kritika të shumta. Shtabi i tij fajësohet për mashtrime masive në votime, të cilat duhet të rishikohen. Shumë afganë nuk janë befasuar, sepse ekipi i Karsait edhe më parë ishte i kontestueshëm. Korrupsioni, baronët e drogës dhe shpërdorimet ekonomike janë vetëm disa nga kritikat e shumta që dëgjohen në llogari të bashkëpunëtorëve të tij.
Një përshtypje e rrezikshme, e cila me siguri që nuk do ta forcojë demkoracinë dhe besimin ndaj sistemit të shtetit. Veten nuk e ndienë mirë asnjë prej atyre të cilët megjithë kërcënimet e talibanëve, kanë dalur në votime. Madje edhe në qoftë se mashtrimet ishin aq të vogla sa nuk do të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve, me siguri që kjo paraqet një ngarkesë të madhe për qeverinë e ardhshme.
Kjo është e keqe edhe për partnerët e Afganistanit SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, të cilat me dëshirë që tani do të përcaktonin afatin e tërheqjes së trupave nga ky vend. Përgjegjësinë në vend duhet ta marrë një qeveri dhe një president i përgjegjshëm, të cilët mund të kujdesen për siguri në vend.
Për caktimin e një date të tërheqjes së trupave tani nuk mund të bëhet fjalë. Afganistani mbetet një fuçi baroti e pakontrolluar, që do të thotë se mbetet si protektorat e NATO-s. Kritikat ndaj Karsait dhe shtabit të tij zgjedhor me siguri që janë me vend. Por në disa pyetje duhet të përgjigjen edhe ata që kanë financuar procesin zgjedhor. A thua nuk ishte e mundur që vet të kujdesen për një ecuri më të mirë të zgjedhjeve?
Fjalët e mira të BE-së për, siç thuhej, "zgjedhje kryesisht pozitive", ishin një vlerësim jo i qëlluar. Talibanët me siguri që do ta shfrytëzojnë këtë gjendje. Duart do t'i fërkojë edhe dikush tjetër: Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, do të thotë se bashkësia ndërkombëtare është dyfëtyrëshe kur flet për manipulimin e zgjedhjeve.
Po sa do të ndikojë e gjitha në strategjinë ndaj Afganistanit? Aspak, sepse demokratizimi, rindërtimi dhe vendosja e paqes nuk kanë alternativë. Në veçanti kur dihet se më shumë se 50 përqind e afganëve dolën në zgjedhje, të cilat nuk kanë çuar përpara por një hap mbrapa.
Autor: Sybile Golte
Redaktoi: Bahri Cani