1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Finlandë: Projekt i qeverisë për të ardhurat bazë pa kushte

14 Shkurt 2017

Finlanda ndodhet në krizë me papunësi të lartë, ekonomi pa rritje, sistem social jo fleksibël dhe të ndërlikuar. Qeveria ka ndërmarrë një eksperiment të guximshëm duke provuar sigurimin e të ardhurave bazë pa kushte.

https://p.dw.com/p/2XVDG
Farben der Städte - Helsinki
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Thissen

2.000 të papunë të përcaktuar me sondazh për dy vjet me radhë do të pagugen me 560 euro në muaj. Secili që dëshiron mund të punojë për të fituar shtesë, pa iu zbritur nga shuma etë ardhurave mujore bazë. Ky program financohet nga taksat. Qeveria shpreson me këtë, që t'i motivojë të papunët të vihen në kërkim të një vendi pune. Por kritikët e këtij modeli, druajnë, se kjo mund të nxisë zgjerimin e sektorit të ekonomisë me paga të ulëta.

Njëri prej 2000 vetëve që përfitojnë nga ky program prove është edhe Juha Järvinen, i cili para pak kohësh humbi vendin e punës. Tani ai për dy vjet do të përfitojë pagën bazë prej 560 eurosh në muaj. Dikur ai punonte si marangoz, po pasi u sëmur iu desh të heqë dorë nga puna dhe të shpallë falimentimin e firmës së tij të vogël. Qysh atëherë ai nuk arriti të gjejë një vend të përhershëm pune.

Ky projekt model i qeverisë u zhvillua tek Enti i Sigurimeve Sociale Kela. Olli Kangas dhe bashkëpunëtorët e tij i shoqërojnë 2000 personat e testit në dy vitet e ardhshme. Ndoshta një e ardhur bazë do të jetë e zakonshme në të ardhmen, beson ai. Përjashtim do të jetë sigurimi i një pune të përhershme, thotë ai: „Po të vazhdojë të ketë edhe në të ardhmen secili një punë të përhershme dhe të ardhura të mira, nuk do të na duhet e ardhura bazë. Por po të punojnë shumë njerëz në kushte të pasigurta pune dhe t'i marrin të ardhurat nga burime të ndryshme, atëherë të ardhurat bazë do të jenë të rëndësishme në vendin tonë."

Sepse që sot shumë vetë janë krejt pa të ardhura. Ekonomia finlandeze nuk është në gjendje të mirë. Shumë vetë në shtetin dikur model në BE vuajnë nga kriza që nuk do të marrë fund prej vitesh. Numri i njerëzve, që marrin asistencë sociale apo kanë nevojë për ndihma të tjera është rritur shumë kohët e fundit. Shumë nga ata që e kanë ndier të sigurtë veten dje, sot janë të varur nga ndihmat falas. Heikki Hursti drejton një pikë shpërndarjeje ushqimesh në Helsinki. Ushqimet u jepen si dhuratë nga supermarketet njerëzve në nevojë. „Qendrën tonë të shpërndarjes e mbajmë hapur dy herë në javë, çdo herë na vijnë rreth 3000 vetë."

Një e ardhur bazë, e cila zbut të paktën varfërinë më të madhe, kjo i pëlqen Heikki Hurstit. Edhe kur janë vetëm 560 euro, të cilat nuk mjaftojnë për të jetuar. „Është fjala për njerëz, të cilët ka kohë që nuk punojnë, që megjithë kërkimin nuk kanë gjetur punë."

Juha Järvinen dëshiron ta provojë sërish fatin: me një firmë të vetën. Në sajë të të ardhurave bazë. Tani ai mund t'i lejojë vetes hapësirën financiare për një fillim të ri, në sajë të kapitalit vetjak. „E ardhura bazë siguron furnizimin e fëmijëve, tani mund të përqendrohem në gjëra të rëndësishme, të përgatitem mirë, për të ngritur sërish një sipërmarrje."

Për këtë do të përpiqen shumica, Juha Järvinen është i sigurtë. Dhe kjo sipas tij do të bëjë që pas fundit të testit, Finlanda ta mendojë seriozisht integrimin e një të ardhure bazë në ekonominë e saj.