Finlanda përforcon mbrojtjen e kufirit me Rusinë
26 Prill 2023Finlanda ka qenë gjithmonë objektiv i kërcënimeve hibride nga Moska, por tani ajo po përgatitet për më shumë. "Ne e dinim se anëtarësimi në NATO ishte si një vijë demarkacioni për rusët," thotë Juha Martelius, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për politikën e mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes të Finlandës. Pasi flamuri bardheblu i Finlandës u ngrit përpara selisë së NATO-s më 4 prill "ne presim çdo reagim” - shton ai.
Askush nuk beson se gardhi i ri 200 kilometra i gjatë dhe tre metra të lartë që Finlanda po ngre përgjatë kufirit të saj lindor mund të ndalojë një ndërhyrje ushtarake nga Rusia. Dhe kjo nuk është as arsyeja pse qeveria po rrit mbikëqyrjen përgjatë kufirit.
Vitet e fundit çdo vend anëtar i BE-së dhe NATO-s që ka kufi të përbashkët me Rusinë ose Bjellorusinë është përballur me një fluks të madh azilkërkuesish të dirigjuar nga Moska. Letonia, Lituania dhe Polonia u prekën veçanërisht në vitin 2021, por e njëjta gjë ndodhi në 2015 dhe 2016 në Laplandë të Finlandës. Gjithashtu në shtator 2022 shumë qytetarë rusë kaluan kufirin ruso-finlandez dhe u strehuan në Finlandë pasi shefi i Kremlinit Vladimir Putin urdhëroi mobilizimin e pjesshëm për luftën në Ukrainë në kufirin me Rusinë.
Pasoja për qytetet kufitare
Finlanda ka një vijë kufitare prej 1.340 km me Rusinë, përgjatë së cilës ka vetëm gardhe të thjeshta druri dhe është vendi i fundit që vendosi të ngrejë një gardh kufitar. Qeveria finlandeze ka planifikuar 380 milionë euro për shtimin e masave të sigurisë në kufi.
Në qytetin e Imatrës, ku ka nisur ndërtimi i gardhit, kryebashkiaku Matias Hilden pranon se askush nuk është entuziast për projektin, por se janë pajtuar me të. "Faktkeqësi që na duhet një gardh i tillë”, tha ai për DW.
Dhjetë vjet më parë askush nuk do habitej kur në dyqane apo banjat termale flitej rusisht, thotë ai. Rrugët e qytetit, vetëm shtatë kilometra larg kufirit ruso-finlandez, ishin plot me makina me targa ruse. Në atë kohë rusët blinin pothuajse një ndër çdo dy prona në zonën tonë, vazhdon ai, dhe vizitorët ditorë u siguronin të ardhura të mjaftueshme dyqaneve të Imatrës.
Disa dyqane u detyruan të mbylleshin kur Corona e bëri të pamundur udhëtimin, por ndalimi i hyrjes për turistët rusë për shkak të sanksioneve për luftën në Ukrainë u dha goditjen e fundit shumë dyqaneve të tjera.
"Duhet të jemi të përgatitur”
Dikush mendon se Rusia mund të përdorë si pretekst rusët që kanë blerë prona dhe jetojnë në Finlandë si pretekst për të sulmuar vendin, si p.sh. në Donbas. Por edhe pse një skenar i tillë duket i largët, Juha Martelius nga Ministria e Mbrojtjes shpreh shqetësime të ngjashme. Para luftës në Ukrainë, pohon ai, "ne e dinim se Rusia ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake në disa raste ekstreme. Tani e dimë se Rusia është e gatshme të përdorë forcën ushtarake edhe në raste që nuk duken ekstreme."
Në pyjet që po pastrohen për t'i hapur rrugë gardhit kufitar, koloneli Mika Rytkoen, komandant i rojeve kufitare të Finlandës, thekson se nuk ka asnjë shenjë se Rusia po planifikon ndaj Finlandës "në të ardhmen shumë të afërt" ndonjë sulm të madh. Por ai shton: "A e di ndokush se çfarë do të bëjë Rusia në të ardhmen? Të paktën unë nuk e di. Duhet të jemi të përgatitur."