Fillon seanca gjyqësore ndaj “Grupit të Drenicës”
22 Maj 2014Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, filloi me 22.05. seanca gjyqësore për rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, të cilën akuzohen nën dyshimet të kenë kryer krime lufte. Nisjen e seancës gjyqësore e konfirmon misioni EULEX. "Katër të pandehur në rastin e ashtuquajtur “Grupi i Drenicës” kanë arritur në Mitrovicë" dhe se seanca e parë e gjykimit në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka filluar sot”.
Tre të dyshuar të tjerë nga grupi i Drenicës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, ndërkaq, ka tri ditë që po refuzojnë të transferohen në Burgun në veri të Mitrovicës. Ata ka disa ditë që trajtoheshin në Qendrën Klinike Universitare, ndërsa, nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, u njoftua se tre të dyshuarit janë arratisur nga QKUK-ja.
Por, mbrojtja e tre të dyshuarve vazhdon të theksojë se ata ndodhen brenda ambienteve të QKUK-së, por janë mbështetësit e tyre të mbledhur në oborrin e QKUK-së, që nuk po lejojnë policinë që t'i transferojë në burgun në veri të Mitrovicës. Tre të dyshuarit po kërkojnë që gjykimi i tyre të bëhet në Prishtinë dhe jo në Gjykatën Themelore në Veri të Mitrovicës. "EULEX-i vazhdon t'i ndihmojë autoritetet e Kosovës në mënyrë që të përfundojë situata e tanishme në QKUK dhe pret që edhe tre të pandehurit e tjerë të transferohen në Gjykatën Themelore të Mitrovicës", thuhet në komunikatën e këtij misioni, në fund të së cilës përsëritet qëndrimi se "sundimi i ligjit nuk negociohet dhe se ai është gur themeli i çdo shoqërie demokratike".
E ndërkohë, Policia e Kosovës, duke ju referuar informacioneve të pranuara për arratisjen e siç thotë disa personave të quajtur ‘Grupi i Drenicës' nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, bënë të ditur se menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore për kërkimin e tyre. “Policia e Kosovës bazuar edhe në kërkesën për letër-rreshtim të Shërbimit Korrektues ka ndërmarrë masat e nevojshme policore, duke përfshirë edhe ato në vendkalimet kufitare, aeroportin ndërkombëtar në Prishtinë dhe në momentin e hasjes të njëjtit do të dërgohen në burgun e Dubravës, konform kërkesës së letër-rreshtimit të Shërbimit Korrektues”, thuhet në njoftimin e policisë, duke mos qartësuar detaje të tjera.
Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2013, kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, nën dyshimet se kanë “kryer krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje”, akuza këto që supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të komunës së Skenderajt, në vitin 1998.
Misioni EULEX, vazhdon të trajtojë rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë, mandat ky që do ta vazhdojë deri në qershor të vitit 2016.