Fillon Liga e Kampionëve
16 Shtator 2014Atmosferë e jashtëzakonshme dhe yje ndërkombëtare të futbollit, të cilat nuk i sheh përditë. Fansat e futbollit në Gjermani mund t'u gëzohen dueleve të ekipeve të tyre në Ligën e Kampionëve, e cila fillon këtë të martë. Në Dortmund vjen këtë të martë (16.09.2014) një kundërshtar tani më i njohur, pasi që Borusia dhe Arsenali janë takuar në tri edicionet e fundit në Ligën e Kampionëve. Për ekipin londinez luajnë edhe gjermanët Per Mertesacker, Mesut ëzil dhe Lukas Podolski. Gunners kanë fituar vitin e kaluar në Dortmund me rezultat 1:0. "Ne sërish duam të fitojmë dhe jemi të bindur se mund ta arrijmë këtë", theksoi Mertesacker. Arsenali nuk ka humbur në 14 ndeshjet e fundit zyrtare dhe do ta vazhdojë këtë trend edhe në Ligën e Kampionëve. Por edhe Dortmundi është në formë të mirë, në veçanti pas kthimit të Shinji Kagawa nga Mançester Junajtedi. "Ne jemi gati", thotë trajneri Jürgen Klopp.
Monako vështirë të parashikohet
Në Ligën e Kampionëve me ambicje të mëdha starton edhe lideri aktual i Bundesligës, Bayer Leverkuzen, i cili do të jetë mysafir i AS Monako. "Ne jemi të vetëdijshëm për aftësitë tona dhe do ta sulmojmë kundërshtarin", thotë aktualisht lojtari më i mirë e Leverkuzenit, Hakan Calhanoglu. Këto qëndrime i ka edhe trajneri Roger Schmidt: "Loja e barabartë nuk është në filozofinë e lojës sonë. Ne duam fitoren", thotë 47 vjeçari. Monako së bashku me Benfikën është kundërshtari më i fortë i Bajerit në grupin C. Oligarku rus Dmitri Rybolovlev ka investuar në Monako 180 milionë euro. Por duket se ekipi ende nuk e ka kompenzuar largimin e dy yjeve nga Kolumbia: James Rodriguez (ka kaluar në Real Madrid) dhe Falcao (kaloi në Mançester Junajted). Pas pesë ndeshjeve, Monako është në pozitën e parafundit në Francë. Por Bajeri e kupton seriozisht këtë ndeshje. "Fitorja në Monako do të ishte një Big Point", thotë portjeri i Bajerit Bernd Leno.
Lahm dhe Bajerni të gatshëm
Kapiteni i Bajernit të Mynihut Philipp Lahm dhe kolegët e tij janë të etur për fitore të reja në Ligën e Kampionëve. "Dua ta fitoj edhe një herë këtë kupë", thotë Lahm i cili mendon se Real Madridi edhe këtë vit do të jetë një ndër favoritët kryesorë. Bajerni do të ketë një grup shumë të vështirë. Në ndeshjen e parë pret Mançester Sitin, i cili vitin e kaluar e ka fituar titullin në Angli.
"Bajerni është i fortë, por edhe ekipi im ka mjaft karakter dhe kualitet, për të fituar në Mynih", thotë trajneri Manuell Pellegrini. Bajerni dhe Maçerster Siti njihen mirë, sepse ata janë ndeshur disa herë në vitet e fundit në Ligën e Kampionëve. Bajerni ka humbur se fundi dy herë nga ky ekip, por në momentet kur kishte siguruar vendin e parë dhe kualifikimin në garat e mëtutjeshme. Humbja eventuale këtë të mërkurë do të kishte pasoja shumë më të rënda.
Shalke e dobët
Fillimi i Ligës së Kampionëve për Shalke 04 vjen në një moment të pavolitshëm, pasi që ndeshjen e fundit në Bundesligë e ka humbur nga Borusia Mënhengladbah me rezultat 1:4. Ndërkohë që kundërshtari do të jetë ekipi më i fuqishëm aktualisht në Angli, Çelsi, i trajnerit Jose Murinjo. Çelsi prin tabelën në Angli. në veçanti po shkëlqen sulmuesi Diego Costa, me të cilin Shalke mund të ketë probleme të mëdha.