1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liria e shprehjes në Evropë, e kërcënuar

Jan Bruck/Elona Elezi15 Nëntor 2012

Në ditën e Shkrimtarit të Burgosur, PEN International paralajmëron rreth zhvillimeve në Evropë. Zëvendëspresidenti Sascha Feuchert është veçanërisht i shqetësuar rreth Turqisë dhe Hungarisë.

https://p.dw.com/p/16jze
Sascha Feuchert
Sascha FeuchertFotografi: Franz E. Möller

Që nga viti 1980 shoqata e shkrimtarëve PEN International (poetë, eseistë, novelistë) ka përkujtuar fatin e shkrimtarëve dhe gazetarëve të persekutuar, të burgosur e të vrarë në datën 15 nëntor. Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti 25 shkrimtarë dhe gazetarë kanë humbur jetën për shkak të detyrës. Por jo vetëm në shtete si Kina, apo Siria autorët persekutohen nga autoritetet.

DW: Z. Feuchert, në ditën e Shkrimtarit të Burgosur organizata juaj, PEN International, flet për humbje të demokracisë në Evropë. Si duhet ta kuptojmë këtë?

Sascha Feuchert: Në Evropë ka dy pika kyçe, që duhen përmendur: njëra është padyshim Turqia. Prej disa muajsh kemi kuptuar se në këtë vend liria e të shprehurit po shtypet. Turqia ka një problem madhor dhe nëse shikojmë statistikat, për të kuptuar se në çfarë vendi shkrimtarët janë më tepër të shtypur, aktualisht Turqia renditet ndër vendet më problematike në botë.

Shteti i dytë në Evropë, që na jep shkas për shqetësim, është padyshim Hungaria. Në Hungari ka një qeveri legjitime demokratike dhe megjithatë masat e marra janë gjithçka përveçse demokratike dhe kjo na shqetëson shumë. Shtypja e lirisë së të shprehurit nuk është një problem, që ekziston vetëm në Azi ose Afrikë, por edhe në prag të dyerve tona.

PEN boton çdo gjysëm viti një listë të gazetarëve të arrestuar
PEN boton çdo gjysëm viti një listë të gazetarëve të arrestuarFotografi: picture-alliance/dpa

DW: Sipas këndvështrimit tuaj, mos vallë politikanët në Evropë merren shumë pak me këtë problem? Në fund të fundit Hungaria është pjesë e Bashkimit Evropian…

Sascha Feuchert: Besoj se BE-ja po bën shumë pak. Edhe pse situata në Hungari po adresohet, presioni duhet të jetë më i madh. Dhe është pikërisht fakti që Hungaria është pjesë e BE-së, çka na lejon të kemi instrumentet e duhura për të kërkuar presion më të fortë.

DW: A jeni në dijeni të shembujve konkretë të persekutimit në Hungari ose Turqi?

Sascha Feuchert: Po, veçanërisht për Turqinë. Aty ka shumë raste që lidhen me shkrimtarët kurdë. Ka të bëjë me shkrimtarë dhe autorëk të cilët për shembull kanë komentuar rreth genocidit e më pas janë ndjekur penalisht. Në Hungari ka të bëjë më tepër me një klimë të përgjithshme, që është krijuar duke u marrë me antisemitizmin dhe ku gjërat kanë shkuar aq larg, saqë njerëzit ndjejnë se duhet të mbajnë kokat ulur, sepse klima e përgjithshme shoqërore është shumë e varfër.

DW: Si ka ndryshuar gjatë viteve të fundit situata e shkrimtarëve dhe gazetarëve të përsekutuar nëpër botë?

Një gazetar i burgosur pakistanez
Një gazetar i burgosur pakistanezFotografi: picture alliance/dpa

Sascha Feuchert: Është një rekord i frikshëm. Nëse shikoni statistikat e PEN, do të mësoni se në gjysmën e parë të vitit 2012, 25 autorë dhe gazetarë janë vrarë në mbarë botën, 155 janë burgosur, 56 janë kërcënuar dhe 70 janë keqtrajtuar. Ne mendojmë se këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut. Nëpër botë ne vërejmë se liria e shprehjes nuk shtypet vetëm nga qeveritë, por nëse shikojmë Meksikën shikojmë një çështje krejt tjetër. Atje gazetarët dhe shkrimtarët vriten nga mafia dhe përballen me pengesa masive në punën e tyre.

Në Kinë gjithashtu ka ende probleme madhore me shtypjen e lirisë së të shprehurit. Fituesi i çmimit Nobel Liu Xiaboo është ende pas hekurave dhe ne nuk dimë me siguri se ku.

Me programin tonë "Shkrimtarë të dëbuar" PEN sjell çdo vit në Gjermani pesë gazetarë të dëbuar, ku u japim një lloj azili të përkohshëm. Për momentin kemi një gazetar nga Siria, i cili është torturuar dhe burgosur dhe që ka mundur të largohet nga vendi me shumë vështirësi.