Fermerët polakë protestojnë kundër importeve nga Ukraina
28 Shkurt 2024Rreth 10.000 fermerë protestuan në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, kundër politikës bujqësore të BE-së dhe importimit të prodhimeve të lira bujqësore nga Ukraina.
Fermerët dhe mbështetësit e tyre hodhën përpara parlamentit polak në Varshavë edhe bomba tymuese me ngjyrat e flamurit polak përpara se të marshonin drejt zyrave të kryeministrit Donald Tusk.
Pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta ku shkruhej "Ne fermerët dhe polakët e lirë i themi ndal marrëzisë së gjelbër" dhe "Shteti ynë - ushqimi ynë".
Jo Marrëveshjes së Gjelbër
Demonstruesit duan që Polonia të tërhiqet nga Marrëveshja e Gjelbër e BE-së, një plan për të luftuar ndryshimin e klimës dhe për të ndihmuar mjedisin me masa, që sipas demonstruesve janë shumë të kushtueshme.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu ndalimin e importeve të grurit dhe produkteve të tjera ukrainase. BE-ja hoqi në vitin 2022 taksat për importet e ushqimeve nga ukrainas pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Në ndryshim nga protestat e mëparshme, në demonstratë nuk u lejua të merrte pjesë asnjë traktor apo makineri bujqësore. Protesta të mëtejshme në Varshavë janë paralajmëruar për datën 6 mars, tha udhëheqësi i fermerëve.
Dilema e Donald Tuskut
Në fillim të shkurtit fermerët polakë filluan një seri protestash në të gjithë vendin, e cila përfshiu edhe një bllokadë pothuajse totale të të gjitha pikave kufitare me Ukrainën dhe ndërprerje të punës në porte dhe rrugë në të gjithë vendin.
Protestat anembanë vendit janë kthyer në një sfidë të madhe për liderët polakë, të cilët mbështesin fuqishëm Ukrainën, por janë të detyruar t'i përgjigjen zemërimit social në rritje.
"Ne duam ta ndihmojmë Ukrainën," tha Donald Tusk në Pragë, ku mori pjesë në një takim të liderëve rajonalë të martën. "Por kjo nuk mund të bëhet përmes veprimeve që janë vdekjeprurëse për fusha të tëra të ekonomisë."
"Ne po diskutojmë për këtë me palën ukrainase dhe po shpjegojmë, se nëse Bashkimi Evropian nuk gjen mënyra më efektive për të mbrojtur tregjet evropiane dhe polake, do të jetë e nevojshme të zgjerohet embargoja ndaj produkteve të tjera," shtoi Tusk.