Falimenton Thomas Cook
23 Shtator 2019Koncerni më i vjetër turistik në botë nuk ka më para dhe gjendet para falimentimit të detyrueshëm. Pas bisedimeve me bankat, kreditorët dhe përfaqësuesit e qeverisë në Londër, koncerni kumtoi se do të ndërpriten menjëherë të gjitha aktivitetet. Alternativë tjetër nuk ka, veçse fillimit të mënjëhershëm të procedurës së falimentimit. Shefi i koncernit Peter Fankhauser foli për "një ditë mjaft të hidhur". Ai kërkoi falje nga "miliona klientë dhe mijëra punëtorë, furnizues dhe partnerë".
Bankat kanë kërkuar nga Thomas Cook një paketë tjetër shpërtimi (përveç asaj për të cilën është rënë dakord në vlerë prej 900 milionë paund - rreth një miliardë euro) në vlerën prej rreth 200 milionë paund (226 milionë euro).
Tursitët që udhëtojnë me Thomas Cook janë infromaur përmes Twitter për gjendjen dramatike. Në Tunizi kanë mbetur shumë turistë në hotele. Ekziston frika se koncerni nuk është në gjendje t'ua kompensojë dëmet. Të tjerë ankohen për humbjen e parave, të cilat janë marrë nga xhirollogaritë nga koncerni dhe tani nuk dihet nëse do të kthehen. Të prekur janë 1841 organizuesit e udhëtimeve, ndër të cilët edhe gjigandët si Neckermann-Reisen apo hotelet për udhëtime Last Minute, hotelet në vende të ndryshme, udhëtimet me anije. Thomas Cook u përball me probleme për shkak të aktiviteteve të mëdha me firma të tjera simotra, në vlerë prej miliarda euro. Në vitin 2012 bankat e shpëtuan këtë koncern me inxheksion financiar. Ky është një prej shkaqeve pse Thomas Cook ka një mal me borxhe dhe vuan nga interesat bankare. Thomas Cook ka probleme të mëdha edhe me pasigurinë nga Breksiti, që e ka ulur dëshirën e britanikëve për udhëtime.
Nga 105 avionë sa ka në dispozicion, 58 janë të koncernit gjerman Condor. Në mbarë botën Thomas Cook ka rreth 21.000 bashkëpunëtorë, në 16 vende të ndryshme. Ndër ta 4500 në Gjermani, në Condor. Këtu puna po ecën normalisht.
Condor kërkon kredi tek qeveria gjermane
Por Condor ka kërkuar kredi nga qeveria gjermane. Qeveria është duke shqyrtuar kërkesën. Udhëtimet janë duke u zhvilluar sipas planeve, thotë një zëdhënës i Condrorit.
Edhe kryeministri britanik Boris Johnson është deklaruar për gjendjen. Ai tha se qeveria britanike po shqyrton mundësinë e ndihmave. "Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme për të kthyer njerëzit në shtëpitë e tyre. Shteti duhet të ndihmojë turistët", tha Johnson. Para publikimit të vendimit të Thomas Cook, kryeministri e hpdhi poshtë kërkesën për ndihma në vlerën prej 150 milionë paund (rreth 170 milionë euro).
Televizioni BBC njofton, se shoqata e fluturimeve CAA ka vënë në dispozicion avionë për kthimin e turistëve, sepse aktualisht janë rreth 150.000 turistë britanikë jashtë vendit. Aksioni i kthimit po zhvillohet nën emrin e koduar "Matterhorn". Gjatë natës së kaluar kanë filluar fluturimet e para.
Nga Berlini ende nuk ka ndonjë aksion
Qeveria gjermane nuk është pozicionuar për turistët gjermanë që kanë udhëtuar me Thomas Cook. Në raste emergjente, organizatat e sigurimeve janë ato, të cilat duhet t'i kthejnë turistët në shtëpi. Ndërsa në praktikë ato ndihmohen nga shoqëritë e fluturimeve. Por në Gjermani ka pasur paralajmërime qysh në verë se mund të ketë zhvillime dramatike në këtë koncern. Në gusht janë dhënë vlerësimet e sakta për shumën e parave që kërkohet për shpëtimin e tij. Ekspertët kanë paralajmëruar se Thomas Cook ka nevojë për 300 - 400 milionë euro. Por tani do të jetë shumë e vështirë për udhëtarët që t'u kthehen paratë e tyre.
Reagimet në Turqi
Ministria truke e Turizmit ka paralajmëruar ndihma për të gjithë ata, që janë prekur. Në Ankara thuhet se një paketë ndihmash do të miratohet shumë shpejtë, por pa dhënë detaje.
Në Turqi gjenden rreth 21.000 turistë të ardhur përmes kompanisë Thomas Cook England. Hotelet nuk guxojnë të kërkojnë para prej turistëve të mbetur atje. Ndryshe do të përballen me gjykata, thonë autoritetet.
bc/mll/se/iw/nob (rtr, dpa, afp, twitter)