1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Faeser: Duhet ta vëmë në kontroll migracionin e parregullt

20 Tetor 2022

Ministeriali i parë i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit zhvillohet nën hijen e problematikës së refugjatëve me të cilët po përballet aktualisht Gjermania dhe BE.

https://p.dw.com/p/4IStc
Konferenz zur inneren Sicherheit und Migration Berlin Westbalkan Konferenz
Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Ministeriali i parë i Ballkanit Perëndimor u zhvillua në Berlin nën hijen e problematikës së refugjatëve që po hyjnë çdo ditë në Gjermani, shumë prej të cilëve nga itinerari i Ballkanit. Ministrja e brendshme gjermane, Nancy Faeser, së cilës iu desh të largohej para kohe për shkak të një zjarri të rënë në një strehimore refugjatësh nga Ukraina, tha se duhet "ta mbajmë nën kontroll migracionin e parregullt". Ajo tha se ai nuk duhet t'u marrë hapësirën njerëzve që vërtet kanë nevojë në këtë kohë për një strehë në Gjermani dhe BE. Në konferencën e Ballkanit Perëndimor morën pjesë 17 vendet e asociuura në Procesine  Berlinit, si edhe ministri i brendshëm i Çekisë, si kreyetare e radhës së BE-së dhe komisionerja e BE-së, Ylva Johansson.

Marrëveshje të reja për Frontex-in 

Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit, ajo tha se BE synon t'i bëjë ballë këtij fluksi të ri duke forcuar agjencinë për mbrojtjen e kufijve Frontex. Johansson tha se se shpejti do të bëjë marrëveshje të re bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut, dhe gjithashtu do të rinegociojë të gjitha marrëveshjet ekzistuese me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të vihen në përdorim edhe ndërmjet vendeve të rajonit. 

Sipas shifrave të BE-së, mbi 86 000 njerëz kishin hyrë në BE deri në fund të gushtit përmes Itinerarit të Ballkanit. Johansson tha se kjo ishte tre herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas saj, bëhet fjalë për shtetas nga India, Kuba, Tunizia dhe Burundi, shtete të cilat  tani  janë në dorë të Serbisë. Serbia fajësohet për këto lëvizje për shkak të politikës së saj të vizave. Johansson tha se ne presim harmonizim të politikës së vizave. Në takim u ra dakord ndër të tjera edhe për më shumë bashkëpunim në luftën kundër krimit të orgnizuar dhe kthimin e xhihadistëve.

Konferenz zur inneren Sicherheit und Migration Berlin Westbalkan Konferenz
Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Impuls i ri në Procesin e Berlinit 

Në fakt, shkaku kryesor i mbledhjes së ministrave të Punëve të Brendshme është përgatitja për Samitin e Procesit të Berlinit, që pritet të zhvillohet më 3 nëntorit në Berlin. Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron që t'i japë një impuls të ri nismës së kancelares Angela Merkel. Procesi i Berlinit synon të avancojë afrimin e shteteve me BE-në, duke kontribuar në përmirësimin e situatës ekonomike dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Po në kuadër të Procesit të Berlinit, të premten, më 21.10. 22 do të zhvillohet, në të njëjtin format konferenca e ministrave të Jashtëm. Sipas zëdhënësit të ministrisë gjermane të punëve të jashtme, Christofer Burger, takimi i ministrave të Jashtëm ka të bëjë veçanërisht me marrjen e hapave konkretë për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me synimin për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.” Tema të tjera përfshijnë sigurinë energjetike dhe axhendën e përbashkët të gjelbër. Dy tema këto që do të trajtohen edhe në ministerialin e tretë të ministrave të Energjisë, në të njëjtin format, të hënën, më 24.10. po në Berlin.

Tregu i Përbashkët Rajonal 

Qarqe diplomatike shpresojnë që në në këtë samit të arrihet progres në marrëveshjet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal. Qysh në Samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord për katër marrëveshje. Lëvizja e lirë me karta identiteti e shtetasve të Ballkanit Perëndimor, njohja e diplomave të shkollave të larta, si edhe njohja e kualifikimeve për tri profesione, mjekët, stomatologët dhe arkitektët, si edhe marrëveshja që synon të rregullojë lëvizjen e lirë të shtetesve nga vendet e treta që janë rezidentë në rajon. Deri tani këto marrëveshje ende nuk janë nënshkruar. 

Marrëveshja e vetme e dalë nga Procesi i Berlinit dhe që ka sjellë rezultate të dukshme, është ajo e heqjes së tarifave roaming mes vendeve të rajonit. Marrëveshjet e tjera kanë dështuar sidomos për shkak të faktit që dy vende të rajonit, Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Paralelisht me konferencat në nivel ministror, po zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera të shoqërisë civile.