Evropa ime: Politikanët populistë dhe e shkuara
28 Prill 2019Politika po fillon të duket si një inskenim historik. Nuk bëj fjalë për ceremoni përkujtimore, vendosje kurorash dhe rivarrosje. Luftëtarët e rinj të kulturës shkojnë më tej, ata turren në luftëra serioze në linjat e frontit të së shkuarës. Në inskenimin e një beteje, të rriturit vishen me kostumet e kohës dhe luftojnë njëri-tjetrin me shpata jo të mprehta apo heshta plastike. Ka nga ata që duan të vërtetojnë hipoteza historike, për disa të tjerë kjo është vetëm një ritual për të nderuar të rënët, kurse një pjesë kalon vetëm kohën. Nëse në aktivitete përkujtimore të së shkuarës kujtohen tragjedi të së shkuarës që kanë hyrë thellë në kujtesën kolektive, në inskenimet historike sundon më shumë dëshira për ta ndryshuar historinë, duke u përpjekur të rikuperosh padrejtësitë e së shkuarës.
Për shembull bullgarët kanë një ritual – inskenimin e kryengritjes së prillit 1876 kundër sundimit osman. Këtu bëhet fjalë që kësaj përpjekjeje për çlirim t'i jepet një dimension heroik, një rëndësi e veçantë historike, megjithëse ajo u shtyp përgjakshëm. Në parkun e kohës së lirë „Vija e Stalinit" në Bjellorusi lojëra luftarake rikujtojnë një projekt mbrojtjeje të kohës sovjetike, që në vërtetë ishte një dështim i plotë.
Luftëra simbolike për figurat historike
Sidomos populistët janë të përmalluar për të shkuarën. Le të marrim për shembull neonazistët grekë të Agimit të Artë. Çdo vit ata inskenojnë një shou nacionaliste pa shije në monumentin që përkujton betejën e Termopileve mes grekëve dhe persëve. Mesazhi është i qartë: Ata premtojnë që deri në vdekje të luftojnë kundër „invazionit" të supozuar të migrantëve, por edhe kundër çfarëdolloj përzierjeje të „perandorisë" europiane në çështjet e atdheut liridashës.
Të hapësh plagë të vjetra është një strategji e preferuar për të tërhequr vëmendjen nga problemet e së tashmes. Si në rastin e luftërave të vërteta, konfliktet simbolike forcojnë legjitimitetin politik të kundërshtarit, prandaj ata nuk janë edhe aq kundër të bashkëpunojnë në këtë nivel. „Çështja maqedonase" për shembull, që dikur shkaktoi luftërat tragjike ballkanike, rigjallërohet në rajon përmes luftërave simbolike për figura si Aleksandri i Madh apo Samuili (një nga carët e fundit të perandorisë bullgare) si edhe për emrin apo gjuhën e vendit. Në mënyrë të çuditshme edhe lufta kundër sundimit të osmanëve po bëhet gjithnjë e më intensive, megjithëse ajo që në fillim të shekullit të 20-të mori fund në të gjithë rajonin e Ballkanit. Edhe lufta kundër sundimit komunist tani më mbrapa po bëhet më e fortë.
Loja me emrin "histori" do duhet të fillojë nga zeroja
Kjo nuk është karakteristikë vetëm e juglindjes së Europës. Vota britanike për Brexit u ndikua në një masë të madhe nga kujtimi për „perandorinë" –„Empire", ku nuk perëndon asnjëherë dielli. Donald Trump premtoi të bëjë Amerikën sërish „great", gjë që me gjasë mundet të implikojë edhe sundimin e njeriut të bardhë. Nga ana tjetër shumë njerëz në ish-kolonitë përjetojnë padrejtësitë që iu bënë paraardhësve të tyre, të përforcuara nga filmat dhe ritualet përkujtimore. Ky „material bruto" u instrumentalizua nga Al-Kaida dhe i ashtuquajturi „Shteti Islamik".
Nostalgjia për të shkuarën është ndjenjë e melankolisë. Nobelisti turk i letërsisë, Orhan Pamuk përdor fjalën e papërkthyeshme „Hüzün" – me konotacion të përafërt me trishtimin, brengën, por edhe largimin nga zoti, kur ai flet për lavdinë e shuar të Perandorisë Osmane. Por populistët kanë një mënyrë tjetër të trajtimit të së shkuarës: Ata inskenojnë energjikisht, sikur do mund të fshihen me dorë magjike të gjitha zhvillimet e mëvonshme fatkeqe dhe loja me emrin „histori" mund të fillojë nga zeroja.
Ideja e së ardhmes bie
A beson vërtet dikush seriozisht që vende me madhësi mesatare si Mbretëria e Bashkuar apo Turqia mund të bëhen sërish perandori të mëdha? Apo që në botën tonë të globalizuar mund të kesh ende shtete kombëtare me një popullsi homogjene? Një shpjegim për politikën e inskenimit historik është shpërbërja e identiteteve. Qytetari dhe konsumenti kërkon të ketë të drejtën për një identitet jashtë punës, automjetit apo smartphone-it. Pse duhet që ai apo ajo të jetojë me dhimbjen e betejës së humbur dikur, me poshtërimin e të parëve dhe humbjen e territoreve? Historianët thonë, këtë rrjedhë morën ngjarjet, po pse duhet të dëgjohen këta „burokratë"?
Parë me vëmendje në fakt është ideja e së ardhmes ajo që ka rënë. Ne jetojmë me gjithnjë e më shumë imazhe të katastrofave, të një apokalipsi të klimës, të terrorizmit, të goditjes nga asteroidët apo epidemi virusesh. Ndërkohë jemi të bindur, se fëmijët tanë nuk do ta kenë më mirë se ne. Në rastin më të mirë shpresojmë që ata të marrin të paktën atë që kemi ne. A mund të habitesh pra se politikanët i kthejnë kurrizin të ardhmes dhe angazhohen më shumë në një betejë për çlirimin nga e shkuara plot shtypje?
Ivaylo Ditchev është profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Ai ka dhënë leksione ndër të tjera edhe në universitetet gjermane, franceze dhe në SHBA.