Evropa ime :Ndihmë, po bëj paradë me veturë!
14 Korrik 2018Kroacia shënoi dhe arriti në finale. E vërtetë, në finale. Dhe unë nuk e di se çfarë ka bërë vaki me mua, po për herë të parë në jetën time, ndodhem në një veturë dhe po i bie borisë në mes të një kolone të dalldisurish pas futbollit me flamuj të Kroacisë, të cilët çirren sa u ngjiret zëri. Qyteti është përgatitur mirë për ne, gjithçka ecën në vendin e vet. Të dalldisesh e të rrotullohesh me veturë në itinerarë të rregullt: mirëserdhe në Gjermani! Unë nuk kam të ngopur me këtë.
Kroacia ndodhet në finale. Unë bërtas fiiiinaaaleee nga dritarja, sikur mos kisha bërë punë tjetër gjithë jetën time. Një djalë te semafori ma kthen dhe hidhet me një flamur të Kroacisë, që mund të ishte vëllai i tij i madh, brenda një katrori. Kjo është jeta, nëpër rrugë. Pse ndodhin këto gjëra vetëm kur ka Kampionat Botëror?
Të shohësh TV në grumbuj me të huaj
Kjo në një kohë, kur ato që dëgjoje prej meje vetëm pak kohë më parë, qenë krejt të tjera: çfarë do të thotë kjo? Kjo Fifa e korruptuar! Gjithçka - nacionalizëm shqeto dhe i maskuar! Lojtarë që fitojnë për një vit kaq shumë para, sa do të shohin për gjithë jetën shumica e sportdashësve të tyre! Dhe këtë vit mikpritësi është edhe Rusia, e kujt i duhet kjo? Mua, me sa duket. Sepse tani jam bërë pjesë e paradës së veturave që ecin nëpër Mannheim. Shumicën e herëve trafiku bllokohet, pengesat që ka vënë policia janë gjithandej. Por policia të përshëndet miqësisht. Ia kthej përshëndetjen me dorë dhe i kam zili të gjithë ata që janë treguar me kohë të mençur, i kanë furnizuar me muzikë veturat dhe i kanë zbukuruar.
Ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit më pëlqen t'i shoh jo në shtëpi, por me sa më shumë të huaj që të jetë e mundur, me njerëz nga më të ndryshmit që të jetë e mundur. Këtë vit shumicën e ndeshjeve i pashë në Mannheim, një nga qytetet më të larmishëm të Gjermanisë, qytet punëtorësh me kulturë ndërkombëtare të jetës së përditshme. Në ndeshjen kundër Rusisë rusët ngacmohen me kroatët, në një kohë kur të gjithë ata janë edhe gjermanë. Ndërhyn një çift i ri, hiqen si njohës. Thonë se sapo kanë blerë në Kroaci një shtëpi për pushimet e verës. Unë i shaj duke qeshur: gjithçka u shitet të huajve! Ata megjithatë e ndjekin në ethe ekipin e vendit të tyre të dytë. Më vonë, pasi ka fituar Kroacia, ata duan patjetër ta kthejnë një shnaps. Ka vetëm Jägermeister gjerman, u them. Po edhe kjo bën, thonë ata.
Të shohësh futboll me të huaj është kaq çliruese sa ç'kanë qenë më parë ndoshta vetëm Karnavalet. Pas gjysmës së parë të ndeshjes ne këmbejmë me njëri-tjetrin karikuesit dhe bateritë e emergjencës, që të kemi mundësi t'i ngarkojmë sërish celularët. Në të gjitha kanalet u dërgoj lajme miqve dhe të afërmve në të gjithë botën. Kroacia ka luajtur shtesat më brutale të ndeshjeve. Por në fund edhe humbësit janë larguar me kokën lart nga fusha.
Distancë? Seriozisht e ke?!?
Natyrisht, në fillim doja të rrija larg nga e gjitha. Distanca ka rëndësi në ditët e sotme. Shoqëria është shqetësim kolektiv, nuk është më festë kolektive. Por një natë lexova twitter-at e ekonomistit serb nga SHBA, Branko Milanovic. Ai shkruante se megjithë korrupsionin, Kampionati Botëror është ngjarja e fundit e madhe globale. Po, mendoj unë. Prej Botërorit mund të marrësh material për biseda të shpenguara me fqinjë, shokë dhe të huaj. Një bisedë e shpenguar, për të cilën nuk kam pikë qejfi janë fajësimet e ekipit gjerman. Një Lothar Matthäus, i cili përkulet para Putinit: s'ka problem. Një Mesut Özil, i cili nuk e zotëron teorinë e demokracisë: problemi tamam. Edhe vetë niveli i ekspertëve të futbollit që flasin kot është më i lartë se këto debate që xhirojnë bosh. Kjo në një kohë kur Gjermanisë i ka ndodhur vetëm ajo, që u ka ndodhur dhjetëra kampionëve të botës para saj: jemi skualifikuar paraprakisht.
Kudo mbi këtë sport përkulen kasapët. Presidentja kroate brohoret me ekipin në kabinë, korr lëvdata dhe kritika për këtë, komente seksiste dhe admiruese. Të gjithën këtë edhe mund ta analizoja, mashtrimet e gjithë botës në një turne. Po pastaj i them vetes: një herë të vetme, mos u merr me këtë. Thjesht shijo. Dhe ndaje kënaqësinë tënde me miliona njerëz në botë.
Çfarë do me thënë jashtë loje?
Autobusi i ekipit kroat me sloganin e mrekullueshëm prin: Small Country, Big Dreams (=vend i vogël, ëndrra të mëdha). Ishte një Botëror në të cilin arritën me përpjekje në çerekfinale edhe vende të vogla si Belgjika dhe Kroacia. Davidi kundër Goliath-it. Kjo i përket parahistorisë, të nevojshme për çdo njeri normal për të mbijetuar.
Kroacia, një vend me aq banorë sa ka Berlini, tani ndodhet në finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit 2018. Shumë kolegë të mi, autorë dhe gazetarë janë përfshirë gjithashtu nga ethet e këtij Botërori, dërgojnë twitter live për çdo ndeshje. Në mëngjes lexoj analizat e formacioneve. Unë e kam në majë të gjuhës përgjigjen se çfarë do të thotë "jashtë loje", sepse meshkujt vazhdojnë të mendojnë se ky është testi i vërtetë, kur një grua komenton futbollin.
Pas fitores, një twitt për Modricin shpërndahet mijëra herë: se si kur qe i ri, ai e humbi gjyshin në luftë. Si erdhi si refugjat në Zadar. Sa i ndrojtur ishte. Dhe se si Luka Modric u kthye në shpirtin e ekipit, që arriti të kualifikohet për në finalen e Botërorit. Pas çdo ndeshjeje, mijëra të huaj më urojnë në twitter, shokë të studimeve nga e gjithë bota, numrat e të cilëve nuk i kam pasur më në adresar. Nuk e përmbaj dot ironinë: e çfarë kam bërë unë për këtë? Megjithatë ajo që them është: Falemnderit, edhe ju ishit madhështorë! Big hug! (=ju përqafoj fort).
Shijojeni, çuna!
Unë kam qenë gjithmonë në anën e të nëvleftësuarve. Kampionati Botëror nuk është vetëm turne i kombeve. Është edhe turne i ëndrrave: famë botërore për vende të vogla. Frymë luftarake përballë parave. Në klubet ndërkombëtare ata që fitojnë shumicën e herëve janë më të pasurit. Lojtarët janë të bleshëm. Këtë herë fiton ekipi i një vendi që nuk kishte as stadiume për ndeshje të tilla. Emrin e trajnerit nuk e kishte dëgjuar askush. Yje të mëdhenj si Messi dhe Ronaldo u rrëzuan. Dhe papritur jam krenare. Kjo në një kohë kur unë them që njeriu nuk e lufton dot faktin që ka lindur në një vend të caktuar. I dëgjoj ata zëra kritikë, të cilëve u jap përndryshe gjithmonë të drejtë: podium për nacionalizmin, platformë për të djathtët...I dëgjoj, po nuk ua vë veshin.
Po, Kroacia do të luajë të dielën në finale kundër Francës. Ata do të djersiten dhe ulërasin, do të shtrëngohen në krahët e njeri-tjetrit, sido që të vejë puna. Dhe trajneri Zlatko Dalic, emri i të cilit do të thotë "I artë", do t'u thotë më parë: "Uzivajte! Shijojeni, çuna! Shijojeni ndeshjen tuaj! Të njëjtën gjë do të bëj edhe unë. Vive la Irrationalité!